"Project Hail Mary" thyen të gjitha rekordet e arkëtimeve

30 Mars 2026, 17:34Kulturë TEMA
"Project Hail Mary" thyen të gjitha rekordet e arkëtimeve

Aktori i njohur Ryan Gosling vazhdon të mbetet i paprekshëm në “orbitën” e arkëtimeve kinematografike në Amerikën e Veriut. Filmi i tij më i fundit fantastiko-shkencor, “Project Hail Mary”, ku ai luan rolin e një profesori të thirrur për të shpëtuar njerëzimin, ka ruajtur fort vendin e parë në Box Office gjatë fundjavës së tij të dytë të shfaqjes.

Sipas të dhënave të fundit, filmi arkëtoi 54.5 milionë dollarë këtë fundjavë, duke e çuar totalin e fitimeve në mbi 164 milionë dollarë në tregun vendas.

Një sukses historik për Amazon MGM Studios

Ecuria e “Project Hail Mary”, me regji nga dyshja fituese e çmimit Oscar, Phil Lord dhe Christopher Miller, po rezulton e jashtëzakonshme. Vetëm dhjetë ditë pas debutimit, filmi ka lënë pas ecurinë e hiteve të mëdha të viteve të fundit si “Oppenheimer” (2023) dhe “Dune: Part Two” (2024).

Me këtë ritëm, ai është zyrtarisht filmi me fitimet më të larta në historinë e Amazon MGM Studios, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm të mbajtur nga “Creed III” (156.2 milionë dollarë). Ekspertët e industrisë parashikojnë që arkëtimet të arrijnë në rreth 265 milionë dollarë, të ndihmuara edhe nga fluksi i pritshëm i shikuesve gjatë fundjavës së ardhshme të Pashkëve.

Renditja e Box Office, animacioni triumfon, horrori dështon

Pjesa tjetër e tabelës së klasifikimit tregon një panoramë të larmishme të preferencave të publikut, me surpriza si nga tregu ndërkombëtar ashtu edhe nga ai i pavarur:

“Jumpers”, filmi i animuar i Pixar (Disney) me regji nga Daniel Chong, vazhdon të mbajë një performancë të qëndrueshme. Ai shtoi 12 milionë dollarë këtë fundjavë, duke arritur një total prej afro 139 milionë dollarësh pas një muaji në kinema.

Vendi i tretë (zhgënjimi i javës)

Komedia horror-aksion “They’ll Kill You”, me protagonistë Heather Graham dhe Patricia Arquette, pati një debutim të dobët. Prodhimi i pavarur arkëtoi vetëm 5 milionë dollarë në SHBA dhe 9 milionë në nivel global, shumë larg parashikimeve fillestare prej 20 milionë dollarësh.

Një sukses i paprecedentë vjen nga Bollywood-i. Aksion-thrilleri “Dhurandhar: The Revenge”, pavarësisht kohëzgjatjes së tij prej 4 orësh dhe shpërndarjes së kufizuar, fitoi 5 milionë dollarë të tjerë. Me një total prej 23 milionë dollarësh, ky është rezultati më i mirë historik për një film indian në Amerikën e Veriut.

Drama romantike “Reminders of Him” nga Universal përmbyll pesëshen e parë. Me 4.7 milionë dollarë arkëtime në fundjavën e saj të tretë, filmi ka kapur shifrën totale prej 41 milionë dollarësh në tregun vendas.

Ndërkohë, vlen të përmendet se filmi tjetër horror i sezonit, “Til Death Do Us Part 2”, ka pësuar një rënie të ndjeshme, duke zbritur në vendin e gjashtë. A.K./TemA

Lini një Përgjigje