Çajupi: Mëmëdhe të dua kshtu si je

22 Korrik 2025, 15:46Kulturë TEMA
Çajupi: Mëmëdhe të dua kshtu si je

E dashura mëmëdhe,
të dua dhe kshtu si je!
Po kur të të shoh të lirë
do të të dua më mirë.
Qani pyje, fusha, gurë,
qani male me dëborë!
Shqipëria mbet e gjorë
dhe nuk sheh dritë kurrë;
një mjegull e keq’ e shkretë
e ka mbuluar përjetë!
Një gazep, një errësirë,
vetëtit edhe gjëmon!
Rrojmë me zemër të ngrirë,
nga frika kërkush s’gëzon!
Njerzit kurrë s’këndojnë
dhe bilbiletë vajtojnë!
Qiameti, shkretëtira!
Zogu vetë zë folenë,
njeriu lë mëmëdhenë,
se mbretëron egërsira!
Për Shqipëri dëshirojmë
se në vend të huaj rrojmë.
Robërinë si duron,
o moj Shqipëri e mjerë?
Shpëtove vende të tjerë,
vetë nën zgjedhë rron!
Shqipëtarë bëni benë
të lëftoni për atdhenë.
E dashura mëmëdhe,
të dua dhe kështu si je!
Po kur të të shoh të lirë,
do të të dua më mirë!
*Titulli i origjinalit: “Robëria”

2 Komente

  1. L
    Laura

    Poeti i preferuar i nenes time, vecanerisht kjo poezi.

    Përgjigjjuni
    1. b
      ben

      Eshte poeti i preferuar per te gjithe shqiptaret.

      Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje