Në një epokë të përkufizuar nga shpejtësia, ku vëmendja sa vjen e bëhet më e fragmentarizuar dhe konsumi kulturor reduktohet gjithnjë e më shumë tek përmbajtja e shkurtër, institucionet e ndërtuara mbi bazën e thellësisë dhe reflektimit përballen me një sfidë serioze. Opera ndoshta më shumë se çdo formë tjetër arti gjendet në qendër të këtij tensioni.
I ftuar në Apostrof Podcast, drejtori i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, Aulon Naçi, ofron një këndvështrim të rrallë se si këto institucione po gjejnë rrugën e tyre në një peizazh kulturor kaq të paqëndrueshëm përmes reflektimit dhe rikalibrimit.
Ndryshe nga trendet e vërejtura në Europën Perëndimore, ku mosha mesatare e audiencës është e vjetër, duket se në Shqipëri ka një përmbysje demografike në këtë aspekt, pasi shfaqjet po ndiqen nga audienca gjithmonë e më të reja. Është një “anomali” aspak e rastësishme, që reflekton një prirje më të thellë kulturore: dëshirën e fjetur të gjeneratave të reja për hapësira që i bëjnë rezistencë shpejtësisë dhe cektësisë së jetës digjitale.
Naçi thekson se një rol ka luajtur edhe aksesueshmëria. Pozicioni i teatrit në qendër të qytetit, por edhe çmimi mjaft i përballueshëm i biletave i kanë ulur barrierat. Megjithatë, ky fenomen tregon diçka edhe më strukturore, se teatri jo vetëm që po i konkurron platformat digjitale, por në disa aspekte funksionon edhe si kundërpeshë e tyre.
Sezonet e kohëve të fundit flasin për një gatishmëri për t’i shtyrë këto limite. Bashkëpunime të profilit të lartë, produksione mjaft kërkuese dhe një përqëndrim i ndaj veprave me autorë shqiptarë, janë tregues të një përpjekjeje për ta zgjeruar fushën e veprimit.
Përtej administrimit, biseda zhvendoset drejt identitetit paralel të Naçit si kompozitor. Ai thotë se për të, kompozimi është një formë ariketkure muzikore, brenda së cilës bashkëjeotjnë disiplina teknike dhe impulset emocionale. Për Naçin, frymëzimi nuk lind në izolim, por shpesh formësohet nga tensionet sociale, përvojat personale dhe momentet historike.
Në fund, dilema nëse opera dhe baleti mund të mbijetojnë në epokën e shpejtësisë dhe vëmendjes së fragmentarizuar, rikorinzohet, pasi teatri nuk është një vend statik ku depozitohen arritjet e të shkuarës, por një organizëm i gjallë që reflekton, përthith dhe iu përgjigjet tensioneve të së tashmes.
Në këtë kuptim, fati i operas lidhet jo vetëm me rezistencën e saj, por veçanërisht me psikologjinë në ndryshim e sipër të audiencës.