Akademia e Shkencave me të drejta të plota në Shoqatën Evropiane të Rrjetit Tematik të Bioteknologjisë

12 Shtator 2025, 10:03Kulturë TEMA
Akademia e Shkencave me të drejta të plota në Shoqatën

 Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi dhe prof. dr. Oscar Vicente Mana, zëvendëspresident i EBTNA-s, nënshkruan marrëveshjen për anëtarësim institucional dhe bashkëpunimin ndërmjet Shoqatës Evropiane të Rrjetit Tematik të Bioteknologjisë dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, Akademia e Shkencave e Shqipërisë do të ketë përfaqësim në Asamblenë e Përgjithshme të EBTNA-s dhe do të gëzojë të drejta të plota për të marrë pjesë në iniciativat e saj.

Sipas marrëveshjes, palët do të bashkëpunojnë në organizimin dhe promovimin e përbashkët të ngjarjeve shkencore, përfshirë kongreset, workshop-et, simpoziumet dhe leksionet publike, aktivitetet sociale dhe akademike, pjesëmarrjen në rrjete kërkimore europiane dhe ndërkombëtare dhe projekte bashkëpunimi të koordinuara nga EBTNA e më gjerë.

Ceremonia u mbajt në kuadër zhvillimeve të Kongresit Europian të Bioteknologjisë 2025, i cili mbahet për herë të parë në Shqipëri, në datat 11-13 shtator 2025.

Në këtë kongres marrin pjesë rreth 200 kërkues, lektorë, përfaqësues të industrive (ushqimore, farmaceutike, mjekësore), studentë të profileve të ndryshme, që kanë objektiv të studimit të tyre drejtimet e bioteknologjive mjekësore, farmaceutike, mjedisore, bujqësore, industriale, shtazore, akuakulturë etj., nga vende të Bashkimit Europian, vende të Ballkanit Perëndimor, Kanadaja, Izraeli, Australia, Kina etj. /atsh/

Lini një Përgjigje