nga Xhahid Bushati
Me rastin e 88-vjetorit të lindjes së Shkrimtarit të Madh e të rrallë, ANTON PASHKU -
Shkrimtarin Anton Pashku nuk e kam njohur, ndonëse të dy flisnim dhe shkruanim shqip. E kam njohur përmes veprës së tij, veçanërisht përmes romanit "Oh", të cilin e kam dashuruar që në leximin e parë. Dhe kur shkrimtari njihet përmes veprës së tij, kujtesa dritësohet dhe bisedat me të për letërsinë janë vlera të rëndësishme dhe universi i jetës merr një dimension tjetër. Është një e vërtetë për këtë shkrimtar që, studiuesit dhe kritika letrare kryesisht është ndalur dhe e ka bërë objekt shqyrtimi. Të mos harrojmë se, "Letërsia e Anton Pashkut, kur je në fund, të kthen në fillim, për ta rinisur kërkimin." Prapë më tej ky studiues lidhur me zanafillën e tregimit të tij, na ofron këtë mendim: "Letërsia e Pashkut është në prozë e në dramatikë. Proza e tij, edhe kur ngjitet te zhanri i romanit, ruan përherë farën e tregimit. Teksti dramatik i tij, edhe mbërrin majën e dramaturgjisë shqipe, ruan farën e prozës, në figurë e në strukturë të ligjëratës poetike." Këndvështrimet kanë interesante, substanciale si ajo e prof. Sabri Hamitit, i cili thotë: "Do të pranoja se, "tregimi është thelbi, fara e gjithë veprës letrare të Pashkut. [... ...] Antoni, së pari e së fundi është tregimtar (i madh)." por edhe të zbehta lidhur me dukuritë e kësaj proze; analizat kanë qenë herë të thelluara e herë të cekta. Përse kanë ndodhur? Shkrimtari nuk ka qenë i vështirë me krijimin e tij, por moderniteti që ka sjellë si risi në letërsinë shqipe, tek disa studiues dhe kritika kanë reflektuar mangësi teorike lidhur me kulturën përkatëse të narrativës, kulturës dhe natyrës së llojit të romanit, për ta parë atë si dukuri e re në rrugëtimin e prozës së gjatë. Sado të ndriçohet figura e Pashkut dhe mirë bëhet sepse e meriton, ajo mbetet e paplotë, kur një pjesë e krijimtarisë së tij, ajo e skiçës dhe tregimit për fëmijë mbetet e pastudiuar, me përjashtim të një studimi serioz lidhur me këtë temë të shkrimtarit dhe studiuesit Astrit Bishqemi.
Tani po ndalemi tek libri "Galtina" (Mbetjet letrare me dy shtesa e një bibliografi), që i mblodhim kujdes e fisnikëri studiuesi Shaip Beqiri; Shtëpia Botuese FAIK KONICA, Prishtinë 2005. Nga pasthënia e studiuesit Shaip Beqiri me titull: "Skruta apo sall maja e gjilpërës", në mes të tjerave, lexojmë: "... Anton Pashku në periudhën bibliografike 1955 - 1989 ka botuar 54 tregime, të çilëve u ka bërë 24 variantë të dytë që nuk janë thjesht sall "kthim" në gjuhën e njësuar letrare; një fragment drame dhe dy drama si dhe dy variantët e prozës së tij kulmore "Eklipsi", përkatësisht "Oh". Këtu duhet futur edhe tufzën me 30 skiça e tregime për fëmijë që e mbiquajta "Krahneza". (f. 414). [... ...] "Vjetëve të fundit ia kam përmendur vetëm një herë skicat e tregimet e tij për fëmijë. Po t'i lë ty, më tha krejt papritur, veçse ato duhet të kthehen në gjuhën letrare! Natyrisht që ai këtë punë ma "ngarkonte" mua. Ky është një peng që nuk e përmbusha dot. Nuk më erdhi lehtë që s'e bëra atë punë, pasi m'u duk se më i rëndë do të ishte privimi i lexuesit nga shijimi i gjuhës krijuese autentike të Anton Pashkut në një kohë të caktuar." (f.416). [... ... ] "Fakti se autori ynë la gjurmë sprovash serioze krijuese të kohës së vonë, por që nuk i kurorëzoi ato, flet para së gjithash për kriterin e tij të rreptë dhe kredon estetike që ndoqi me ngulm në gjithë udhën krijuese në ngjitje të përhershme nëpër hejzën e vet." (f.417).
