Akuarele nën dritën e prillit

18 Korrik 2025, 15:40Kulturë TEMA
Akuarele nën dritën e prillit

Nga Namir Lapardhaja

(Shënime për poezinë e autorit Yzedin Hima)

Duke lexuar librat poetikë “Homazh erës”, “Duart”, “Trill” dhe “Pak kohë mbaj në duar”, krahas poezive meditative, takon mjaft poezi që, teksa i lexon, të shfaqen imazhe plot ngjyra që të kujton një art tjetër të ngjashëm me artin poetik, pikturën.

Simbolistët e famshëm francezë, me tekstet e tyre poetikë, provuan se fjalët janë edhe ngjyrë, edhe muzikë, edhe aromë, madje kanë te vetja edhe dritë, edhe terr. Natyrisht, magjia poetike qendron te zgjedhja e fjalëve dhe renditja e tyre në ligjërimin poetik. Më vonë, strukturalistët frëngë do të theksonin se shkrimtari, poeti nuk bën zbulim, nuk shpik fjalë e figura, ai thjesht lexon në gjuhë. A nuk janë të gjitha fjalët e një libri poetik te fjalori i gjuhës përkatëse?!

Po mund të bëjmë një shpjegim paksa semplist: a nuk gjenden të gjithë gurët në natyrë me të cilët u ngrit katedralja?! Po cila është merita e mjeshtrit që ngriti drejt qiellit atë ndërtesë të mrekullueshme dhe misterioze që e ka emrin katedrale, e cila shkaton mahninë e brezave që e vizitojnë dhe e kundrojnë?!

Pikërisht magjia qendron te përzgjedhja e gurëve, ngjyrave të tyre, te skalitja sipas imagjinatës së mjeshtrit. Edhe më i rëndësishme është procesi i vendosjes së gurëve. Duke i vendosur atje ku duhet, ata i japin vlerë njeri- tjetrit në formën e bukur, por edhe kuptimin për të cilën ngrihet katedralja.

Edhe te shkrimtari dhe poeti mjeshtëria qendron te përzgjedhja e fjalëve në fjalor sipas konceptit që do të ndërtosh me këto fjalë, te vendosja e fjalës atje ku duhet, te përdorimi i vetive të fjalës për të cilat shkruam më lart, me të cilat krijohen figurat letrare dhe evokohen imazhe, gjithashtu, ndërtohen larmi kuptimesh.

Akuareli është një fjalë e mbartur nga piktura, e cila realizohet me bojra uji. Në pikturë akuarele janë vizatime të thjeshta plot ngjyrë, përgjithësisht, realizuar nga impresione të çastit drejtpërdrejt nga natyra. Edhe tekstet poetikë që emërtohen akuarele janë impresione të çastit të vizatuara me fjalë, duke përdorur aftësinë e fjalës për të sjellë imazhe plot ngjyra.

Poezia e shkurtër me titullin “Dimër” e nëntitull “akuarel” ndërtohet me këto ngjyra: e verdha (gjethet), e kuqja (gjethet, plagët), e zeza (toka), e bardha (bora, fashat), e verdha, e kuqja dhe e zeza të përflakura dhe më pas të shndërrura në të bardhën që mbulon edhe tokën edhe plagët:


sa shumë gjethe kanë rënë këtë natë
mbi tokën e ngjethur që u përgjak
pastaj nisi të bjerë bora e parë
lehtë-lehtë si fashat mbi plagë


  Po kuptimet ku janë, mund të pyesë dikush. Po edhe ato gjenden te teksti, por mund të gjendeshin edhe te lexuesi, i nxitur nga teksti. Habia të vargu sa shumë gjethe kanë rënë kë të natë mbart dhimbjen për diçka që ka rënë, është rrëzuar, është ndarë, gjethet në natyrë, për shkak të shoqërimit të ideve, të shfaqet tërësia e ndarjeve, ikjeve, largimeve.

Pse përdoret fjala fasha?

Është një mjet që përdoret në mjekimin e plagëve. Atëherë lexuesi kujton plagët e tij apo të tjerëve që jeta i shkakton. Plagët janë te kurmi i njeriut, por gjenden edhe te “kurmi” i natyrës. Në fundvjeshë natyra zhvishet, bëhet gri. Nga mungesa e gjelbërimit shfaqen plagët në natyrë, shkaktuar nga dukuritë natyrore, por edhe nga dora e pakujdesëshme e njeriut. Bora vjen si mjekim, si shpëtim. Sikurse fashat që mbulojë plagët, bora mbulon natyrën e zhveshur, plagët e saj.

 Krahas lojës së ngjyrave, te akuarelet poetike, autori ndërton figura letrare befasuese që e bëjnë plasticitetin e ngjyrave mjaft shprehës gjatë lëvizjes së tyre harmonike, si teksti poetik “Vjeshta në mëngjes”. Nëse dimri është përgjumje, vjeshta është sina e lëvizjes, trishtimit dhe ikjes. Imazhi është plot impresione: drita e shndërruar në mace që ndjek terrin ngjyrë miu, dimri burrë i ashpër i zhvesh nudo pemët, ndërsa gjethet e mbathjeve ua lë ndër këmbë. Pemët nudo shëtin të penguara në park.

