Fier/ Vihet në skenë komedia "Foleja e ndrikullave"

18 Nëntor 2025, 14:04Kulturë TEMA

Komedia “Foleja e ndrikullave” ishte shfaqja më e fundit e vënë në skenën e Teatri “Bylis” në Fier, nga regjisorja Miola Sitaj, e cila u shpreh shumë entuziaste për këtë shfaqje të mirëpritur nga spektatori fierak.

Fier/ Vihet në skenë komedia "Foleja e ndrikullave"

Gjatë fundjavës së kaluar artdashësit fierakë shijuan një komedi që solli buzëqeshje dhe emocion, duke e mbushur sallën me energji dhe duartrokitje, ku spikati dashamirësia me të cilën aktorët e luajtën shfaqje dhe predispozita e mirë e publikut për ta shijuar atë.

Përmes lojës së bukur, humorit të hollë dhe batutave, komedia “Foleja e ndrikullave” përcolli po ashtu mesazhe të rëndësishme mbi figurën e gruas dhe vështirësitë e jetës modern, kjo ishte një shfaqje ku spikati interpretimi origjinal dhe unik i çdo aktoreje.

Komedia “Foleja e Ndrikullave”, shkruar nga Valentina Dafa dhe e vendosur në skenë nga aktorja dhe regjisorja Miola Sitaj, erdhi nën interpretimin e aktorëve të teatrit “Bylis”, Miola Sitaj dhe Hateme Ruzhdija dhe me skenografi të Elvis Bufit.

Risi e kësaj komedie ishte po ashtu interpretimi i grave dhe vajzave që vijnë nga profesione të ndryshme jashtë skenës, që vetëm sa e bënë shfaqjen më “popullore” dhe më të prekshme për shikuesit.

Regjisorja Sitaj vlerësoi kontributin e Matilda Dushkut, Ardita Dumit dhe Enkelana Ferkos që interpretuan aq bukur në këtë komedi elegante.

“Veç arritjeve në profesionet tuaja ju ishit artistet e qytetit tonë, ku me talentin, dashurinë për teatrin, përkushtimin dhe shpirtin e bukur skalitët personazhet mjeshtërisht dhe dhuruat kënaqësi pafund për artdashësit fierakë”, u shpreh Sitaj. A.K./TemA

 

Lini një Përgjigje