Arti si lojë e përjetshme midis fjalës dhe shpirtit

26 Tetor 2025, 19:12Blog Nga Namir Lapardhaja

(Shënime për romanin “Egrushja” të shkrimtarit Balil Gjini)

“Unë dhe Gërmëtari vërtet ishim miq qysh nga fëminia, por kishim dy mënyra të ndryshme të shkruari... Unë mendoj se shkrimtari është një lloj tirani: personazhet duhet t’u binden trilleve dhe huqeve të tij, pavarësisht se turma e lexuesve mërmërit e pakënaqur. Gërmëtari e demokratizon librin: bën debate me personazhet, i merr nga dora, madje, kur ia do puna, është gati t’u presë dhe thonjtë e këmbëve. Stili im: popla profetike, gurë gjëmash që rrëzoheshin nga shkarëzimat, diçka që ta hutonte e shastiste lexuesin; rituale magjish, siç bënte Garufulla; i paqartë. Stili i tij: jo popla, por pupla. Një unë i bërë pis, i zhytur në baltën e llucën e mijëra ligjërimeve të tëra...” (Egrushja, fq. 33-34).

 

1.

Balil Gjini nuk synon të lexohet prej të gjithëve. Ai nuk është prej atyre shkrimtarëve që mund të lexohet shpejt, por lipset të përtypet ngadalë. Romani i tij i fundit, “Egrushja” është dëshmi e një përpjekjeje të vazhdueshme për të perfeksionuar stilin, është një përsosmëri përmes një eksperimenti të vazhdueshëm që nuk ka rreshtur së besuari se kjo mënyrë e të bërit art është e vetmja që do t’i mbijetojë kohës në të ardhmen, pavarësisht momentit dhe së tashmes. E gjithë vepra është një rrëfim që e shtron truallin e vet artistik në fushën e një loje midis realitetit, mitit dhe groteskut.

Lënxata, vendi ku zhvillohen ngjarjet imagjinare, e cila del edhe në shumë romane të mëparshme të Gjinit, i shërben autorit si një Makondo, në të cilën koha rrjedh çuditshëm, ndërsa legjendat, gojëdhënat dhe mitet e rrëfyera shndërrohen në fjalë, duke fituar kështu edhe një peshë gati në formë rituale.

Në romanin “Egrushja”, Lënxata nuk është thjesht një toponimi, por një laborator groteskt ku njeriu përballet me versionet e veta më primitive. Burrat e këtij vendi nuk ndjekin më lajmet, por “hemisferat e vitheve të Huldrës”, duke u shndërruar në metafora të një bote që ka humbur busullën morale. Këtu Zoti është zëvendësuar nga instinkti, Zanafilla nga epshi, dhe krijimi nga ripërsëritja mekanike e dëshirës.

Egrushja nuk është vetëm e huaja, ajo që vjen, primitivja dhe e papranueshmja nga pjesa tjetër e shoqërisë, por ajo është njëkohësisht gruaja që tundon, trazon e shkatërron. Ajo nuk është thjesht kryepersonazhi i romanit, por më së shumti është një simbol i rënies njerëzore, tek e cila çdokush sheh veteveten e tij primitive. Egrushaj nuk e sjell mëkatin, por e zbulon atë si diçka që tashmë është bërë natyrë e dytë. Ky është miti i përmbysur: femra që në Bibël ishte fillimi i mëkatit, te Gjini është pasqyra e rrënimit të burrave.

2.

“Egrushja” mund të lexohet edhe si një tekst karnavalesk. Lënxata është vendi ku rrëzohet rendi moral, ku e ulëta përmbys të lartën, ku fjalët e përditshme kthehen në rituale groteske. Kjo është vetë logjika e karnavalit, ku ndodh çlirimi përmes përmbysjes: seriozja përzihet me komiken, e shenjta me blasfemenë, fryma me trupin.

Balili beson te letërsia si lojë dhe në romanet e tij loja nuk është vetëm formë, por edhe njohje. Rrëfimtari i kudogjendur dhe i gjithëditur, ai që “e merr lexuesin prej dore dhe e shëtit në pyjet e rrëfimit”, krijon një fushë loje polifonike, ku shumë zëra, ide dhe mite bashkëjetojnë pa një autoritet të vetëm. Kjo është ajo që Bakhtini e quan polifoni, një shoqëri zërash që flasin për të njëjtin realitet nga kënde të ndryshme. Në këtë lojë, lexuesi nuk është spektator, por pjesëmarrës. Ai duhet të mësojë të ecë në një botë ku gjërat nuk shpjegohen, por ndodhin; ku e shëmtuara flet me bukurinë, ku grotesku fsheh një të vërtetë metafizike. Jo më kot, tek “Egrushja” gjejmë romanin brenda romanit, ku kemi të njëjtën ngjarje për të njëjtin personazh, të rrëfyer nga dy shkrimtar të ndryshëm: Lirimi dhe Gërmëtari.

