Policia e Elbasanit ka bërë bilancin e punës gjatë intervalit kohor maj-qershor.
Drejtues Fatmir Hoxha në një konferencë për shtyp tha se janë arrestuar 63 persona ndërsa në kërkim janë shpallur 365 të tjerë.
“Gjatë kësaj periudhe janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, 428 raste të veprave penale, nga të cilat janë zbuluar dhe dokumentuar 427, ose 99.76% e tyre. Janë proceduar penalisht 448 shtetas, nga të cilët 63 janë arrestuar në flagrancë, 16 janë ndaluar me urdhër të Prokurorisë, 4 janë shpallur në kërkim dhe 365 janë proceduar në gjendje të lirë.
Është zbuluar dhe dokumentuar plotësisht autorësia për 45 raste të veprave penale kundër personit dhe 47 raste të veprave penale kundër pasurisë”, tha Hoxha ndërsa theksoi se janë zhvilluar 14 operacione policore.
Ndërkohë gjatë këtyre operacioneve Hoxha shtoi se janë sekuestruar: 1 kilogram lëndë e dyshuar narkotike Heroinë; 50.4 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa; 177.7 gramë lëndë e dyshuar narkotike Kokainë; 1 armë zjarri (automatik); 2 armë zjarri (pistoleta); 14 automjete të tipeve të ndryshme; 1 motomjet; 43 celulare; 4 peshore elektronike; 2740 euro; 119 600 lekë; 15 paunde; 20 franga zvicerane; 290 dinarë; 249 steka me cigare; 1 armë e ftohtë (thikë).
“Gjithashtu, është ekzekutuar vendimi i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për vendosjen e sekuestrove preventive mbi disa pasuri me vlerë 225 000 euro, që dyshohet se janë përfituar nga veprimtari kriminale”, tha ai teksa shtoi se vijojnë kontrollet në zonat me risk për kultivimin e bimëve narkotike.
Një vëmendje e veçantë Hoxha thotë se iu është kushtuar pikave dhe zonave më të frekuentuara turistike të qarkut, ku gjatë muajve maj dhe qershor është evidentuar rritje e fluksit të turistëve.
“Duke pasur parasysh rritjen e ndjeshme të fluksit të automjeteve në qarkun Elbasan, gjatë sezonit veror, shërbimet e Policisë Rrugore kanë intensifikuar monitorimin dhe kontrollet në akset rrugore të qarkut, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore”, nënvizoi Hoxha.
Problemtikë mbetet respektimi i Kodit Rrugor, thotë Hoxha ndërsa bën apel për drejtuesit që t’i respektojmë ato.
Policia Rrugore ka evidentuar 121 raste të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor. Gjatë kësaj periudhe, fatkeqësisht kanë ndodhur 3 aksidente rrugore me pasojë humbjen e jetës. Një apel të veçantë dua t’iu drejtoj qytetarëve që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, për të parandaluar aksidentet, por dhe për të kontribuar pozitivisht në menaxhimin e trafikut. Çdo shkelje që cenon jetën, shëndetin apo sigurinë e qytetarëve do të trajtohet me seriozitet maksimal dhe në përputhje me ligjin”, tha ai.
Lini një Përgjigje