Baba, ne ikëm… Shtëpinë e braktisëm…
Një kohë arixhinjsh jeton gjithë bota,
Dhe foton tënde nga muret e zbritëm,
Si dryn një palë lot vendosëm tek porta…
këm, or ikëm, vendlindjen e vramë,
Në metropole që mblidhen si punë e iriqve,
(E ke parasysh kur e vjelin një pemë
Dhe mblidhet e ngjishet si në vargjet e fiqve?!)
U ngjeshëm këtej nëpër halle të reja,
E humbëm dhe barin, dhe gjumin, dhe këngën,
Gjithçka e gatshme në dyqane luksoze,..
Dyqan psikologu, që të kallais dhe zemrën…
Ne ikëm dhe varrin ta kyçëm në një video,
Të dielën të takojmë në xhamin vizual,
Me mend i vemë lulet, dy lotë, një cigare,
Jetojmë me simbol…në një botë me manual.
Në fshat nuk shkojmë, e kemi me vete,
Tani ne gjithçka e mbajmë në një kuti,
Kjo kutia baba e ka emrin kompjuter,
Në xhamin e tij takon çdo njeri…
Në xhamin e tij gjen nuse, bën dasëm,
Puth djemtë e vëllait në tjetër kontinent,
Dhe nënën e qan nga mijra kilometra
Kur e fusin në varr, me video konferencë.
Ne bashkë do bëhemi kur të vijmë aty poshtë,
Këtu lart u ndamë për jetë e për mot,
S’të shkruaj më shumë, se ti e di mirë,
Qëllova i dobët dhe mbytem në lot.
Nuk dimë ku shkojmë, s’ka kohë të mendohesh,
Nxitojmë nga që thjesht është në modë nxitimi,
Një kohë arixhinjsh jeton sot gjithë bota,
Ik edhe thur kanistra pikëllimi…
Petrit Ruka
Vargje fantastike! Urime Mero, ka nevoje edhe per ndonje varg aty ketu...
Ne nje koment timin per Isamilin theksoj se nuk ishte (I MADHI I VETMI) ,por Shqiperia ka patur ne shekullin e kaluar edhe shume te tjere,si Ruka p.sh.
I paharruari Petrit Ruka në mënyrë poetike, me vargje të lirë, përshkruan një realitet të hidhur të jetës së shqiptarëve në fundin e shekullit të 20 dhe fillimin e shekullit 21. Në pak faqe letre ai, në mënyrë filozofike, tregon jetën plot drama të të gjithë shqiptarëve, të cilët me ndryshimin e sistemit ekonomiko-shoqëror muarën rrugët e mërgimit në të katër anët e botës, duke lënë pas vendlindjen, shtëpitë, zakonet dhe traditat, duke e ndërprerë në mes historinë e zhvillimit të jetës normale në familje, në fis, në shoqëri dhe duke i lënë varret e brezave të tërë në mëshirën e fatit, pa asnjë lloj kujdesi njerëzor. "Biseda" me babain nga "Parajsa" sa e ndjeshme dhe prekëse, është po aq e vërtetë dhe ulëritëse. Braktisja e vendit është vdekje, është shpopullim teritori, që duke ecur me këto ritme, vendi mund të bëhet lakmi e fqinjëve sĥovenë dhe shqiptarët shkojnë drejt asimilimit si komb. Mos qoftë e thënë!