SPAK ka goditur disa grupe kriminale të trafikut të drogës, ku anëtarë të tyre ishin edhe pjesëtarë të fisit Rraja.
Në total janë lëshuar 14 masa sigurie, 10 nga të cilat janë ekzekutuar, ndërsa 4 persona janë ende në kërkim. Në media janë publikuar foto të dy anëtarëve, Marvin Bushati dhe Agim Nina.
Kush janë të arrestuarit dhe ata në kërkim
Rrexhep Rraja dhe kushëriri i tij, Përparim Rraja ishin në kërkim nga policia e Fushë Krujës për dhunën në guroren e këtij të fundit në Borizanë, ngjarje e ndodhur më 6 korrik 2023. Përparim Rraja është kushëri i ish-deputetit Rraja. Dhuna barbare ndodhi pasi dy kushërinjtë Bilbil e Jashar Maja kishin denoncuar në polici se gurorja e Rrajave po u prishte shtëpitë në Borizanë. Anëtarët e fisit Rraja i bënë për spital pasi i dhunuan me shkopinj bejsbolli dhe mjete të tjera të rënda.
Tre personat që janë në burg për të njëjtin aktivitet kriminal. Islam Sefa u arrestua në korrik të vitit 2024 në një lokal afër SPAK për trafik droge. Ai akuzohet si drejtues dhe financues i një grupi që trafikoi drogë në vlerë 3.3 milionë euro drejt Gjermanisë. Më 18 dhjetor të këtij viti, GJKKO e dënoi me 11.4 vite burg për trafik droge në 9 episode. Vëllai i tij, Bujar Sefa, në kërkim për këtë operacion, u dënua me 10 vite burg më 1 korrik të vitit 2024 për trafik droge në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Jani Çavo, të cilit masa iu komunikua në burg, u arrestua në qershor 2023 si pjesë e një grupi që trafikonte kanabis nga Siria dhe heroinë që vinte nga Turqia, me vlerë deri në 2.7 milionë euro. Në dhjetor të vitit të kaluar, GJKKO e dënoi grupin e tij në total mëe 107 vite burg, ndërsa Çavo u dënua me 8.8 vite burg.
Aldo Gjini po ashtu është arrestuar më herët. Në korrik 2021, u përfshi në një plagosje në Tiranë. Gjini rezulton i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga EUROPOL për akuzat tentativë vrasje, trafikim armësh dhe municionesh luftarake. Dyshohet edhe si autor i një plagosjeje në 2020 në Luksemburg. Në vitin 2016, u arrestua në Itali për shpërndarje droge.
Lini një Përgjigje