Policia zbardh vrasjen e Briken Sanajt, shpallen në kërkim 3 persona, roli i kosovarëve

30 Nëntor 2022, 18:44Kronika TEMA

Policia zbardh vrasjen e Briken Sanajt, shpallen në kërkim 3 persona,

Vrasja e Briken Sanajt natën e 30 Tetorit tek "Kodra e Diellit" në kryeqytet është kryer për gjakmarrje.

Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim ndërkombëtar sot tre autorët e dyshuar, për të cilët gjykata ka vendosur ditën e sotme masat e sigurisë “Arrest në burg”, në mungesë.

Sanaj është ekzekutuar nga  Vladimir (Valmir) Kola, 39 vjeç, lindur në Pukë dhe banues në Shëngjin, Lezhë, i dyshuar për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”;

Ngjarja ka ndodhur për gjakmarrje, pasi familjet Kola dhe Sanaj ishin në konflikt prej 10 vitesh.

Po ashtu janë shpallur në kërkim dhe dy kosovarë nga Peja, për përkrahje të autorit të krimit dhe moskallëzim krimi. Bëhet fjalë për shtetasit Kened Antoni, 49 vjeç, dhe Gjelosh Krasniqi 25 vjeç.

"Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera në funksion të procedimit penal të vitit 2022, ka rezultuar se shtetasi kosovar Kened Antoni i ka shitur automjetin shtetasit tjetër kosovar Gjelosh Krasniqi , më datë 24.10.2022, dhe po në këtë datë, këta shtetas e kanë futur këtë automjet në territorin e Shqipërisë dhe ia kanë vënë atë në dispozicion shtetasit Vladimir (Valmir) Kola, i cili e ka përdorur automjetin për realizimin e vrasjes së shtetasit Briken Sanajt." thuhet në njoftimin e policisë.

Natën e 30 Tetorit, Sanaj ka qenë duke mbyllur makinën te garazhi i pallatit ku jetonte dhe është takuar me tre persona të njohur në trotuar.

39-vjeçari ishte fillimisht në Lezhë, në dasmën e kushëririt të tij. Kur ka mbaruar dasma, ata kanë sjellë nusen në Tiranë tek pallati ku jetonte prej më shumë se një viti. Kur ka zbritur nga makina ai është qëlluar për vdekje nga një distancë e afërt nga një makinë në lëvizje.

Autorët kanë arritur të largohen dhe makina e tyre tip “Benz” u gjet e djegur pas ngjarjes, në Qafë Kashar, ndërsa brenda saj u gjet një kallashnikov. Sipas informacioneve, makina ishte me targa të vjedhura vetëm pak ditë më parë në Tiranë.

Në vitin 2010 familja Sanaj ka pasur konflikt me familjen Kola për shkak të ngacmimit të një vajze. Konflikti u ashpërsua dhe vëllai i vogël i Briken Sanajt plagosi një prej djemve të familjes Kola.

Mes familjeve nisi një hasmëri që pavarësisht përpjekjeve për pajtim nuk u realizua. Ata bënin lëvizje të kontrolluara, për shkak të këtij konflikti dhe nuk ekspozoheshin në publik.

Njoftimi i Policia:

Zbardhet vrasja e 39-vjeçarit nga Lezha, ngjarje e ndodhur një muaj më parë, te Kodra e Diellit.

Identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar i vrasjes.

Shpallen në kërkim 2 shtetas të tjerë, për përkrahje të autorit të krimit dhe moskallëzim krimi.

Zbardhja e vrasjes, falë hetimeve të kryera nga Sektori i Hetimeve të Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës, në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale në PSH, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në kuadër të procedimit penal të nisur për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.

Për autorin e dyshuar dhe 2 shtetasit e tjerë, bazuar në provat e siguruara nga strukturat hetimore të DVP Tiranë, të Departamentit të Policisë Kriminale dhe të Prokurorisë së rrethit Tiranë, Gjykata ka caktuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, në mungesë.

Po bashkëpunohet ngushtësisht me policitë homologe, të Kosovës dhe të Malit të Zi, për lokalizimin dhe kapjen e tyre.

Nga strukturat e Sektorit të Hetimeve të Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës, në DVP Tiranë dhe ato të Departamentit të Policisë Kriminale, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, më datë 30.11.2022, u finalizua operacioni policor “SHADOW”, si rezultat i të cilit u bë i mundur dokumentimi i plotë ligjor i ngjarjes së ndodhur më datë 30.10.2022, në vendin e quajtur “Kodra e Diellit”, Tiranë, ku është vrarë me armë zjarri shtetasi B. S., 39 vjeç, lindur dhe banues në Lezhë.

Policia e Tiranës, pas një pune profesionale disajavore, duke shfrytëzuar të dhënat e inteligjencës policore, falë përdorimit të metodave speciale të hetimit, administrimit dhe vlerësimit në kohë të provave ligjore, bashkëpunimit dhe shkëmbimit në kohe reale të informacioneve me policitë partnere, ka bërë të mundur dokumentimin ligjor të autorësisë së kësaj ngjarjeje kriminale.

Bazuar në provat e sigurura, Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë ka caktuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, në mungesë, për shtetasit:

V.(V.) K., 39 vjeç, lindur në Pukë dhe banues në Shëngjin, Lezhë, i dyshuar për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”;

Gj. K., 49 vjeç, lindur dhe banues në Peje, i dyshuar pë veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”;

K. A., 25 vjeç, lindur dhe banues në Pejë, i dyshuar për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera në funksion të procedimit penal të vitit 2022, ka rezultuar se shtetasi kosovar K. A. i ka shitur automjetin shtetasit tjetër kosovar Gj. K., më datë 24.10.2022, dhe po në këtë datë, këta shtetas e kanë futur këtë automjet në territorin e Shqipërisë dhe ia kanë vënë atë në dispozicion shtetasit V.(V.) K., i cili e ka përdorur automjetin për realizimin e vrasjes së shtetasit B. S. Pas ngjarjes, autori i dyshuar e ka djegur automjetin, në rrugën dytësore Tiranë - Durrës, së bashku me armën e krimit.

Për autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje janë kryer kërkime, si dhe është bërë shpallja në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar e tyre dhe në bashkëpunim me policitë homogole, po punohet për lokalizimin dhe kapjen e tyre.

Në cilësinë e provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar 4 automjete të përdorura nga autori i dyshuar, para dhe pas ngjarjes, 10 aparate celulare, si dhe pamje filmike që i shërbejnë hetimit.

Materialet i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Lini një Përgjigje