Prof. as. dr. Muharem Jakupi
Ky shkrim polemizues merr shkas nga tezat e prof. Rexhep Smajlit mbi një “krizë” të standardit (gazeta “TemA”, 16.11.2025). Ndryshe nga kjo diagnozë pesimiste, argumentoj se standardi i shqipes po zgjerohet gradualisht në funksione publike dhe territor, ndërsa dialektet janë ato që kanë hyrë në një agoni të ngadaltë historike nën trysninë e urbanizimit, lëvizjeve demografike intensive dhe shpërthimit të jashtëzakonshëm të komunikimit masiv. “Shqipja e përzier” interpretohet jo si antistandard, por si produkt kalimtar midis përparimit të standardit dhe dobësimit të dialektit. Rreziku real për standardin shfaqet vetëm aty ku ai përjashtohet nga fushat e prestigjit, veçanërisht në diskursin akademik, të zhvendosur drejt anglishtes.
1. Tezat kryesore të prof. Smajlit
Së pari, ai flet për një “shqipe të përzier”, për një ligjërim të përditshëm ku standardi ndërthuret me dialekte, me sociolekte rinore, me vulgaritete, me fjalë të huaja. Kjo gjuhë, sipas tij, po bëhet gjithnjë e më e dukshme në media, në rrjetet sociale, në bisedat publike, deri edhe në ligjërimin institucional.
Së dyti, Smajli flet për “trysninë e vernakularëve” (varietetet e përditshme të ligjërimit bisedor) ndaj normës gjuhësore të njësuar. Kjo trysni, thotë ai, është rajonale, shoqërore dhe breznore: vjen nga dialektet, nga shtresat, nga mosha e re dhe duket sikur e lëkund standardin e kodifikuar në vitet ’70.
Së treti, ai vë në dukje një ulje të përdorimit të shqipes standarde në disa fusha kyçe, sidomos në veprimtarinë akademike: disertacionet, artikujt shkencorë, periodiku universitar shkruhen gjithnjë e më shumë në anglisht, duke e lënë standardin në plan të dytë si gjuhë të mendimit të lartë.
Nga këto tri linja lind ideja e një gjendjeje krizë: standardi, thotë nën zë ligjërata, po tërhiqet dhe po bëhet i pasigurt, ndërsa dialektet, vernakularët dhe “shqipja e përzier” po fitojnë terren. Pikëvështrimi im është i ndryshëm: dinamika e raporteve midis këtyre të folmeve përmes të cilave aktualizohet gjuha jonë është e kundërt. Vëzhgimet e R. Smajlit nuk i pasqyrojnë drejtë proceset dhe prirjet e sotme gjuhësore.
2. Tri shtresat e çdo gjuhe standarde
Siç është vënë re nga studimet sociolinguistike, edhe në komunitetet moderne ku ekziston një normë e standardizuar, tërësia e mënyrave të të folurit shfaqet në të paktën tre stile kryesore: në standardin e kodifikuar, ligjërimin bisedor të përditshëm dhe thjeshtligjërimin, ku dy të fundit devijojnë në shkallë të ndryshme nga norma.
Stili i parë është standardi: varianti i kodifikuar, i normuar dhe i kontrolluar institucionalisht. Në këtë stil hyjnë gjuha e administratës shtetërore, e teksteve shkollore, e shumicës së mediave informative, e ligjeve dhe dokumenteve zyrtare, si edhe e pjesës më të madhe të letërsisë së redaktuar.
Stili i dytë është ligjërimi bisedor i përditshëm: gjuha që flitet në familje, në rrugë, në punë, në rrjete sociale, në shumicën e bisedave televizive. Ky stil nuk është dialekt i pastër, por as standard i rreptë; është një e folme e përzier, ku struktura e standardit ndërthuret me ngjyrime lokale, të shtresës shoqërore, të kulturës dhe të moshës. Pikërisht këtu futen “vernakularët”: mënyrat konkrete të të folurit “në shtëpi dhe në lagje”, që nuk janë as dialekt klasik, as normë e shkruar.
Stili i tretë është thjeshtligjërimi: varianti më i lirë dhe më i çorganizuar i të folurit, tipik për situata shumë informale ose për nënkultura të caktuara urbane, ku norma thyhet pa droje dhe ku marrin më shumë vend vulgaritetet, shkurtesat e tepruara, huazimet e papërpunuara.
Këto tre stile nuk janë veçori e shqipes; ato i gjejmë në çdo gjuhë. Në gjermanisht dallohen qartë Hochdeutsch dhe Umgangssprache; në anglisht kemi Standard English dhe colloquial English. Asnjë shoqëri moderne nuk flet vetëm në standard, as vetëm në dialekt. Variacioni i përditshëm është pjesë përbërëse e asaj që quhet “gjuhë natyrore”.
