Në një punishte të vogël në qytetin e Lezhës, mes penjve shumëngjyrësh dhe grepave, 31-vjeçari Anton Tate i përkushtohet një pasioni të veçantë, punimeve me grep dhe në tezgjah, duke thyer kështu tabunë se këto punë janë për gratë.
“Sot e shoh të arsyeshme që t’i kushtohem një pasioni që e kam pasur që i vogël dhe një ëndërr për ta realizuar”, u shpreh ai.
Me profesion, Antoni është kuzhinier, por këtë aktivitet që e ka nisur prej një viti synon ta kthejë edhe në një mundësi biznesi.
“Është një ëndërr shumë e madhe. Por ngadalë po i rregullojmë gjërat. Tani që kam takuar Terezen , jam plotësuar, të paktën profesionalisht.
Në këtë rrugë po mbështetet edhe nga mjeshtrja e njohur e artizanatit në Lezhë, Tereze Gega.
“Me thënë të drejtën kur Toni erdhi këtu dhe më tha, ‘se kam shumë dëshirë’, se ai ka prirje edhe për stilist ashtu edhe për punë dore, pse jo të krijojë një firmë si Giorgio Armani me shokë”, tha Tereza.
Me durim dhe përkushtim, Antoni po i jep jetë një tradite të vjetër artizanale. Ndërsa pasioni për punën me grep mbetet motivimi i tij më i madh për të vazhduar përpara. A.K./TemA
Lini një Përgjigje