Testi i drogës për drejtuesit e mjeteve: Detajet si do të funksionojë

20 Prill 2022, 16:39Kronika TEMA

Testi i drogës për drejtuesit e mjeteve: Detajet si do të

Prej disa ditësh policia rrugore ka nisur testin e drogës për shoferët. Brenda pak minutash pajisja e quajtur “Aquila Scan” tregon nëse drejtuesi i mjetit është apo jo përdorues i lëndëve narkotike.

Kjo pajisje është vënë në dispozicion të efektivëve të policisë rrugore, të cilët mund të kryejnë verifikimin e shoferëve për të cilët dyshohet se qarkullojnë duke qenë nën efektin e drogërave.

Sulltanë Kuka, specialiste në trafikun urnan tregon për Klan News kategoritë e drejtuesve të mjeteve që do t’i nënshtrohen këtij testi.

“Për sa i përket përzgjedhjes së drejtuesve të mjeteve ajo bëhet në bazë të informacioneve që punonjësi i policisë mund të ketë, në bazë të sjelljeve të drejtuesit të mjetit dhe faktorëve të jashtëm që shfaqen. Mund të kesh drejtues mjeti agresivë, që bëjnë manovra të çuditshme në rrugë”.

I ngjashëm me testin e Covid-it, aparatura e tregon rezultatin brenda pak minutash.

“Është një aparaturë e ngjasdhme me testin e drag-erit të alkoolit. Merret material nga pjesa e sekrecioneve të individit, nga pjesa e pështymës”.    

Sipas punonjëses së policisë rrugore, nëse shoferi rezulton pozitiv, pajisja identifikon dhe llojin e drogës që ka konsumuar.

“Për një hark kohor 2-3 minutësh ajo jep rezultatin dhe llojin e drogës së përdorur”.

Për drejtuesit e mjeteve përdorues të narkotikëve, parashikohen disa sanksione nga Kodi Rrugor.

“Bëhet tërheqja e lejes së drejtimit, vendosja e masës administrative dhe pjesa e procedimit penal”.

I pari që ka rezultuar pozitiv nga pajisja, është 25-vjeçari Julian Çollaku, i cili u arrestua, pezullua leja e drejtimit dhe iu vendos masë administrative prej 15 mijë Lekësh. Të riut iu krye testi i drogës, pasi në makinë ndihej aroma e kanabisit që kishte konsumuar.

Lini një Përgjigje