Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Klodian Braho, ka raportuar në Komisionin për Nismat Qytetare mbi punën e institucionit gjatë vitit 2025, ku një nga temat e diskutuara ishte edhe hetimi i krimit zgjedhor.
Deputeti i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, ngriti pretendime për një trajtim të ndryshëm të rasteve nga ana e SPAK, duke akuzuar institucionin se ka përdorur standarde të dyfishta në varësi të personave të përfshirë.
Kaso deklaroi se SPAK ka marrë masa ndaj drejtuesve të opozitës, duke përmendur rastet e Ilir Metës dhe Sali Berishës, ndërsa sipas tij, persona të tjerë të dyshuar për ndikim në zgjedhje janë toleruar gjatë periudhës zgjedhore.
“Ky standard i dyfishtë e motivon apo demotivon krimin zgjedhor. Produktet e krimit zgjedhor, në kuptimin metaforik, ju ballafaqojnë përpara, siç janë 82 mandatet”, u shpreh deputeti demokrat.
Nga ana tjetër, kreu i SPAK, Klodian Braho, hodhi poshtë pretendimet për standarde të dyfishta, duke theksuar se institucioni nuk udhëhiqet nga perceptimet, por nga provat dhe faktet e administruara në dosje.
“Krimi zgjedhor është fenomen shqetësues dhe na shqetëson si prokurori. Nuk është një fenomen me të cilin ne pajtohemi. Nuk shoh ndonjë standard të dyfishtë nga SPAK për çështjet zgjedhore, por është një perceptim. Ne nuk nisemi nga perceptimet, por nga faktet që përmbajnë dosjet”, deklaroi Braho.
Debati u zhvillua gjatë raportimit të drejtuesit të SPAK për rezultatet e punës së institucionit dhe sfidat në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Lini një Përgjigje