80 vjecarja libohovite që shkruan për dashurinë…

20 Tetor 2023, 18:23Kulturë Nga Kristo  MËRTIRI

                       80 vjecarja libohovite që shkruan për dashurinë…

 

“Nëse njeriu nuk ndjen as kënaqësi as dhimbje, as hidhërim as shpresë, një gjë po ju them me ndershmëri dhe bindje : lëreni të vdesë”. Këtë thënie poetike agolliane kujtova menjëherë  para ca kohësh, kur një grua e fisme libohovite që sapo ka mbushur të tetëdhjetat, më dërgoi 2 romane të saj për Dashurinë. Bashkë me dy shënime të posacme te secili. Ja njëri: -Më gëzove që të kishin pëlqyer poezitë e mija…S’mund të harroj lotin e qelqtë, të thinjur, që rrëshqiti ngadalë me një mall sa një oqean, për nënën tënde që s’e ke më pranë”. E lexoj jo rrallë, sa herë ndalem e meditoj te krijimtaria e saj, te fjala e ëmbël, e shtruar, plot dhembshuri e dashuri njerëzore. Ajo ka vite e vite që nuk pushon së punuari mbi letër. Së pari me vargjet, me poezinë që i buron pashtershëm. Qysh në vajzëri, në rini, në pjekurinë e plotë dhe gjer në moshën e bardhë. Vecse, sic thekson me të drejtë miku im i vjetër e zemërkulluar, gazetari e redaktori i njohur i “Zërit të Rinisë”, Petrit Bezhani, ajo ka bërë e bën pjesë te ata autorët e heshtur të letërsisë, tek të pabujët e aspak pendëfryrë a nopranë. Të thjeshtë e të drojtur, modestë e që nuk vrapojnë asnjëherë drejt botimeve rrufe të cdo rreshti të shkruar. Jo se nuk janë të guximshëm a të sertë në krijimtari. Pena të tilla e duan emrin e tyre, dinjitetin e personalitetin e tyre të shëndetshëm. Dhe nuk e nxjerrin kollaj si në tezgat e “pazarit të Roskovecit” dhe as për të bërë reklamë rakitike e fluturake nëpër stenda panairesh a ekrane vezullimesh boshe. Sepse sidomos gjatë 3 dekadave të fundit, c’nuk na kanë parë sytë me botimet rrumpallë ! Ekonomia e tregut, (më saktë: kapitalizmi shqiptar) i hapi udhë e pa udhë parasë e jo cilësisë në botimet lumë. Por lexuesi ynë i kulturuar, përgjithësisht ka ditur t’u vërë brrylin. Kashtën e ka lënë në mullarin me kashtë ! Ka përzgjedhur e përzgjedh autorë vendas e të huaj, shtëpi botuese serioze, redaktorë e përkthyes të mirënjohur. Pa u rrëmbyer e dehur pas kopertinave farfuritëse, sikur të ishin në paradë mode ose në dyqane a sallone bukurie. E kanë thënë të zgjuarit: Jo cdo gjë që ndrin është ar !

