Në Bibliotekën “Zoja e Shkodrës” u promovua libri “Drita e Shejzave”, përmbledhja e plotë e publicistikës së Ernest Koliqit për periudhën 1957-1974. Botimi i përgatitur nis me parathënie nga Ardian Ndreca.
Studiuesi thekson se vepra ofron një panoramë të plotë të mendimit dhe krijimtarisë së Koliqit përgjatë afro 20 viteve, duke pasqyruar lidhjen e tij me atdheun, kulturën shqiptare dhe zhvillimet e kohës.
“Është një përmbledhje me shumë rëndësi sepse jep një panoramik të mendimit politik letrar të Koliqit në një hark kohor prej gati rreth 20 vitesh”, u shpreh studiuesi Ardian Ndreca.
Botuesi Frano Kulli e cilësoi këtë vepër një ngjarje të veçantë kulturore, pasi për herë të parë publicistika e Ernest Koliqit vjen e mbledhur e plotë në një vëllim të vetëm.
“Në 31 vite punë në këtë fushë gëzime të tilla kam provuar rrallë, Koliqi është ai personazhi i kulturës shqiptare i papërsëritshëm”, tha botuesi.
Në aktivitet morën pjesë studiues, intelektualë dhe dashamirës të librit, të cilët vlerësuan rëndësinë e këtij botimi për njohjen dhe rivlerësimin e trashëgimisë së Ernest Koliqit. A.K./TemA
Lini një Përgjigje