Sipas kësaj tabloje, prania e një “shqipeje të përzier” nuk është devijim, por strukturë e pashmangshme. E folura e përditshme në Shkodër nuk është ajo e Korçës, Tetovës, Prishtinës apo Sarandës. Por të gjitha këto janë variante të së njëjtës shtresë ‘të mesme’ të të folurit – stilit bisedor – që lëviz midis standardit dhe dialekteve. Vetë fakti që ky stil ekziston dhe “po zë hapësirë” nuk është argument kundër standardit. Përkundrazi, është shenjë se gjuha po funksionon normalisht si sistem në një shoqëri me strukturë të ndërlikuar.
Atëherë, pyetja e vërtetë nuk është: “Pse ekziston shqipja e përzier?”, por “Çfarë po ndodh me raportin midis këtyre tri stileve të të folurit?”. E këtu, siç do të shohim, tabloja të çon në përfundimin se në “krizë” nuk është standardi, por dialekti. Në shoqëritë moderne, stili bisedor i përzier zgjerohet sa herë standardi hyn më thellë në jetën publike dhe sa herë dialektet dobësohen nga lëvizjet demografike. Pra, përzierja është produkt i dy proceseve paralele.
3. Standardi po zgjerohet, nuk po tkurret
Nëse shqyrtojmë jo vetëm zhurmën e sipërfaqes, por strukturën e komunikimit publik, panorama është krejt tjetër nga ajo që sugjeron ankthi për “fundin e standardit”: standardi nuk po tkurret, ai po zgjerohet. Për këtë, mjafton të shohim disa nga fushat themelore të përdorimit të shqipes së njësuar.
1. Gjuha e shtetit dhe institucioneve të larta: në ligjet, aktet normative, administratën publike, në komunikimin zyrtar të bashkive, bankave, gjyqësorit, kompanive të mëdha.
2. Gjuha e shkollës dhe e universiteteve, nga klasat fillore te auditorët: tekstet, programet, udhëzimet, provimet - të gjitha projektojnë normën e njësuar si horizont të detyrueshëm.
3. Gjuha e publicistikës, ajo e letërsisë artistike apo e nonfiksionit - qoftë dhe kur shfrytëzojnë dialektin për efekt stili, “botën reale” e ndërtojnë në standard. Po ashtu, gjuha e mediave dhe e biznesit: gazetat, portalet, reklamat, komunikimet zyrtare të kompanive funksionojnë (me cilësi të ndryshme) shprehen në standard. Edhe aty ku ka gabime drejtshkrimore, askush nuk po shkruan një dialekt “të pastër”; shkrimi mund të bëhet në një standard të rrëgjuar.
Pra, në plan funksional, standardi është më i pranishëm se kurrë. Shpesh ai mund të jetë i varfër, i shpërdorur, por është atje ku merret vendimi, ku firmoset kontrata, ku certifikohet dija. Panorama e gjuhës së njësuar “në krizë” nuk qëndron; ajo e paraqet realitetin të përmbysur.
4. Dialekti si Anteu: kush po vdes realisht?
Nëse një nga llojet e ligjërimit është vërtet në vështirësi sot, ky është dialekti, jo standardi. Dialekti jeton kur është i lidhur me truallin e vet: me fshatin, krahinën, me një mënyrë jetese relativisht të mbyllur në hapësirë e në kohë. Në atë hapësirë gjeografike ai është normë, jo alternativë. Folësi dialektor nuk ka zgjedhje tjetër, ai flet siç flitet në hapësirën e vet të banimit.
Proceset e urbanizimit modern ia kanë ngushtuar ndjeshëm hapësirën dialektit. Lëvizja e rinisë nga fshati në qytet, shkollimi masiv, mediat kombëtare, rrjetet sociale, migracioni i brendshëm dhe i jashtëm tashmë i kanë nxjerrë folësit dialektorë nga mjedisi i tyre natyral. Në qytet nuk ka më “gegnisht të kulluar” apo “toskërisht të kulluar”. Përkundrazi, ka lagje ku takohen të ardhur nga Mirdita, nga Kurveleshi, nga Dibra, nga Myzeqeja. Në këtë mozaik, asnjë dialekt nuk mund të mbizotërojë si normë e vetme.