                        Këtë të vërtetë e di mirë edhe 80 vjecarja Violeta Mita (Bejleri), të cilën e njoha në një veprimtari të Shoqatës Patriotike-Kulturore “Avni Rustemi” në Tiranë. Më kish folur gjatë e ngrohtë për mësuesen veterane, Ajazi, nipi i Avniut të pavdekshëm. Kur iu lutën të recitonte një nga dhjetra e dhjetra poezitë e saj, u ngrit në këmbë dhe me një ngjyrë të purpurt mbi fytyrën e paqtë, zgjodhi dicka që e ka përjetësisht në zemër e mendje : Mallin për Libohovën ku qau dhe qeshi për herë të parë ! Ky qytet ia prish shpesh gjumin e ëndrrat edhe në këtë “kohë anginash e tështimash”. Mjaft motive poetike të saj, atje i kanë rrënjët, te ato rrepe e burime gurgullimë në shekuj. Te ai truall lavdimbuluar në histori. Te cdo gur e plis ku gjallon fëmijëria, vetë jeta me dallgë e pa dallgë. Është dritë e udhëve të secilit në këtë botë të krokolepsur. Kudo që ta degdisë fati. Njëzet vjet më parë, Violeta botoi edhe librin “60 poezi në 60 vjetor”. Vendosi të mos i mbante më në sirtar a sënduk. Sic bëri një ditë në 1999. Një e nga një. Ja titujt: “Dashuri në dallgë”; “Lisi dhe manushaqja”; “Era e ndryshimeve”, “Duaje dashurinë”etj. A e dini kush ia përgatiti Parathënien dhe Kopertinën e romanit të fundit ? Blerina, ish nxënësja e saj, sot pedagoge në Akademinë e Arteve ! Një surprizë e këndshme dhe kënaqësi jo e zakontë për cdo punëtor të Arsimit e të Diturisë. “Mësuese Violeta me natyrën e saj të butë, paqësore, me humor shumë të hollë, rebele në mënyrën e saj, thyen mentalitete, e shikon cdo gjë me sytë e dashurisë. Mjeshtre e krahasimit, e simbolikës, vëzhguese e mprehtë e natyrës, e jetës së përditëshme, e fenomeneve sociale…”, shkruan Blerina Pagria. Me lirikën, me optimizmin e saj, edhe në hallet më të mëdha arrin të shohë dritë në fund të tunelit…

                        Sepse ndonjë medie elektronike vazhdon të rendë më tepër pas “sensacionit” për të thithur me bollëk klikime, sic bënë 3 vite më parë me kapelet e ndryshme të Violetës(?!). Edhe për këtë pasion personal të thekur, moderatorët i “kujtoi” një ish kabinë elektrike e sajuar si banesë, ku ajo jeton e punon në Kryeqytet. Kështu që nga koha e rënies biblike të Piramidave kucedra në ’97-ën ! Humbi catinë, por jo toruan. Dhe as optimizmin për jetën me të përpjeta e tatëpjeta. Bashkë me dy djemtë e nuset. Duke u falur mirësi e dashuri. Falë duarve të saj, ish kabina elektrike u kthye në fole të bukur e të ngrohtë familjare. Sikur e harroi rrokullimën zezonë të “kështjellave” financiare. Shikon vetëm përpara.  Një dashuri e vecantë, një prush që nuk shuhet kurrë edhe kur shëtit nga Liqeni e këndon perlat e Tefta Tashko Kocos së famshme. E adhuron pa masë. E interpreton si të ishte në skenat profesioniste. Kështu bënte edhe me nxënësit e kolegët e shkollave 8 vjecare “Misto Mame”, “Lidhja e Prizrenit”, “Servete Maci (Kongresi i Përmetit), “Jeronim De Rada” dhe te “Hasan Vogli” ku i ra për herë të fundit ziles drithëruese të vitit shkollor. Ish nxënësit e duan njëlloj “mësuesen simpatike me kapele” që u dha dituri e dashuri.

