Mero Baze: Ani Wilms, një shkrimtare që ka shpëtuar historinë tonë, përmes letërsisë

20 Nëntor 2025, 12:28Kulturë Mero Baze

Mero Baze: Ani Wilms, një shkrimtare që ka shpëtuar

Ka disa vende si Shqipëria, ku historiografia ka dështuar të jetë e drejtë me të shkuarën tonë. Më shumë sesa e padrejtë ka qenë e pafuqishme. Dhe ka një justifikim. Shqipëria ka aq shumë ngjyra në historinë e saj sa nuk mund të vizatohet nga historianët njëngjyrësh që kemi.
Nuk është faji i tyre, është pafuqia e tyre. Pas historianëve edhe publicistët mund të dështojnë për të përshkruar të tashmen që nesër do jetë histori. Dështojnë, pasi edhe ata kanë luksin të përzgjedhin faktet që duan, për të ilustruar ngjyrat që kanë në mendje për historinë. Dhe unë jam një pjestar i racës së tyre.

E vetmja që ka fuqinë e duhur të shpjegojë historinë është letërsia e madhe. Dhe kjo duhet theksuar. Letërsia e madhe, jo letërsia mediokre apo eksperimentuesit e letërsisë. Letërsia e madhe ka fuqinë të jetë e ndershme dhe e drejtë. Ajo nuk vihet në siklet nga faktet, por vetëm nga e vërteta që mbartet përmes  personazheve të mëdhenj që krijon. Dhe kur arrin t’i gdhendë ata, ajo ta përplas historinë me gjithë ngjyrat e saj në fytyrë.

Ani Wilms ia ka arritur kësaj. "Dielli në mërgim", është letërsia më e mirë historike që një lexues shqiptar ka në duar pas Ismail Kadaresë. Është e mirë sepse autorja ka kaluar Rubikonin e talentit dhe nuk ia lejon vetes të jetë e padrejtë me historinë.

Si askund tjetër një lexues shqiptar mund të mësojë në mënyrën më të drejtë historinë tonë përmes historisë së hebrenjve tanë. Mund të mësojë gjithë ngjyrat që ka pasur idealizimi i keqkuptuar i nacionalistëve shqiptarë që në fakt ndjeheshin nacionalistë brenda pushtetit të një fuqie të huaj dhe komunistëve shqiptarë që ndjeheshin çlirimtarë po përmes ndihmës së një ideologjie të huaj. Të dy palët kishin argumentet e tyre dhe keqkuptimet e tyre. Keqkuptimi i nacionalistëve ishte se ata ishin etërit themelues të shtetit dhe duhet t’u besonim, ndërsa keqkuptimi i komunistëve ishte se ata po përballeshin me okupatorët dhe duhet t’i pranonim.

Vizatimi idilik I jetës politike kulturore dhe sociale të Vlorës, Durrësit apo Tiranës në vitet 40, përballja e shqiptarëve me antisemitizmin, dhe ngjyrat e pafundme përmes të cilës kaloi miti I mbrojtjes së hebrenjve nga shqiptarët, që nga ai më I thjeshti deri tek ministrat është një histori që mund ta tregoj vetëm letërsia tani për tani. Më vonë ndoshta mund ta tregoj dhe historia.

Personazhi kryesor Jozefi, një i ri hebre që përballet me lavdinë e emrit të familjes dhe mbijetesën në një atdhe që e quan edhe të tij, lidhjet e tij me Aulonën që besonte te nacionalizmi antikomunist, me Zahon që ishte pjesë e administratës fashiste dhe u bë komunist i rëndësishëm, me Lazarin, kushëririn e Aulonës të kthyer nga Anglia si piktor, por që përfundon si zyrtar i misionit anglez gjatë luftës në përpjekje për të pajtuar partizanët me nacionalistët, adhurimi I tij për Aulonën, pastaj hebrejen mbijetuese Rita dhe përfundimi në mal me partizanët që i donte më pak se këdo tjetër, janë ngjyrat e vërteta të historisë sonë që historiografia na e ka imponuar si film bardh e zi.

Ani Wilms ia ka dalë të jetë e drejtë jo nga dëshira dhe as nga historia e familjes së saj. Ia ka dalë të jetë e drejtë sepse ka kaluar provën e të qenit shkrimtare dhe, duke hyrë në kështjellën e letërsisë, ajo e ka të ndaluar të jetë e padrejtë dhe e njënashme. Vetëm ata që e kalojnë këtë pikë, mbeten në letërsi. Të tjerët mbeten vetëm në librari.

Lexojeni librin e saj, një histori mahnitëse e komunitetit hebre në Shqipëri, e mbijetesës së tyre, dhe s’keni për të njohur aq shumë hebrenjtë sesa shqiptarët me gjithë drithërimat e tyre, me gjithë mizorinë dhe besnikërinë e tyre, me gjithë banalitetin e idealizmit të tyre dhe keqkuptimet me dreqërit e tyre.

