Ajo çfarë trashëgojmë nuk është gjithmonë e dukshme. Nuk është gjithmonë një mbiemër, dokument, pronë, apo reputacion. Shpesh, është një ndjesi, një heshtje. Diçka që na ndjek nga një brez tek tjetri.
Në romanin “Në besë të tatuazhit tënd,” gjarpri nuk vjen si simboli biblik i të keqes apo mëkatit, por si diçka më e ftohtë: një trashëgimi që zvarritet dhe ndërhyn heshturazi aty ku nuk i takon.
“Gjarpri përfaqëson trashëgiminë, që shpesh është e barazvlershme me turpin… Mënyra se si [gjarpri] zvarritet, mënyra si kërkon të përfshihet aty ku nuk përket, është simbol i paaftësisë tonë për t’u shkëputur plotësisht nga e shkuara.”
Por a është kjo paaftësi një lloj ndëshkimi, apo thjesht tipar njerëzor? A janë kujtimet tona individuale që na formësojnë, apo ato të tjerëve? Nga ana tjetër, nëse ajo çfarë trashëgojmë nga e shkuara është heshtje, turp, apo frikë, atëherë ç’ndodh me identitetin tonë kur çdo përpjekje për të krijuar një identitet tonin ndërthuret me gjërat që, edhe pse nuk duam t’i përsëritim, nuk dimë si t’i shmangim?
A mund të ndërtojmë ndonjëherë një identitet të qartë, nëse nuk përballemi me trashëgiminë tonë, apo mos ndoshta çdo version i asaj “çfarë jemi”, s’është tjetër veçse përsëritje e asaj që na trashëgojnë brezat e mëparshëm?
Lini një Përgjigje