                        Rrodhën mbi tre vite nga publikimi televiziv dhe intervistat brënda ish kabinës elektrike. Emisione që janë ndjekur nga shikues e dëgjues përtej Shqipërisë sonë. Por pushtetarëve lokalë e qendrorë nuk u lëvizi qerpiku !? Ajo është atje, brenda 23 metrave katrorë për mbi 25 vite. E vetmuar, por jo e harruar nga njerëzia, shoqëria e miqësia. Dhe sidomos nga Shoqata “Avni Rustemi”, që do i festojë ditëlindjen e tetëdhjetë. Pa fanfara, pa podium e lektoriume tërkuzë, por me shpirtin libohovit të mirënjohjes për bijat dhe bijtë që nderojnë cdo moshë. Dhe sic shkruan vetë Violeta Mita(Bejleri), “Një zemër që s’ka dashuri, është si guri…Në vatër, kur s’ka flakë, ka prush që e mban nxehtësinë gjatë”, “Jeta pa dashuri është pleqëri” etj. postulate origjinale. Gati cdo mëngjes vishet ndryshe dhe ditën e re e pret dhe e përcjell ashtu si di vetëm ajo. Këndon dhe shkruan për Dashurinë. Për një 80 vjecare është e rrallë. Prandaj edhe është e cmuar. Në fund të fundit, sic thoshte Seneka, nuk është i varfër ai që ka tepër pak pasuri e katandi. Por ai që ka pak dashuri dhe shumë makutëri. E kush nuk i ka kënduar kësaj teme dhe muze të përjetëshme ! Vecse Violeta e ka njohur herët vetveten. Nuk ka sharë e mallkuar kurrë në jetë. Edhe buzëqeshja e saj rinore flet shumë. E ka zemrën të qetë dhe të mbushur nga cicërimat e nipave e mbesave brënda e jashtë mëmëdheut në mërgim. “Dashuria është hapësirë dhe kohë e matur me zemër”. Vallë, kush e tha i pari ?...Edhe veprimtaria e Shoqatës Patriotike “Avni Rustemi” pranë ish stadiumit “Dinamo”, ka mjaft dashuri, mirënjohje, sinqeritet, dinjitet e respekt të pamatë për këtë aktiviste jo dosido, mësuese të palodhur e krijuese të pazhurmëshme. Vetëm Dashuria të bën të flasësh e të shkruash vazhdimisht edhe te një dhomë e sajuar në një ish kabinë elektrike. Pa studio, pa llampadarë e salltanete ! Cdo njeri paska fatin e vet…

                        Shkurt, në pleqëri dashurojmë që të jetojmë ! Kaq tha i mencuri i mocëm. Dhe sot kemi nevojë më tepër për t’i ngritur himn mirësisë e dashurisë. Në cdo moshë…  

3 Komente

  1. A
    Ajaz Rustemi

    Shkime i sinqerte qe ka trjtuar autori i saj gazetari i mirenjohur zoti Kristo Mertiri per zonjen Violeta Libohoviten 80 vjeçare qe banon ne Tirane , nje shkrimtare qe ka pelqyer te qendroj ne” hije” me punen e saj qe mbase botimet e saj pak munde te njihen ne publik se ajo nuk rende per reklame por shpiti i saj artistik qe eshte dashuruar me letersin qe ne rinin e hereshme te saj e ka ushqim shpirteror e te vazhdueshem ate sa dhe tani ne kete moshe qe eshte vazhdon te shkruaj , ku se shpejti do te botoj dhe dy romane te tjera. Shkrimi i Zotit Kristo Mertiri per mua eshte nje shkrim per tu pergezuar se nje tematik te tille qe ngre ai rradhe here e shikon per te thene te verteten qe ato mungojne fare ne kete kohe ne shtypin e shkruar. Sinqerisht te uroj zoti Kristo qe pena e dora jote te na gezojne me tema te tilla , large fasades per gjera te medha por per njerez si rasti qe ke trajtuar ne kete shkrim e qe ka me qindra por qe presin ne heshtje doren e gazetarve profesioniste per ti botuar Respekte !

    1. P
      Palusho

      Na rrofsh bythen per vjeshte mo Ajaz Mertiri me gjithe kete Kristo bythen?! Mos e ul vleren kaq poshte ndonese dihet se nuk e ke.

      1. J
        Josif Shukallari 25 tetor 2023.

        Te lumte pena, dora e mendja z kristo Mertiti, shendet e suksese ne vazhdim ju uroj, respekte per ju dhe z Violeta Mita pleqerine e mire i urojme!!!

        Lini një Përgjigje