Mero Baze: Ani Wilms, një shkrimtare që ka shpëtuar

Është një shteg i vështirë t’ia dalësh të ngjitesh në një majë nga ku mund të tregosh historinë e këtij vendi. Është një shteg ku kanë dështuar historianët që janë sjellë si shkrimtarë propagandistë dhe publicistët që sillen si shkrimtarë bestsellerë. Është një shteg që mund ta kalojnë pa u rrëzuar vetëm ata që janë shkrimtarë të vërtetë, të talentuar dhe të paprekshëm nga balta e kënetës ku jetojmë dhe ku shumica e atyre që vetëcaktohen shkrimtarë duan të pastrojnë historinë e tyre duke bërë pis historinë tonë.
Prej vitesh s’kam lexuar një letërsi kaq të mirë shqiptare për historinë tonë. Është një letërsi që duket se është formuar nën hijen e Kadaresë dhe pushtetit diktatorial që ai ka mbi brezin e ri të talentuar të shkrimtarëve. Ani Wilms nuk do na e zëvendësojë dot Kadarenë, por të jeni të sigurt që do të na e kujtojë atë sa herë ta shfletojmë.

Faleminderit Ani që prite gjatë ta shkruash këtë libër pa u ngutur nga datat e panaireve apo nevoja për publicitet. Gjërat që lindin ngadalë jetojnë shumë gjatë. Fluturat jetojnë vetëm 24 orë.

12 Komente

  1. L
    Lloji

    I ke bërë nje “parathënie” shum interesante, me e pakta na bere kurioz dhe personalisht do e lexoj me deshire…!

    Përgjigjjuni
    1. M
      Mamaljoti

      Beqare është kjo ?….

      Përgjigjjuni
      1. C
        Cfurku

        Po ç'thua o shejtan? Kur u çfaq një francez ne kohën e monizmit në Memaliaj u habit? Uaauu, sa fëmijë ka ky qytet nuk ka në gjithë Parisin.A e di se në qytetin tënd kanë marë titulin "Nenë Heroinë" disa gra se kishin mbi dymbëdhjetë fëmijë dhe kur Shqiperia arriti tre miljon banorë kryeministri i asaj kohe Adil Carçani i ka vëne emrin fëmijës së shifrës.Dhe ti nuk gjënë dot një nuse!!!

        Përgjigjjuni
    2. H
      Hieronymus Posh

      Bukur Mero!

      Përgjigjjuni
      1. B
        Besmiri

        Z.Baze ka te drejte. Eshte shume e veshtire per publicistet, historianet por edhe per shkrimtaret qe ti qendrojne besnik fakteve historike e te mos i shtremberojne ato per shkak te botkuptimit, te ideologjise apo interesit te tyre. Edhe nje nder shkrimtaret me te shquar dhe te dashur per lezuesin si Dritaro Agolli nuk i ka shpetuar kesaj patologjie. madje eshte vete Driteroi qe ka deshmuar vete se si ne vitin 1992 i vjen ne dere nga Amerika Sali Protopapa i vertete qe jo vetem nuk ishte fodull e injorant, pijanec e mishngrenes por kishte mbaruar Hawardin, nuk kishte vene kurre alkol ne goje dhe ishte vegjetarian. kete personazh Driteroi e kishte krijuar me te gjitha cilesite negative sepse armiku i klases per Driteroin shkrimtar duhej te paiset me te gjitha veset e cilesite negative. Ishte e qarte se Driteroi shkrimtar si percues i vijes se partise ne letersi kishte krijuar nje personazh te genjeshtert dhe i kishte veshur bema qe Protopapa i vertete nuk i kishte bere kurre dhe ky roman i kishte shkaktuar shume drama e vuajtje familjes dhe te afermeve te Protopapes gjate 45 viteve komunizem.

        Përgjigjjuni
        1. M
          Mesuesi

          Interesant , te kesh kete ndiesi dhe shije te holle , te shperfaqesh kete emocion dhe guxim qe ta injekton arti I vertete , streha e se bukures , e lirise , e se drejtes dhe e se vertetes dhe ne gjithe perditshmerine tende muzen " E prodhimit " te fjale e , fjalive dhe teksteve te pafund , ta kendellesh ne mocalishten " Mos , o Zot " !

          Përgjigjjuni
          1. L
            Lloji

            Shpresoj te mos jesh vertet mesues/e sepse nuk di te shkruash, ne gjith ato fjale nuk the asgje, monologun ne mendjen tende mos e hidh ketu….. E mos o zot te japësh mesim me te vertet

            Përgjigjjuni
            1. C
              Cfurku

              Mësues, zakonishtë arsyeja përse nuk thotë gjë ai që shkruan, është sepse nuk di ç'të thotë.

