Dita e Shën Kozmait, u zhvillua ceremoni në kishën historike të manastirit në Vuno

25 Gusht 2025, 11:08Kulturë TEMA
Dita e Shën Kozmait, u zhvillua ceremoni në kishën historike

 Besimtarët ortodoksë kremtuan dje ditën e Shën Kozmait, një nga shenjtorët të cilit i janë kushtuar më shumë kisha e manastire në mbarë vendin.

Një ceremoni pelegrinazhi u mbajt edhe në kishën historike të manastirit të Shën Spiridhonit në Vuno të Himarës.

​Liturgjia Hyjnore festive u krye nga Hirësia e Tij, Mitropoliti i Apollonisë dhe Fierit dhe Mëkëmbës i Mitropolisë së Shenjtë të Gjirokastrës, Hirësi Nikolla. Bashkëmeshuan përgjegjësi i kishës së shenjtë, Atë Evthim Bixhili, si dhe priftërinjtë nga Himara, Atë Joan Merkuri dhe Atë Harallamb Gjoka.

Në njoftimin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, thuhet se ​“besimtarë nga Vunoi dhe zonat përreth, erdhën për të nderuar kujtimin e shenjtorit, mësimet e të cilit mbeten të pashlyeshme në kujtesën e të vjetërve dhe u përcillen brezave të rinj”.

Gjithashtu, në këtë pelegrinazh mori pjesë edhe kryetari i Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo.

“Prania e sotme kryepriftërore dhe e pushtetit vendor, së bashku me lutjen e përbashkët, përbënë një kujtesë të fuqishme për identitetin ortodoks, historinë shekullore dhe praninë e vazhdueshme të Orthodhoksisë në rajonin e Himarës, si dhe për besimin e palëkundur të këtij populli ndaj traditave të tij”, thuhet në njoftim.

​Në predikimin e tij, Hirësia e Tij, Mitropoliti Nikolla, iu referua gjerësisht jetës dhe mësimeve të shën Kozmait, duke theksuar lidhjen e tij të drejtpërdrejtë me popullin, besimin dhe arsimin në këtë zonë. Ai nuk la pa përmendur ngjarjet e mrekullueshme që tradita lokale ruan dhe i lidh drejtpërdrejt me besimin tonë: që nga mrekullia me lëndën e drurit që u gjet në bregdet për ndërtimin e çatisë pas nxitjes së shenjtorit, deri te profecia e famshme që lidhet me qiparisin që mbin në mënyrë të mrekullueshme mbi kambanaren e gurtë, shkruan atsh.

​Historia e kësaj kishe, që daton në vitin 1778, është në vetvete një dëshmi besimi. Tradita thotë se shën Kozmai i nxiti banorët të ndërtonin kishën me gurët që kishin, duke i siguruar se Zoti do të kujdesej për lëndën e drurit. Dhe vërtet, një anije e mbytur solli në bregdet materialet e nevojshme, duke bërë të mundur përfundimin e veprës.

Lini një Përgjigje