3.

Në romanin e Gjinit duket se lexuesi nuk është thjesht një dekodues kuptimi, por një bashkëkrijues kuptimi, për shkakun se i gjithë romani i tij është një rrjet shenjash që luajnë me njëra-tjetrën, ku fjalët nuk janë as të pafajshme, as të thjeshta, por ato duket se dalin nga vjetërsitë e gjuhës, duke i hequr pluhurin e harresës. Përdorimi i një shumësie fjalësh të vjetra apo në dukje provokuese apo vulgare, shërbejnë si shenja për të luajtur me lexuesin, duke e përplasur atë me fjalë që e trondisin, e shqetësojnë dhe e përfshijnë, sepse vetëm kështu mund të arrihet kënaqësia e tekstit. Në këtë kuptim, “Egrushja” është një tekst i hapur, një lojë e pafund e shenjave që kërkon një lexues aktiv, të gatshëm për të përtypur kuptimin e fshehur nën shtresat e ironisë dhe të groteskut.

4.

Romani i Gjinit ndërtohet mbi një univers të mbrujtur nga gojëdhëna, arkaizma, mitet dhe bestytënitë e vjetra të traditës shqiptare, kryesisht të vendlindjes së shkrimtarit, por që ai arrin t’i fshejë dhe t’i integrojë në tekst mjaft bukur. Ashtu si edhe në romane të tjera të tij, mitet dhe legjendat nuk shërbejnë si dekor mbushës, por si strukturë thelbësore e vet rrëfimit. Ato i japin veprës një peshë ontologjike, duke e bërë lexuesin të ndjejë se ndodhet përballë një bote që nuk fillon me librin, por që ekziston prej shekujsh dhe vetëm se nëpërmjet rrëfimit shpërfaqet përpara tij. Arkaizmat e gjuhës, ritmi dhe loja e fjalëve apo edhe ndërtimi i figurave, të krijojnë atë që studiuesit e quajnë “memorie kulturore”. Lexuesi nuk po lexon thjesht një rrëfim të ri, por një mit që po përsëritet me fytyrë të re.
Kështu, Lënxata nuk është thjesht një kordinatë gjeografike, por një topos i mitit, një vend ku e lashta dhe e reja, e shenjta dhe e përditshmja, përzihen si në një alkimí gjuhësore.

5.

Në thelb, “Egrushja” është një poemë filozofike mbi njeriun që ka harruar shpirtin dhe kërkon zotërimin e trupit.
Romani i ngjan një pasqyre të thyer, ku çdo personazh reflekton një copë të së vërtetës: meshkujt që kanë braktisur mendimin për instinktin, gratë që janë kthyer në simbole, rrëfimtari që e di gjithçka, por nuk mund ta shpëtojë askënd. Në këtë botë, ironía është mënyra e vetme për të thënë të vërtetën. Dhe Gjini e përdor ironinë si bisturi për të çarë plagët e realitetit të sipërfaqshëm.

Si përfundim, “Egrushja” është një roman për lexuesin që beson te letërsia si akt loje dhe shëlbimi, sepse Gjini nuk shkruan për të treguar histori, por për të rindërtuar botë. Ai ndërton një univers ku fjala është e vetmja gjë që ka mbetur e pastër, dhe ku loja e saj, midis mitit, groteskut dhe poezisë, është forma e vetme e lirisë.

Prandaj, “Egrushja” nuk është thjesht një roman, por një ritual estetik: një rrëfim që fillon me Zanafille dhe mbaron me Apokalips, por që në çdo faqe na kujton se arti i vërtetë nuk është kurrë moralizues, por lojë e përjetshme midis fjalës dhe shpirtit.

1 Komente

  1. Vanitozi

    Mbase dhe gaboj , Po kjo shkarkese eruditi per te nxierre ne pasarele vezullitjen e hireve te Egrushes se B. Gj. , me shume gjasa ka qe , he per he , I vetmi lexues I saj te mbetet vete Z. Balil . Domosdo edhe ndonje I rralle si ju , Z. Namir , qe keni aftesine dhe durimin te shpertheni hermetiken e betonte te kodeve Egrushiane qe autori , sic thote vete , ia poston se ardhmes .

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje