Rreziku i përhapjes dhe keqpërdorimit të armëve

9 Qershor 2022, 16:10Kronika TEMA

Rreziku i përhapjes dhe keqpërdorimit të armëve

Prej muajsh OSBE me kërkesë të autoriteteve shqiptare ka nisur projektin që synon uljen e rrezikut të përhapjes së armëve dhe keqpërdorimit të tyre. Ky projekt ka një afat tre vjeçar dhe po vihet në zbatim në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit. Kreu i prezencës së OSBE në Shqipëri Vincenzo Del Monaco dha detaje për funksionimin e projektit.


“Së pari ka të bëjë me ndihmën për përmirësimin e kornizës ligjore, së dyti me fokusimin tek aftësitë, njohuritë dhe kapacitetet e njësive të përgatitjes së qenve në Shqipëri, ndërsa për aspektin e tretë do ta ktheja mikrofonin nga ju, media, pasi ka të bëjë me rritjen e ndërgjegjësimit”.

Një pjesë të rëndësishme për zbatimin e projektit zë dhe instituti i trajnimit të qenve, për të cilin vendi ynë ka nevojë për më shumë kapacitete.

Zv.ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari i pyetur për mundësinë e një amnistie, për të gjithë ata që duan të dorëzojnë një armë që disponojë, tha se ende nuk ka një diskutim shumëpalësh, por Del Monaco thotë se ky është një vendim që mund të ndikonte në proces.

“Kjo është një çështje shumë e rëndësishme, sensitive, që ka lidhje me politikën e brendshme. Përshëndes çdo diskutim për këtë temë, pasi bën pjesë në rëndësinë e rritjes së ndërgjegjësimit”.

Vendi ynë i është bashkuar marrëveshjeve kryesore ndërkombëtare të kontrollit të armëve duke përfshirë, traktatin e Tregtisë së Armëve, Programin e Veprimit për Armët e Vogla dhe të Lehta të Kombeve të Bashkuara, Protokollin e Armëve të Zjarrit si dhe ka përqafuar iniciativat rajonale për forcimin e kontrollit të armëve të vogla dhe të lehta.

Lini një Përgjigje