Tani po shënojmë, nga Bibliografia e veprës letrare të Anton Pashkut (1955 - 1989), skicat dhe tregimet për fëmijë që dritësojnë penën e autorit, në rrëfimin e tij duke ndjerë përgjegjësi e njëkohësisht mision për t'i edukuar fëmijët me letrat për fëmijë shqipe. E, ato janë: "Fëmijt bamirës" (nr. 91, 13.XI.1955, f. 9); "Zogu në dritare" (nr. 101, 18.XII.1955, f. 9); "Fëmijt e lagjes sime" (nr. 7, 22.01.1956, f. 9); "Andrra e Afrimit" (nr. 23, 18.III.1956, f. 9); "Puna e shpërblyeme" (nr. 37, 6.V.1956, f. 9); "Kapiten Lulashi" (nr. 65, 5.VIII.!956, f. 9); "Në krahët e nanës" (nr. 93, 11.XI.1956, f. 7); "Mësuese Burbuqja" (nr. 97, 22.XI.1956, f. 7).
Komunikimi im me disa prej skicave dhe tregimeve kaq qenë shumë të dashtuna... Dhe çfarë kam vërejtur?... Karakteristikë e kësaj krijimtarie për fëmijë është konciziteti dhe janë të shkutra. Kanë larmi gjetjesh e formash kompoziçionale: herë skiçë e herë tregim, herë portret i personazhit-fëmijë, herë një copëz ditari, herë një ëndërr, herë kujtime... Rrëfimi, zakonisht, realizohet në vetën e tretë, por pa harruar ndonjëherë edhe vetën e parë. Spikat portretizimi i personazheve deri në detaje, dhe kjo është mjeshtëri e Mjeshtrit Anton Pashku.
Si përfundim, skicat dhe tregimet për fëmijë janë krijime të fazës së parë të krjimtarisë së shkrimtarit Anton Pashku. Edhe pse fazë e parë, krijimtaria është Cilësore. Cilësinë e shumë në mjaft komponentë, por ajo që i bashkon është: prirja e krijuesit Pashku që edhe kjo letërsi të udhëtojë drejt modernitetit. Dhe si e tillë, e në kundrim të asaj që krijoi themi se qe një talent i fuqishëm që në lindje, një MJESHTËR I LETRAVE SHQIPE.
Shënim biobibliografik:
Anton Pashku lindi më 8 janar 1937 në Grazhdanik (katund afër Prizrenit). Nënën, Getën, e kishte nga Zymi, kurse babanë, Tonin (bukëpjekës), nga Karashëngjergji (katund pak më larg Zymit, rrëzë Pashtrikut). Kishte kryer shkollimin e mesëm - Gjimnazin real në Prishtinë. Gjithë kohën punoi në Rilindje, njëherë gazetar, mandej redaktor i Rubrikës së kulturës e në njëzet vjetët e fundit, redaktor në Shtëpinë Botuese "Rilindja". Shkrimet letrare filloi t'i botojë që nga viti 1955. Shkroi prozë dhe drama. Vdiq në Prishtinë, më 31 tetor 1995. Në tregimet e Pashkut dallohen tri qarqe themelore tematike: ai i temës së dashurisë, i vetmisë, të kërkuar dhe të kushtëzuar nga një totalitarizëm; dhe, qarku tematik për dhunën mbi individin. Tregimet e tij antologjike janë: "Nën qarr po rrinte vasha", "Floçka", "Kulla", "Si e përshkroi ëndrrën e vet njeriu me kapelë", "Dy fjalë për një plak dhe librin e tij kushtuar tymit", "Kënaqësitë e Megalopolisit", "Anija e dehur". Me vlera të pakontestueshme artistike, romani "Oh" ka bërë një ndikim të ngadalshëm por të fortë në prozën shqipe, që nga koha e shfaqjes së tij. Dramat e Pashkut "Sinkopa" e "Gof" janë lujatur në Teatrin e Kosovës, në Teatrin ITD të Zagrepit, në Teatrin e Shkupit dhe në teatro të tjera të shqiptarëve. (Nga shkrimi: "Anton Pashku dhe letërsia moderne shqiptare", gazeta Drita, 04.02.2015).
Shala M. Kujtim: Vox-i i Anton Pashkut, Ndërmarrja Botuese "Gjon Buzuku, Prishtinë / Kosovë, 2002; f. 12.
Po aty, f. 11.
Hamiti, Sabri: "Letra shqipe", Dukagjin, Pejë, 1996, f. 169.
Bishqemi, Astrit: Anton Pashku në botën e letërsisë së fëmijëve - Milosao, 06.01.2006.
Shkodër, më 08.01.2025
Lini një Përgjigje