“Edhe muzika mund të jetë e ndërgjegjshme.” Kjo është filozofia e Barefoot Festival, një ngjarje që këtë vit rikthehet në Tiranë më 17 maj, tek Liqeni Artificial, me një format që sjell për herë të parë në Shqipëri një kombinim midis argëtimit dhe edukimit mjedisor.
Edicioni i sivjetëm është fryt i përvojave të mëparshme, i mësimeve të mbledhura ndër vite dhe një dëshire të qartë për të ndërhyrë aty ku realisht ka nevojë: tek praktikat konkrete të gjelbra në një festival muzikor.
Përveç muzikës live, DJ-ve dhe zonës së krijuar për art, punëdore e ushqim të mirë lokal, këtë vit Barefoot Festival vjen me disa risi, si gotat e ripërdorshme, përmes një sistemi depozite që promovon kthimin dhe përdorimin e shumtë të një materiali të vetëm, por edhe zona e edukimit përmes workshop-eve interaktive, e cila i përfshin fëmijët dhe të rriturit në aktivitete krijuese përmes ripërdorimit.
“Barefoot Festival nuk është thjesht një event, është një mundësi për të treguar se si veprime të vogla e konkrete mund të sjellin ndryshime kulturore afatgjata”, shprehet Esmerina Hidri, koordinatore e Circular City Labs Tirana. “Për herë të parë në Shqipëri po integrojmë një sistem ripërdorimi në një festival, duke e kthyer qëndrueshmërinë nga thjesht një ide e bukur në një praktikë të përditshme.
Përmes nismave si Circular City Labs Tirana dhe me mbështetjen e GIZ po ndihmojmë bizneset, institucionet dhe qytetarët të rimendojnë si konsumojmë, shijojmë dhe bashkëjetojmë në hapësirat publike. Nis me një gotë, por mentaliteti është ai që bën diferencën.”
Edhe pse në dukje një festival cool, me muzikë të bukur e pije, Barefoot Festival s’është thjesht një vend për të dëgjuar muzikë.
Është një hapësirë ku natyra, arti dhe ndërgjegjësimi takohen në mënyrë të qetë, të bukur e të vërtetë. Këtë vit, në kuadër të Circular City Lab Tirana, ky festival vjen si një bashkëpunim midis Barefoot & TOK DGTL, në bashkëpunim me Destil Creative Hub, Co-PLAN dhe Universitetin POLIS, të cilët ndër vite kanë identifikuar hapësirat ku mund të ndërhyhet me praktika konkrete e të zbatueshme të gjelbra në një kontekst komuniteti.
Komponenti i Ripërdorimit në festival mbështetet nga Circular City Labs Tirana, një nismë e përbashkët e Bashkimit Europian dhe Qeverisë Gjermane, që implementohet përmes programit Circular City Labs Project, EU4 Circular Economy and Livable Cities dhe EU4Innovation, në partneritet me Bashkinë e Tiranës.
Lini një Përgjigje