              Përgjigjjuni
            2. M
              Mesuesi

              Z. Llojit , faleminderit per verejtjet ! Une nuk jam mesues . KY eshte thjeshte nje pseudonim . Te falenderova , sepse nga teksti Juaj mesova dic nga rregullat e shqipes se shkruar . Respekt , Z. Lloji ! Uroj t'i vazhdosh verejtjet dhe keshillat gjuhesore !

              Përgjigjjuni
              1. J
                JU LUTEM , LEXOMENI EDHE MUA

                E para here qe po shoh nje mirekuptim , falenderim dhe bile respekt nga nje person ( Mesuesi ) , i cili pranon me kulture qytetare shembullore verejtjet qe i behen nga nje komentues dashamires qe e quan vten Lloji . Na ben te mendojme se , ndonse mjaft te rralle , por ka komentues me logjike te ftohte , pa pasione e me kembe ne toke si lule aromatike shpresendjellese per te mos humbur ate pak optimizem qe u ka mbetur shqiptareve ! Respekt per @Mesuesin dhe neveri per lukunine e egersirave , zhulit e banaliteteve qe dominojne komentet .

                Përgjigjjuni
                1. D
                  Dea

                  Shkrimi i Mero Bazes për romanin e Ani Wilms paraqitet në sipërfaqe si ese publicistike mbi raportin historiografi - letërsi, por në strukturë dhe funksion retorik është një parathënie reklamuese e maskuar si tezë teorike. Autori ndërton fillimisht një hierarki absolutiste të mënyrave të njohjes: historianët dhe publicistët shpallen “njëngjyrësh”, të pafuqishëm ose selektivë ndaj fakteve, ndërsa “vetëm letërsia e madhe” shpallet organi i vetëm që e përplas historinë “me gjithë ngjyrat e saj në fytyrë”. Kjo është një aksiomë romantike, jo argument: ajo ngatërron mënyrat e qasjes ndaj së vërtetës, sepse historiografia kërkon verifikim burimor dhe metodë të rreptë, kurse letërsia formulon vetëm të vërtetësi estetike të përvojës! Shkrimtari përkufizohet si “mendje parashkencore”! Fakti që një publicist i përzgjedh faktet nuk e bën letërsinë automatikisht të paanshme, pasi letërsia jo vetëm që përzgjedh, por edhe e trillon dhe riorganizon realitetin. Nyja e dytë retorike e shkrimit të Meros është mitologjizimi i talentit: Ani Wilms “ka kaluar Rubikonin e talentit” dhe, sapo hyn “në kështjellën e letërsisë”, e ka të ndaluar të jetë e padrejtë! Pra paraqitet sikur ‘drejtësia’ historike garantohet apriori nga vetë statusi i shkrimtares. Këtu krijohet një rreth vicioz legjitimimi moral: romani është i drejtë sepse autorja është e talentuar, kurse autorja është e talentuar sepse romani shpallet i drejtë! Nga ana tjetër, Baze e trajton letërsinë eksperimentale si mediokre pa e argumentuar dhe këtë paragjykim personal e paraqet si rregull të përgjithshëm se çfarë quhet letërsi e mirë, pa sjellë prova nga vetë romani. Më tej, shpallja e romanit “më të mirë historik pas Kadaresë” dhe përsëritja e hijes së Kadaresë funksionon si argument autoriteti dhe si lidhje e romanit në fjalë pas modelit më të lartë të kanonit dhe tregut letrar shqiptar. Por disa nga detyrat që i vihen studimit të letërsisë fiksion janë analiza e formës, fokalizimit, konfliktit artistik apo mënyrës së tipizimit. Në vend të këtyre, shprehen superlativa që shërbejnë thjesht si joshje për lexuesit. Kështu, teza e përgjithshme mbi rolin e letërsisë në zbulimin e përvojës historike (që mund të ishte e vlefshme po të argumentohej) kthehet në dogmë që synon t’i japë shkrimit peshë morale, ndërsa qëllimi i tij përfundimtar del i qartë: të krijojë një aureolë vlerore/kanonike dhe emocionale rreth librit dhe të mbyllet me këshillën promocionale “Mos humbni rastin: lexojeni!”. Në këtë kuptim, shkrimi është shembull tipik i ekzaltimit romantik-naiv që shërben thjesht si reklamë, ndonëse e veshur me gjuhë “të madhe” rreth vërtetësisë historike.

                  Përgjigjjuni
                  1. G
                    Genci Shkoder

                    Bravo Mero, è kisha krijuar nje opinion shume te mire per kete roman, I vetmi qe pershkruan sakte shoqerine e larte te viteve 40-45, gjithmone e anatemuar ose e hyjnizuar.

                    Përgjigjjuni

                    Lini një Përgjigje