Tirana festoi sot 113-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë në një atmosferë festive. Kryeqyteti është veshur me ngjyrat kuq e zi, ndërsa aktivitete kulturore dhe artistike u zhvilluan në disa prej hapësirave publike të qytetit.
Aktivitetet për Festat e Pavarësisë nisën në orën 10:00, me ceremoninë e Nderimit të Flamurit, ku mori pjesë edhe kryetarja e komanduar e bashkisë, Anuela Ristani.
Për të festuar Festën e Flamurit, qytetarë nga të gjithë trevat shqiptare zgjodhën Tiranën në këtë ditë të rëndësishme, për historinë popullit shqiptar.
Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH) sjell atmosferën festive në sheshin “Skënderbej”, ku dhjetëra qytetarë kanë mbushur sheshin duke festuar shpalljen e Pavarësisë.
Të veshur kuqezinj, fëmijë e të rritur kërcyen e hodhën vallë nën ritme të muzikës popullore, duke i dhuruar Tiranës një spektakël të vërtetë patriotik.
Sot shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit, festojnë 113-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë nga perandoria osmane.
Më 28 Nëntor 1912, Kuvendi Kombëtar i Vlorës, i udhëhequr nga Ismail Qemali, shpalli Pavarësinë, një akt historik që vulosi aspiratat shekullore për liri dhe shtet të pavarur.
Nga ngritja e flamurit të Skënderbeut në Krujë më 28 nëntor 1443, te nënshkrimi i Aktit të Pavarësisë më 1912, kjo datë simbolizon qëndresën, unitetin dhe identitetin kombëtar. A.K./TemA
Bravo Tirana, feste dinjitoze, por te bejme kujdes mos mbi kale te na hype Saliu dhe Rama, se gati jane ata!