“Ata nuk vijnë në promovimet tona, ne vazhdojmë t’i rrëfejmë njëri-tjetrit vuajtjet tona”
“Rrethimet e Spaçit si rrathët e ferrit të Dantes”, thotë Visar Zhiti i cili na rrëfen atë hapësirë ku njeriu zhvishej nga gjithçka, përveç dhimbjes. Aty ku ai vuajti sepse shkroi poezi.
Kazerma dhe galeria e minierës ishin dy botë të së njëjtës humnerë: të zhveshur si Adami në temperaturat e vdekjes.. secili i burgosur dukej si një Krisht që masakrohej çdo ditë. E megjithatë, mes hekurave të Spaçit, krijimtaria u bë shpëtim. Poezia shkruhej fshehurazi, si frymë që nuk mund të asgjësohej, si ditar shpirti në një vend ku “çdo ditë ishte tmerrësish njësoj, njësoj të tmerrshme”.
Një qiri i brendshëm, që nuk u shua kurrë, ndriçoi brenda tij. Pas burgut, e gjeti veten pa asnjë të drejtë, i mbetur me vetminë, ku miqtë e hershëm në qytetin e Lushnjës kalonin pa e “vënë re”, ata nuk i flisnin dot se kishin frikë. Një kohë prej së cilës ruan kujtimet e tre të rinjve me sy të sinqertë që e deshën dhe e pranuan ashtu siç ishte, “armik i popullit”, pa triskën e frontit.
Poezia e shkruar para dhe gjatë burgut, mbart në vete atë instinkt të çuditshëm: poezia që duhej t’i jepte lirinë, i krijoi robërinë. Por mbetet gjithsesi dëshmia më e thellë e shpirtit.
Visar Zhiti rrëfen jo thjesht si njeri që ka kaluar ferrin, por si krijues që ka mbijetuar prej fjalës, prej poezisë. Si krijues dhe jo si njeri, ai e konsideron burgun “favor”. Ndërsa flet për rrëfimet e dhimbjes në burgjet e Shqipërisë dhe nevojën që ato të dëgjohen jo vetëm nga ata që i vuajtën, por edhe nga shkaktarët e këtyre vuajtjeve. “Ata nuk vijnë në promovimet tona, ne vazhdojmë t’i rrëfejmë njëri-tjetrit vuajtjet tona”.