Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, ka urdhëruar inspektim në Drejtorinë Vendore të Policisë, Korçë, lidhur me ngjarjen në qytetin e Pogradecit, ku humbi jetën pas një konflikti 42-vjeçari Eglin Proga.
“Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit do të vlerësojë të gjithë tërësinë e veprimeve dhe reagimit të punonjësve të policisë, prej momentit të parë të marrjes së njoftimit mbi ngjarjen, duke synuar nxjerrjen e përgjegjësisë dhe personave përgjegjës, nëse rezultojnë të tillë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Shkak u bënë lajmet dhe dyshimet e hedhura nga disa media ditën e djeshme, se Policia kishte fshehur krimin e vrasjes dhe mbrojtur autorin e sulmit fatal, që është i afërm i zyrtarëve të lartë vendorë.
Më herët policia vendore e kishte mohuar përfshirjen e efektivëve në fshehje të provave, duke specifikuar se menjëherë pas ngjarjes identifikuan dhe ndaluan 29-vjeçarin Denis Meçi, si të dyshuar. Bashkë me të u arrestuan dhe tre persona të tjerë që kanë penguar zbulimin e krimit.
Lini një Përgjigje