Këtu mund të përdoret metafora e Anteut. Anteu, për sa kohë prekte tokën, ishte i pathyeshëm. Herakliu e mposhti vetëm kur e ngriti lart, duke e shkëputur nga trualli. Dialektet fuqinë e tyre e kanë pasur për sa kohë që prekin truallin e vet: fshatin, krahinën, komunitetin lokal. Standardi dhe qyteti modern janë Herakliu: i kanë ngritur lart, i kanë zgjidhur nga lidhja me truallin dhe, në ajër, dialektet dobësohen.
Megjithatë, edhe i shkëputur nga baza e vet tradicionale, dialekti nuk shuhet në çast, por hyn në një lloj agonie tepër të gjatë. Nuk e humb menjëherë gjithë fjalorin, tingëllimin specifik, frazeologjinë, por nuk është më gjuhë e plotë e komunitetit. Ai kthehet në rezervuar të mundshëm formash, shprehjesh, intonacionesh, frazeologjish ende në përdorim. Këto shpërndahen sipas një kodi të ri, të ndërmjetëm, të cilin e quajmë “shqipja e përzier”. Mirëpo kjo “shqipe e përzier” nuk është ofertë e dialektit për të zëvendësuar standardin. Përkundrazi, është shenjë se dialekti nuk qëndron më në këmbët e veta.
5. “Shqipja e përzier”: shtresë e pashmangshme dhe shenjë e agonisë së dialektit
Prof. Smajli ka të drejtë kur vëren se ‘shqipja e përzier’ po bëhet më e dukshme: në talk-show, rrjete sociale, hip-hop, humor televiziv, por edhe në biseda publike. Mirëpo kjo rritje e pranisë së saj nuk është as çudi dhe as risi shqiptare. Vetë ekzistenca e kësaj gjuhe të përzier është e pashmangshme: ajo është ligjërimi bisedor, shtresa ndërmjetëse e gjuhës, pa të cilën nuk ka komunikim masiv në jetën e përditshme.
Rritja e saj vjen nga dy procese që ecin paralelisht: nga njëra anë, dialekti humbet folës dhe truall nën ndikimin e urbanizimit e lëvizjeve të vazhdueshme. Nga ana tjetër, standardi - përmes shkollës, mediave, institucioneve dhe kulturës së shkruar - hyn gjithnjë e më thellë në jetën e folësit dialektor. I riu i sotëm nuk ka vetëm ‘gjuhën e fshatit’ në vesh: ai ka vite të tëra shkollimi në standard, lexon, dëgjon këngë, ndjek filma e lajme në gjuhë të njësuar. Prandaj, në të folurën e përditshme, nuk kthehet dot më në dialekt të pastër. Ai ndërton një kod ku skeleti gramatikor është standard, ndërkohë mbi të ngjiten fjalë dialektore, anglicizma, shprehje rrugësh, shpesh vulgarizma. Ky është ligjërimi i përzier: jo zëvendësues i standardit, por një shtresëzim i tij me materiale të tjera.
Këtu del paradoksi themelor: sa më i fortë bëhet standardi në funksionet e tij publike, aq më thellë depërton ai në ligjërimin bisedor dhe aq më shumë e prodhon ‘të përzierën’. Pra, gjuha e përzier nuk do të ekzistonte pa standardin, por as pa dialektin. Ajo është pjella e kësaj bashkëjetese të detyruar në tranzicion historik.
Duhet shtuar edhe një saktësim vendimtar: ‘shqipja e përzier’, ndonëse masive, nuk është homogjene. Ajo nuk flitet njëlloj në Korçë, Tetovë, Strugë, Shkodër, Pejë, Dibër, Lushnjë apo Tropojë. Përzierja merr ngjyresa sipas dialekteve më të afërta gjeografikisht dhe traditës lokale. Kjo do të thotë se ajo ekziston në fragmente rajonale, si një varg variantesh të shpërndara, jo si një kod i vetëm i bashkuar. Prandaj, edhe kur duket në përparim, ajo s’mund të shndërrohet kurrë në anti-standard: është shumë e copëzuar për të marrë rolin e normës. Ajo nuk mund të jetë kurrsesi më ‘e madhe’ se standardi, as më jetëgjatë se dialektet që e furnizojnë. Ajo ngjan me pluhurin e një planeti të thërrmuar: mbush hapësirën me grimca, por s’e krijon dot një trup të ri me gravitet historik.
Pra, nëse diçka është në dobësim dhe shkon ngadalë drejt shuarjes, ky nuk është standardi, por dialekti, së bashku me homogjenitetin e botës së vet.
