Apostrof/ Alda Bardhyli: Nga Migjeni te Petro Marko — zëri i letërsisë shqipe përtej kufijve

9 Maj 2025, 14:22Kulturë TEMA
Apostrof/ Alda Bardhyli: Nga Migjeni te Petro Marko — zëri i

Në një kohë kur libri duket sikur është kthyer në objekt muzeal - diçka që e admirojmë dhe na pëlqen ta postojmë në profilet tona virutale - lajmi se vepra e Migjenit është përkthyer për herë të parë në gjihën spanjolle është një lajm që përtej rëndësisë kulturore, ka edhe një domethënie simbolike, pasi përbën një akt përkthimi kulturor. Një zhvendosje e zërit të Migjenit nga kufijtë historikë të shqipes drejt një hapësire të re leximi, ku fjala e tij nuk është më një kujtim i brendshëm, por një thirrje e huaj që duhet të tingëllojë e njohshme.

Drejtuesja e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli, e ndau këtë lajm në Apostrof Podcast.

“Vetëm pak ditë më parë kemi kaluar një vepër të Migjenit që kemi mbështetur në gjuhën spanjolle. Migjeni në gjuhën spanjolle ishte një projekt që erdhi në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit, dhe sigurisht që komisioni përkatës, i cili e shqyrtoi këtë projekt, e quajti një vlerë të shtuar për të pasur në këtë gjuhë të madhe një poet si Migjeni.”

Ky përkthim është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për ta nxjerrë letërsinë shqipe nga kufijtë e vet gjuhësorë dhe për ta bërë më të aksesueshme edhe për lexuesit e huaj. Një përpjekje që nuk ndalet te Migjeni. Bardhyli përmend edhe përkthimin në italisht të "Qytetit të fundit" të Petro Markos, dhe më gjerë, idenë që klasikët shqiptarë duhet të jenë të pranishëm në gjuhët kryesore të botës:

“Mendoj që është shumë e rëndësishme që klasikët shqiptarë, nëse mund t’i quajmë të tillë, t’i kemi në disa gjuhë të rëndësishme. Kjo do të ishte shumë mirë jo vetëm për të njohur vlerat e një letërsie, e cila vazhdon të ketë një mungesë në tregun botëror.”

A mund të dalë letërsia jonë nga izolimi i vetvetes pa humbur zërin? A kemi nevojë që bota ta lexojë Migjenin, apo që ne vetë ta rilexojmë me sytë e botës?

Për disa përgjigje rreth këtyre pyetjeve, ndiqni episodin e plotë të Apostrof Podcast nga Bjorn Runa këtë të dielë në kanalin e gazetës TemA në Youtube.

Lini një Përgjigje