 Më tej evokohen foletë bosh nga ikja e zogjve, bashkë me ikjen e njerëzve, kanë mërguar edhe rrugët, sepse rruga bosh nuk mund të jetë rrugë, madje dhe jorgani ku fle vajza është shndërruar në gri, duket sikur edhe gjethet, lulet, zogjtë e pikturuar në të kanë shtegtuar larg, duke lënë pas grinë, si ngjyrën e trishtimit. Te e gjithë kjo pikturë fjalësh ndihet dhimbja vjeshtore nga kuja e erës deri te grija e mbulesave:


 ti fle e qetë nën kujën e erës
harruar nën rrobat e hirta
te ky mëngjes vjeshta dhemb
te foletë bosh te ndarjet e trishta


Në fund të tekstit poetik kemi dy vargje domethënës, ku thuhet se në vjeshte të gjithë, edhe natyra, edhe njerëzit vdesin nga pak. Rruga vdes pa zërat dhe gjurmët e njerëzve, sikurse natyra shnërrohet në natyrë mort nga ndryshku i gjetheve të rëna, dikush ka përcjellë të dashurën për studime dhe me ikjen e saj ka vdekur paksa:


u tretën zërat e ngrohtë në rrugë
dhe rrugët plot zhurmë ikën larg
në këtë vjeshtë plot ndryshk
ne të gjithë vdesim nga pak


Te poezia “Perëndimi” sërsh kemi vizatimin e perëndimit të diellit me penelata fjalësh të shpejta. Ngjyrat që evokohen janë blu, e kuqe, (deti i përflakur), e kaltra (qielli), e kuqe e fortë (dielli në perëndim), Vjollcë e fortë (derti si dhimbje e fshehur te shpirti i arixhiut), mavi ( brenga e arixhiut). Natyrisht, ngjyrat përzihen me njera tjetrën duke krijuar nuancat e perëndimit të diellit në bregdet.

Krahas ngjyrave në këtë poezi akuarel kemi edhe muzikën që del nga pipëza e sajuar me lëkurën e shelgut lotues, me të cilën arixhiu përcjell brengën e tij në ajrin e muzgut. Ka një paralelizëm figurativ midis dukurive të natyrës dhe atyre njerëzore. Pranvihet shelgu lotues, që fare mirë mund të thirret edhe shelgu vajtues me arixhiun, këtë banor të lirë, forcë e natyrës, që çdo ditë mbijeton në luftë të përherëshme për jetën. Kur bëhen bashkë ( arixhiu dhe lëkura e shelgut lotues) përftohet një melodi e trishtë, sa gati harron bukurinë e perëndimit të diellit dhe të shfaqet imazhi i një deti tjetër, deti i derteve të arixhiut.

Ndërsa dielli ulet, melodia vajtuese e pipzëz krijon iluzionin se dielli nuk do zhytet në horizontin e detit në perëndim, por në detin e derteve të arixhiut:


me lëkurën e shelgut lotues
ajrin e ngjyen me brengë
një arixhi
teksa dielli bie e zhytet
në detin e derteve të tij


Në një tekst tjetër poetik, me titull “Mars”, vizatohet ardhja e pranverës duke përdorur sërish një paralelizëm figurativ. Akujt kanë mbërthyer gjithçka dhe pranvera duket larg, ndonëse jemi në mars, aty ku takohet dimri me pranverën. Qielli i marsit nis të marrë dritë dhe yjet shfaqen me dritë të qartë, sikur kanë çelur rishtas nga lëkura yjore dhe bëlbëzojnë një gjuhë kozmike. Vetëtimat duken si fakse që qielli i dërgon tokës për ta njoftuar se një stinë e re po afrohet. Toka poshtë hesht e ngrirë. Befas akujt nisin të krisin e thyehen, jo më nga moti, por nga shpërthimi i gjoksit të vajzave, si një dukuri fort e besueshme se po vjen pranvera, stina e shpërthimit dhe lulnajës. Ka një marrëdhënie paqësore midis qiellit dhe tokës, teksa nis loja e tenisit midis pellgjeve dhe qiellit me topa hënorë. Akuareli është ndërtuar në ngjyra të bardha e të kaltra ( borë, akull e qiell), të cilat përshkohen herë pas here nga ngjyra e kuqe e vetëtimave:


  në mars yjet çelin prej lekurës kozmike
  dhe qielli belbëzon një gjuhë kristaline
  teksa tokës i dërgon ca fakse vetëtimash.
            ndërsa ajo hesht e ngrirë
  akujt krisin nga shpërthimi i gjoksit të vajzave
  dhe toka zgjohet nga gjumi dimëror
  pellgjet dhe qielli luajnë tenis me topa hënorë


