Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka dalë me një njoftim lidhur me lirimin e të burgosurve që kanë përfituar nga amnistia penale. 553 persona të dënuar përfituan lirim të menjëhershëm, ndërsa 863 persona të dënuar përfituan zbritje të dënimit.
Në njoftim, Drejtoria e Burgjeve thekson se përfundoi sot me sukses procesin e zbatimit të amnistisë penale në të gjitha Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale pas ndërmarrjes së të gjitha procedurave administrative dhe ligjore të nevojshme për garantimin e një zbatimi të njëtrajtshëm në të gjithë vendin.
Sipas njoftimit, procesi u zhvillua në koordinim të plotë me të gjitha institucionet penitenciare, duke respektuar me rigorozitet kriteret dhe procedurat e përcaktuara në ligj.
“Zbatimi i amnistisë në të gjitha institucionet penitenciare u përmbyll pa problematika, duke garantuar rendin, sigurinë dhe respektimin e plotë të procedurave ligjore. Strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe të IEVP-ve ishin të angazhuara gjatë gjithë procesit për të siguruar një administrim korrekt dhe transparent të çdo rasti.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve shpreh vlerësimin për angazhimin dhe profesionalizmin e të gjithë punonjësve të sistemit penitenciar, të cilët kontribuan në realizimin me sukses të këtij procesi me rëndësi të veçantë”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Lini një Përgjigje