
“Mosha e pafajësisë”, shkruar nga Edith Wharton është një roman për xhelozinë, obsesionin dhe “mollën e ndaluar”. Ai është romani me të cilin autorja fitoi çmimin Pulitzer dhe mbahet si një prej klasikëve të letërsisë botërore dhe veçanërisht asaj amerikane.
Romani nuk është nga romanet kryesore dhe tradicionale që “i këndojnë dashurisë” por është një roman përshkrues i dashurisë, është një roman realist dhe i endur me një frymë realiste pa elemente fantastike dhe madje i konceptuar jo në frymën e hershme të ndërtimit të një narrative. Pa asnjë deus ex machina.
Njulend Arçeri është një i ri me perspektivë, një burrë që e ka të shtruar rrugën e jetës në shoqërinë e lartë, ai vjen nga shoqëria e lartë, do të martohet me një zonjë të shoqërisë së lartë dhe e cila do të rrisë fëmijët e tij me të njëjtën traditë si ishin rritur ata.
Por hija e skandalit trazon martesën e tij dhe jetën e të gjithëve. Një femme fatale vjen në qytet, Elena. Ajo menjëherë kthehet në një mollë të ndaluar për Arçerin dhe ai arrin t’i fitojë zemrën.
Ato vendosin të arratisen bashkë por gruaja e Arçerit i thotë që është shtatzënë. Ai vendos të qëndrojë për hatër të fëmijëve. Vite më vonë, Arçeri i mbyll përfundimisht derën kësaj zemërthyerje. Në fund të librit, i thotë djalit të vet, që i ngjan atij vetë tmerrësisht shumë, të shkojë të vizitojë Elenën, ai vetë shikon nga një vend aty afër.
Libri është shkruar me një stil mjaft tërheqës dhe është përkthyer në shqip për shtëpinë botuese Pegi nga përkthyesi i madh shqiptar Amik Kasoruho.
Lini një Përgjigje