6. Emigracioni dhe koine-ja e re
Një laborator i posaçëm i këtij transformimi është diaspora. Në Torino, Athinë, Zyrih, Berlin, Toronto, Londër takohen shqiptarë nga çdo skaj: veriorë, jugorë; qytetarë, fshatarë, kosovarë, çamë, malësorë. Dhe flasin me njëri-tjetrin, po çfarë gjuhe përdorin? Nuk përdorin as gegërishten e dikurshme të fshatit, as toskërishten e pastër të ndonjë qyteti; ata përdorin një shqipe të përbashkët, një lloj koine-je të diasporës. Secili lëshon diçka nga dialekti i vet, heq dorë nga ndonjë formë shumë lokale, zgjedh fjalë më të njohura për grupin e gjerë. Në këtë proces, standardi hyn si formë neutrale, si pikë takimi. Ndërsa dialekti hyn si ngjyrë, si shenjë prejardhjeje, si lloj “theksimi”. Po ashtu hyn edhe gjuha e vendit të huaj, me fjalët e punës, burokracisë, përditshmërisë.
Brezi i parë i emigrantëve e mban akoma dialektin më fort. I dyti e njeh shqipen si gjuhë familjare të thjeshtuar, të përzier, ndërkohë që fillon të mësojë standardin nga televizioni e interneti. Kurse gjuha kryesore e shkollës dhe karrierës është italishtja, greqishtja, gjermanishtja, anglishtja. Edhe këtu vlen i njëjti konstatim: dialekti nuk ka ku të zgjerohet. Është pikërisht standardi ai që përfiton sa herë njerëzit kërkojnë një shqipe të përbashkët përtej kufijve krahinorë.
Kësisoj, edhe shqipja e diasporës, sikurse shqipja urbane brenda vendit, është e përzier. Veçse kjo dukuri nuk është shenjë e ringjalljes së dialekteve, përkundrazi, shenjë e agonisë së tyre. Në përgjithësi, sa herë zgjerohet ‘shqipja e përzier’, ndodhin dy procese njëherësh: standardi përparon në territorin dialektor, ndërsa dialekti tkurret si prej eksodit, ashtu edhe prej qarkullimit të lirë të folësve nëpër gjithë hapësirën shqiptare. “Përzierja” është vula e këtij procesi të dyfishtë.
7. “Anglishtja e secilit”; shqetësimi për gjuhën e përzier është artificial
Shumë nga alarmet për “shqipen e përzier” burojnë nga një iluzion: gjasme dikur ka ekzistuar një gjuhë e pastër, homogjene, pa variacion dhe tani asaj po i cenohet pastërtia. Por le të hedhim një vështrim mbi gjuhët e mëdha për të kuptuar se variacioni i përditshëm është norma, jo përjashtimi.
Mund të thuhet se çdo amerikan, kanadez, australian e ka “anglishten e vet”: një e folme që varet shumë nga shteti, qyteti, raca, klasat shoqërore, arsimimi, mosha. Standard English është gjuha e Kushtetutës, e Harvard-it, e BBC-së, e “The New York Times”. Kurse në rrugë, punë, lokale flitet një mesatare e përzier, plot zhargone e largime nga norma. Megjithatë, askujt nuk i shkon ndër mend të thotë se standardi anglez është në prag të shkatërrimit, aq më shumë kur në ato shtete kanë hyrë miliona emigrantë. Anglishtja standarde është kod i institucioneve, kurse gjuha e rrugës, punës dhe lokalit është ‘terren loje’ të vazhdueshme, improvizimi, krijimi.
Po kështu ndodh edhe në gjermanisht, frëngjisht, italisht, spanjisht, rusisht. Shqipja nuk është përjashtim i mallkuar, por pjesë e një tabloje të përgjithshme. Për këtë arsye, shqetësimi moralist për “shqipen e përzier” shpesh është më i madh se sa e meriton fenomeni. Ai vjen nga një nostalgji për homogjenitetin e humbur, por edhe nga mospërfillja e realitetit të gjuhëve të tjera.
8. Huazimet, paradoksi i zhvillimit dhe rreziku i vërtetë
Një element tjetër i “shqipes së përzier” që shpesh përmendet janë huazimet: fjalët e huaja nga anglishtja, italishtja, greqishtja apo serbokroatishtja. Sigurisht që mund të ketë shpërdorime, pompozitet, snobizëm. Por, në plan të përgjithshëm, huazimet janë shenjë e kontakteve, e zgjerimit të botës shqiptare, e nevojave të reja shprehëse.
