Festivali i këngës “Luleborë” këtë vit shënon edicionin e tij të 10-të, duke u rikthyer si një ndër ngjarjet më të rëndësishme muzikore të Shkodrës. Pas disa javësh të hapura për aplikime, tashmë ky proces ka përfunduar dhe interesi ka rezultuar i lartë sipas drejtueses së kulturës në Bashkinë e Shkodrës, Sara Smaja.
“Festivali “Luleborë’ një traditë tashmë e Shkodrës, ka pasur një prurje shumë të madhe të këngëve”, u shpreh Smaja.
Smaja shton se tematika e këngëve që do të prezantohen është e larmishme, duke pasqyruar krijimtari të reja që lidhen si me motivet tradicionale, ashtu edhe me frymën moderne.
“Tematikat janë të larmishme dhe këtë vit ka një tendencë që të gjitha këngët të sillen rreth Shkodrës. Duke qenë se është dhe 10-vjetori i festivalit mendoj që do të jetë një festë e vërtet”, tha ajo.
Aktualisht festivali ka hyrë në fazën e përzgjedhjes së këngëve dhe artistëve që do të marrin pjesë në skenë, ndërsa organizatorët shprehen se edicioni jubilar synon të sjellë një nivel edhe më të lartë artistik e kulturor.
- RTSH-
Lini një Përgjigje