Britania nis stërvitjen - “Operation Albiston Shadow”, ushtria përgatitet për raste sulmesh hibride

15 Korrik 2026, 13:00Bota TEMA
Britania nis stërvitjen - “Operation Albiston Shadow”, ushtria

Të cilësuara “Operation Albiston Shadow”, kryeministria thotë se në këto manovra ushtarake dhe jo vetëm do të përfshihen ministrat, si dhe qindra zyrtarë në qeveri dhe administratën publike, ku do të testohen kundërpërgjigjet në rastin e sulmeve hibride në kuadër të një lufte konvencionale.

Se çfarë kërcënimesh konkretisht do të simulohen në këtë skenar nuk përmenden, por me shumë gjasa do të ketë sulme kibernetike, akte sabotazhi dhe vrasje politike. Manovrat më të mëdha pas shumë dekadash do të vazhdojnë për disa ditë dhe do të kompletohen me manovra më të mëdha në kuadër të NATO-s, të koduara CMX27, dhe pritet të zhvillohen vitin e ardhshëm, pa deklaruar se kur saktësisht.

Për herë të parë, rreziku nga ndërhyrjet në procesin demokratik në Britani do të jetë pjesë e manovrave për të parë sa e përgatitur është Britania për t’i zbrapsur këto ndërhyrje, kur për herë të parë mes gjashtë rreziqeve përfshihet edhe potenciali për lehtësimin nga inteligjenca artificiale të sulmeve më të sofistikuara kibernetike ndaj të dhënave të infrastrukturës, asaj të ujit, si dhe në sistemet politike. Këto manovra zhvillohen ndërkohë që rriten shqetësimet për një sulm rus ndaj një vendi të NATO-s, pasi ushtria ruse në mënyrë të rregullt shkel hapësirën ajrore të vendeve të Aleancës. (Sipas Darren Jones, Sekretarit të Përgjithshëm pranë kryeministrit Starmer, duke folur në Parlament, do të ketë edhe një fushatë sensibilizuese për vendosmërinë e publikut për të përballuar situatat e luftës.)

Qëllimi do të jetë që të ndihmohen britanikët e thjeshtë të kuptojnë masat e thjeshta që mund të ndërmarrin përpara çrregullimeve potenciale në rast sulmi. Mes rreziqeve janë sulmet kibernetike që mund të shkaktojnë ndërprerje masive të energjisë elektrike, të furnizimit me ujë të popullsisë, sinjaleve telefonike apo aksesin tek marketet ushqimore lokale. Ndërkohë do të ketë udhëzime për shkollat dhe kolegjet se si të mësohen fëmijët të qëndrojnë në vende të sigurta gjatë rasteve të emergjencave dhe në kohë lufte. (Në dokumentet zyrtare të mbrojtjes në Britani, në rast të një lufte bërthamore, këshillimet mbeten sekrete dhe nuk përfshihen në regjistrin e publikuar të përditësuar nga autoritetet së fundmi, por besohet se janë masa që tashmë adoptohen edhe në vende të tjera evropiane.)

Media britanike zbuloi para dy vjetësh se Britania nuk kishte një plan të mbrojtjes kombëtare dhe Libri i Luftës i qeverisë ishte në sirtar që nga koha kur përfundoi Lufta e Ftohtë.

 

Lini një Përgjigje