Trafik droge, Prokuroria sekuestron dy apartamente dhe një garazh të një të dënuari me 10 vite burg

15 Korrik 2026, 10:50Kronika TEMA
Trafik droge, Prokuroria sekuestron dy apartamente dhe një garazh të

Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar dy apartamente dhe një garazh në pronësi të shtetasit A.A., i dënuar me 10 vite burg për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike.

Sipas organit të akuzës, hetimi pasuror ka nxjerrë në pah se të ardhurat e ligjshme të A.A. dhe familjarëve të tij nuk justifikojnë investimet e kryera në këto pasuri, duke krijuar një disproporcion të dukshëm mes pasurisë së zotëruar dhe të ardhurave të deklaruara.

Për këtë arsye, me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata vendosi sekuestrimin e pronave, të cilat dyshohet se janë krijuar me të ardhura që burojnë nga aktiviteti kriminal i trafikimit të lëndëve narkotike.

Pasuritë e sekuestruara përfshijnë një apartament 1+1 me sipërfaqe 66.33 m² dhe verandë 44 m² në një kompleks multifunksional në Rrugën “Xhanfize Keko”, si dhe një apartament 2+1 me sipërfaqe 87.9 m², së bashku me një garazh 16 m², në një kompleks në ndërtim në Rrugën “Kahreman Ylli”.

Prokuroria thekson se, bazuar në ekspertimin kontabël dhe dokumentacionin e administruar, pasuritë plotësojnë kriteret e parashikuara nga ligji për sekuestrimin dhe konfiskimin, pasi nuk justifikohen nga burime të ligjshme financiare.

Sipas hetimeve, A.A. ka qenë i përfshirë në veprimtarinë kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike dhe pasuritë e krijuara rezultojnë në shpërpjesëtim të dukshëm me nivelin e të ardhurave të ligjshme të deklaruara.

1 Komente

  1. T
    Toni

    Nje gje nuk kupto pse kur shkojn nga vilat e gjirit lalzit nga 5 milion euro vila , spaku dhe prokuroria mbyllin syt .

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje