Seanca në Kolegj të Posaçëm të Apelimit ndaj prokurorit Kledian Llaho u ndërpre pas dëgjimit të parashtrimeve të SPAK, ndërsa dëgjimi i vetë prokurorit u shty për seancën e ardhshme. Llaho paraqiti dy kërkesa për pezullimin e çështjes, të cilat u rrëzuan nga trupa gjykuese.
Nga Vladimir Karaj
Të premten, prokurori Llaho i kërkoi Kolegjit të Posaçëm të Apelimit pezullimin e shqyrtimit të çështjes së rivlerësimit të tij, duke u mbështetur në dy procedime disiplinore të ankimuar prej tij në KPA dhe në vendimin e Gjykatës së Posaçme për pezullimin e tij nga detyra me kërkesë të SPAK, që sipas tij cenon integritetin e tij.
Shqyrtimi gjyqësor, i shtyrë edhe dy herë më parë, u vonua për afro dy orë, pasi Kolegji shqyrtoi kërkesat paraprake të Llahos. Fillimisht, ai kërkoi pezullimin e shqyrtimit të ankimit të Komisionerit Publik ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që e kishte konfirmuar në detyrë, derisa të përfundonte shqyrtimi i ankimimeve për dy masat disiplinore të marra ndaj tij nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Më 31 janar 2025, KLP i dha Llahos një “vërejtje publike”, ndërsa më 10 prill vendosi uljen e pagës së tij me 20% për tre muaj dhe shkarkimin nga detyra e kryetarit të prokurorisë. Llaho i ka ankimuar këto masa dhe kërkoi që ato të shqyrtohen përpara se të vazhdojë çështja e rivlerësimit, pasi në rast shkarkimi ai humb statusin e magjistratit dhe nuk do të mund të ndjekë më ankimet, duke cenuar të drejtat e tij kushtetuese.
I pyetur nga trupa gjykuese, përfaqësuesi i SPAK, prokurori Klodian Braho, kërkoi rrëzimin e kërkesës si të pabazuar në fakte. Trupa gjykuese, e përbërë nga Natasha Mulaj (kryesuese), Sokol Çomo (relator), Albana Shtylla, Mimoza Tasi dhe Ina Rama, vendosi të mos e pranojë kërkesën.
Më pas, Llaho paraqiti një kërkesë të dytë, duke pretenduar se hetimet e tejzgjatura të SPAK ndaj tij, që sipas tij nuk kishin prodhuar rezultat, e vendosnin në pozitë të pabarabartë dhe i cenonin integritetin gjatë procesit të rivlerësimit. Ai është pezulluar nga detyra nga Gjykata e Posaçme më 6 janar 2025, pasi SPAK e ka regjistruar si të dyshuar për veprën penale “korrupsion pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.
Duke iu referuar publikimit të këtij fakti nga Reporter.al pas seancës së 4 korrikut në KPA, Llaho tha se kjo i dëmtonte imazhin, ndërsa u ankua se në media nuk ishin pasqyruar çështjet që ai kishte trajtuar me sukses. Edhe kjo kërkesë u cilësua si e pabazuar nga prokurori Braho dhe u rrëzua nga Kolegji, i cili më pas vendosi hapjen e shqyrtimit gjyqësor.
Në pjesën e mbetur të seancës u dëgjuan vetëm parashtrimet e SPAK. Prokurori Klodian Braho tha se SPAK i qëndronte ankimit dhe kërkonte shkarkimin e Llahos për probleme në tre kritere: pasuri, etikë dhe profesionalizëm. Ai theksoi pasaktësi dhe deklarime të paqarta në deklaratat e pasurisë së Llahos, që vinin në dyshim burimin e të ardhurave. Po ashtu, Braho theksoi cenimin e besimit të publikut, duke iu referuar indicieve për mungesë integriteti nga institucionet ligjzbatuese.
Pas përfundimit të parashtrimeve të SPAK, Kolegji mbylli seancën dhe njoftoi se parashtrimet e Llahos do të dëgjohen në seancën e radhës.
Lini një Përgjigje