Bajroni vështruar në kontekstin historik e politik

10 Korrik 2024, 19:04Kulturë Dr. Erarba Çiraku

Të interpretosh veprën e Bajronit brenda kontekstit historik e politik të periudhës kur ajo u krijua, do të merrte vlerë në dy drejtime: ndaj krijimit të tij poetik - më specifikisht heroit bajronian; dhe ndaj vetë autoritetit shoqëror/politik të Bajronit. Prandaj dhe jo rastësisht dëshirojmë ta konsiderojmë atë [Bajronin] si poet romantik me nota të theksuara socio-politike, vepra e së cilit, u ndikua shenjueshëm nga konteksti historik, në të cilin ai jetoi/veproi e krijoi. Natyrshëm që çdo poet/filozof [këtu asociimin poet-filozof nuk e kemi vendosur për t’i dhënë ngjyrim alegorik frazës, por për të theksuar fort faktin se çdo poet në thelbin e tij mbetet filozof], duhet kuptuar e interpretuar brenda kontekstit historik në të cilin vepron; gjë që në rastin e veprës bajroniane vërehet dukshëm e spikatur. Vepra më e njohur e tij, Shtegtimi i Çajld Haroldit, nuk do të ishte bërë aq e njohur nëse nuk do të ishte publikuar në atë periudhë të caktuar të luftërave napoleoniane, të cilat po ua vështirësonin tej mase jetën britanikëve të izoluar tashmë në ishullin e tyre. Ata [britanikët] udhëtarët e botës, për shkak të situatës së trazuar të luftës, nuk mund të udhëtonin më aq lirisht sa dikur. E pikërisht shfaqen në horizontin letrar shtegtimet e udhëtarit [Çajld Haroldit], si një fllad lirie. Ishin pikërisht këto rrethana që e bënë aq të famshëm Bajronin si poet te lexuesi britanik e më gjerë. Analiza e veprës bajroniane edhe nën këndvështrimin historik, na zgjeron diapazonin e kuptimit sa më të saktë të poetit dhe alteregos së tij: heroit bajronian. Qëndrimet dhe bindjet e tij politike, Bajroni i përcolli përmes poezisë, e cila u shndërrua në një medium komunikues mes alteregos së tij poetike dhe shoqërisë. Heroi bajronian ishte “avatar” i individit Bajron, një udhëtar i pakohë, mëkatar i fshehtë, në një kohë kur pakkush ishte i lirë të endej dhe kur privatësia ishte nën domenin e moralitetit institucional, ku hendeku mes morales dhe politikes, bëhej gjithnjë e më i thellë. Pikërisht në këtë këndvështrim do të synojmë të interpretojmë/analizojmë Bajronin dhe ndikimin që ai pati me veprën e tij në botën letrare e kulturore të kohës dhe në vazhdim.

Lini një Përgjigje