Gonxhja: Kemi pasur rritje të buxhetit, pjesa më e madhe shkon për kulturën

19 Nëntor 2025, 10:13Kulturë TEMA
Gonxhja: Kemi pasur rritje të buxhetit, pjesa më e madhe shkon

Projektbuxheti për vitin 2026 për Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit synon forcimin e turizmit të qëndrueshëm, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe zhvillimin e kapaciteteve krijuese dhe sportive në vend.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja bëri të ditur se buxheti total i MTKS-së për vitin e ardhshëm parashikohet në 7,4 miliardë lekë, një rritje prej 20% krahasuar me 2025, lajm i mirë ky për kulturën tonë.

“Ky projektbuxhet reflekton prioritetet tona strategjike për zhvillim afatgjatë dhe rritjen e ndikimit kulturor, ekonomik dhe social në vend. Investimi më i madh i dedikohet kulturës, por edhe turizmi, sporti dhe politikat rinore marrin fonde të konsiderueshme për zhvillim dhe përmirësim të kapaciteteve”, tha Gonxhja.

Sipas Ministrit, shpërndarja e fondeve për sektorët kryesorë parashikon për kulturën 4,95 miliardë lekë, që përbën 67% të buxhetit të ministrisë, ose 19,4% më shumë financim krahasuar me vitin 2025.

Për sektorin e turizmit projektbuxheti 2026 adreson një fond prej 919 milionë lekë, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit.

Për sportin 834,6 milionë lekë, me një rritje 32% krahasuar me vitin e kaluar dhe për mbështetjen e rinisë do të financohen 285,8 milionë lekë.

Ndërsa për shpenzimet e brendshme të ministrisë, projektbuxheti parashikon: 2,08 miliardë lekë për paga dhe sigurime. 2,64 miliardë lekë për shpenzime operative.
dhe 2,66 miliardë lekë për investime kapitale.

Ministri Gonxhja theksoi se ky buxhet i dedikohet forcimit të infrastrukturës dhe rritjes së aksesit ndaj kulturës, sportit dhe turizmit, si dhe për zhvillimin e projekteve që nxisin pjesëmarrjen rinore dhe promovimin e Shqipërisë si destinacion turistik dhe kulturor në nivel ndërkombëtar. A.K./TemA

 

Lini një Përgjigje