Këtu qëndron një paradoks që më duhet ta them troç: prania e fjalëve të huaja në gjuhë, kur përtypen, përshtaten dhe bëhen pjesë e sistemit, është shenjë zhvillimi! Ndërsa konservimi i rreptë i gjuhës në format e saj dialektore, pa lejuar asgjë të hyjë, është shenjë moszhvillimi. Dialekti që mburret se nuk ka marrë “asnjë fjalë të re” nuk tregon më pastërti, por izolim. Gjuha që përzien, zgjedh, sistematizon huazimet, tregon se po ecën, se po i përgjigjet botës moderne.
Në kuadrin e kësaj tabloje duhet përmendur edhe një prirje e anatemuar, por me shumë efekt: në kushtet e globalizimit dhe të teknologjive moderne, zhvillimi i gjuhës tregohet edhe nga huazimet e fluksi i tyre. (Jo më kot, shumë kohë përpara, është folur për një reduktim të fortë gjuhësor, gjer në një gjuhë të vetme për krejt njerëzimin!) Sepse huazimet në epokën tonë, në përgjithësi, nuk janë pasojë e nënshtrimeve me dhunë ushtarake, administrative apo psikologjike, por shenjë e hapjes vullnetare të bashkësisë së folësve ndaj botës, e nevojave të reja konceptuale dhe e energjisë së gjallë të sistemit gjuhësor për t’i përvetësuar ato. Dialektet, përkundrazi, e tërheqin gjuhën drejt konservatorizmit dhe mbylljes. Sa më i izoluar dialekti, aq më i varfër bëhet horizonti i tij leksikor. Prandaj shqipja, po të dojë të jetë gjuhë e zhvilluar, nuk mund t’i shmangë dot huazimet moderne, pasi nuk i krijon dot vetë dhe në kohë fjalët e termat që prodhon sot zhvillimi marramendës. Huazimet janë pjesë e rritjes së saj dhe një nga faktorët që priren ta unifikojnë edhe vetë ligjërimin e përzier, mbi bazat e standardit, siç ka ndodhur edhe në periudha të mëparshme historike.
Në këtë dritë, shqipja e përzier nuk është armike e standardit. Ajo është punishtja ku standardi dhe dialekti, së bashku me gjuhët e huaja, riformatojnë fjalorin, stilet, intonacionet. Rreziku i vërtetë nuk është se do të “na prishin gjuhën” fjalët angleze në kafene apo në ligjërime të ngushta. Le të mendojmë si e flasin anglishten, frëngjishten, gjermanishten, spanjishten miliona të emigruar në vendet e origjinës së këtyre gjuhëve. Rreziku është kur shqipja fillon të largohet ose të zbehet nga fushat ku vendoset prestigji social: në shkencë, universitet, kërkim, teknologji, politikën e lartë. Në këtë pikë, R. Smajli ka të drejtë të shqetësohet: përdorimi gjithnjë e më i gjerë i anglishtes në sferën akademike e lë standardin jashtë lojës në domenet e dijes. Por edhe këtu diagnoza duhet saktësuar: nuk kemi krizë të standardit si sistem i normëzuar. Kemi krizë të përdorimit të tij si gjuhë e mendimit të nivelit të lartë.
9. Përfundim
Si përmbyllje, duket se kemi të bëjmë me një keqemërtim. Ajo që sot quhet kalimthi “krizë e standardit” është, në një lexim më të kthjellët, diçka tjetër.
Së pari, është krizë e dialektit: dialekti po humbet truallin, po humbet folësit, po humbet funksionin e tij si gjuhë e plotë e komuniteteve rurale dhe të mbyllura. Në qendrat urbane, ku i drejton sot prirja bashkëkohore folësit e dialektit, ky po mbetet pa burimin e vitalitetit.
Së dyti, është krizë e përdorimit të shqipes standarde në disa fusha të larta, sidomos në veprimtarinë akademike, ku anglishtja duket se po fiton paritetin. Kjo situatë nuk zgjidhet duke anatemuar “shqipen e përzier”, por duke forcuar standardin atje ku ai duhet të jetë më i fortë: kudo ku krijohet dhe zbatohet dija, në diskursin universitar, në mjetet e qarkullimit të mendimit abstrakt.
“Shqipja e përzier” që përdoret sot në bisedat tona është pasojë e këtyre dy krizave, dhe jo shkak i tyre. Është figura e Anteut të ngritur në ajër, pa lidhje me truallin e vet. Në vend që ta dramatizojmë këtë figurë si ogur të zi të shkatërrimit të standardit, më mirë ta shohim siç është: shenjë e një shoqërie që po largohet nga fshati i djeshëm dhe po hyn në modernitetin urban, me gjithë ankthin, përzierjet dhe paradokset e veta gjuhësore.
Lini një Përgjigje