Kudo ku kanë shkelur, qeniet njerëzore kanë mbartur me vete kulturë – ide, simbole, teknologji dhe zakone. Shoqëri që nuk kanë qenë kurrë në kontakt me njëra-tjetrën, kanë arritur në zgjidhje të ngjashme kur ka qenë fjala për mbijetesë apo për t’u shprehur. Por, ngjashmëria nuk nënkupton izolim. Përkundrazi, ajo tregon për lëvizje dhe migracion të vazhdueshëm.
Siç shprehet edhe antropologu Olsi Lelaj në Apostrof Podcast: “Vetë dalja nga Afrika dhe përhapja Homo Sapiens Sapiens në territore dhe pushtimit pastaj të të gjithë globit, praktikisht është pjesë e këtij rrugëtimi. Emigracioni në anën tjetër është një ndër shenjat kryesore nëpërmjet të cilave njeriu ka mbijetuar, dhe jo vetëm ka mbijetuar, por ka krijuar edhe realitete të mundshme.”
Por, teksa kultura duket se është përhapur gjithnjë përmes kontaktit mes njerëzve, ky i fundit nuk ka qenë gjithmonë i paqtë.
“[Emigracioni] ka krijuar realitete, të cilat e tejkalojnë gati-gati vetë ekzistencën e natyrës. Kultura është mbartur dhe është përhapur nëpërmjet kontakteve që njeriu ka patur me të ngjashmit. Dhe këto kontakte, jo detyrimisht janë kontakte të paqta. Janë kontakte të dhunshme, janë kontakte përplasjesh, janë kontakte konfliktesh. Por sigurisht që, siç thotë Lévi-Strauss, njerëzit kudoherë kanë shkëmbyer tre gjëra mes vetit. Kanë shkëmbyer fjalë, mallra dhe njerëz, pra kryesisht gra në këtë sens, nëpërmjet logjikës së tij të aleancave. Pra, kulturë, mjete prodhimi, ekonomi, dhe mbijetesë biologjike.”
Ndiq episodin e plotë Apostrof Podcast: Trupi nuk është kurrë neutral: pushteti, identiteti dhe ‘politikat e mishit’ | Olsi Lelaj