Në një akuarel poetik tjetër me titull “Mëngjes i thyer”, duket sikur qielli është thyer dhe copat e tij kanë rënë në tokë. Në këtë marramendje shfaqen vajzat që vrapojnë duke mos i ndjerë këmbët e përgjakura nga qelqet e kaltra qiellore. Poezia nuk ka substancë kuptimore dhe një destinim tipik estetik:


  copëra qielli kanë rënë mbi asfalt
vajzat vrapojnë e qeshin si të marra
me këmbët e përgjakura
nga qelqet e kaltra


Ndërsa akuareli poetik “Pranverë” ndërtohet me një imazh prilli: me shi, brekosa që marrosen në koncertin e tyre në pellgje dhe nata që afrohet si vejushë e re. Koha praverore trazon gjithçka edhe flokët e pyllit, edhe bretkosat edhe vejushën e re që ende nuk është shndërruar në natë. Nata duke ardhur krahasohet me vejushën e re: as dritë as terr, as ditë as natë. Ngjyrat janë të pranishme, sikurse në çdo akuarel: e bardha e ditës që po ikën, e përhimta e muzgut që po bie, e gjelbërta e pyllit me të artën e pikave të shiut, dritëhija e vejushës, me të kaltrën e pellgjeve dhe qiellit ende në muzg dhe në fund e bardha e fortë e agut. Gjithë imazhi shoqërohet nga kori i brekosave. Në këtë mjedis shpërthyes pranvere pellgjet shndërrohen në disqe me muzikën e brekosave dhe nuk ka gjumë as për natën, as për vejushën:


flokët e gjelbër pylli
  i ter në erë
  pas shiut të rimët
  si vejushë e re nata u shfaq
  dridhen e dridhen disqet e pellgjeve
  e nën korin e bretkosave
  harbon nata (vejusha) deri në ag


E lamë për në fund një tjetër tekst poetik, ku pas imazhit fshihet një mesazh i fortë. Sërish kemi një natë pa hënë, me kalimtarë të vonuar, pyll të errët, bli të vetmuar dhe dritë të mekur yjesh që ua hollojnë paksa terrin njerëzve që ecin në natë. Kjo dritë yjesh që vjen nga lart, krahasohet me shpirtin e poetëve që kryejnë të njëjtin mision me këtë dritë yjesh: t’ua hollojnë paksa terrin udhëtarëve në shtegtimin e tyre. Ata nuk qendrojnë në qiell, por në tokë, qendrojnë si pemë bliri në pyllin e errët, duke bërë dritë arti që ndriçon shpirtrat e njerëzve:


  Yjet dalin netëve
kalimtarëve të vonuar
ua hollojnë paksa terrin
ndonëse drita është e paktë
ndonëse yjet janë larg
si drita e shpirtit të poetit
bli i vetmuar
në pyllin e errët


Një tekst akuarel i titulluar “Prill” është nyjëtuar si një prozë poetike, plot ngjyra e kuptime të fshehura pas simbolesh:
Është prill. Pellgjet duke parë qiellin e trazuar shqetësohen.Vajza e bukur shkon të lahet në pellgun pranë shtëpisë së saj. Pastaj nisi të krehë flokët e gjatë duke u parë në pellgun e kristaltë. Në sfond ka qiellin, ku shtegtojnë e shtegtojnë retë. Është aq e bukur sa edhe pellgu ngjethet, kur fytyra e saj bie në ujë.
Qielli dhe fytyra qiellore e vajzës e ngjethin pellgun. Retë e bardha lëvizin mbi pellg si sfond i fytyrës së bukur të vajzës. Metafora pellgu ngjethet e bën të besueshme fjalën e bukur. Më pas dëgjohet thirrja: Anaaaaa! Pikërish ky zë shkakton shdërrime të ethshme:


Një zë i fortë i thirri: AaaaaNaaa! Ajo u tremb.Pellgu u drodh. Shtjella e bukurisë së vajzës u pre. Teksa vajza u largua , shtjella e bukurisë dridhej e dridhej në gji të pellgut. E pastaj… një nepërkë e bukur, fort e bukur, nisi të fërgëllonte në ujin e ergjendtë.


Nepërka është simbol i njohur në ligjërimin poetik folklorik. Vajza shdërrohet në nepërkë: e bukur, elegante, e zhdërvjelltë, por edhe e rrezikshme. Shndërrimi ndodh në pellg, aty ku fytyra engjëllore përzihet me re të bardha, qiell të kaltër, ujë të kristaltë dhe zë njerëzor si ndalesë apo edhe si dhunë. Ekuacioni formon Anën, vajzën e bukur:


moj nepërka pika-pika,
të vrava më vraftë pika,
me një shufër të godita…
Nepërka u largua dhe pellgu u tha
Ana + qiell + re + frikë + pellg+ brengë = nepërkë e bukur pika-pika...


Largimi i së bukurës shterr pellgun bashkë me retë, qiellin dhe ujin e argjendtë. Thatësira është plagë e tokës së braktisur nga e bukura.

1 Komente

  1. V
    Vala

    Aman o Namir, lere menjane poezine qe na hap barkun ne cdo varg. Publicistika te shkon me shume.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje