Marinela- In memoriam

29 Mars 2026, 19:32Kulturë Ardian Vehbiu

Sot pasdite, më 28 mars 2026, mora vesh që kish vdekur këngëtarja greke Marinela – në moshë të shtyrë, por gjithsesi një nga më të mëdhatë në Greqinë e gjysmës së dytë të shekullit XX e më pas. Nuk e kam njohur si këngëtare, por e mbaj mend mirë vizitën e saj në Shqipëri në verën e vitit 1977 dhe disa koncerte që pat dhënë në Tiranë dhe gjetiu.

Të tjerë më mirë se unë do të mund ta kujtojnë Marinelën për artin e saj dhe rolin që luajti në shkëlqimin e muzikës greke – por në Tiranën e rinisë sime muzika greke njihej shumë pak; mbase ndonjë gjë nga Mikis Teodorakis. Ndryshe do të ketë qenë në zonat e Jugut, ku ndiqej televizioni dhe radioja greke.

Arsyeja që po shkruaj tani është se vetëm dy ditë më parë, në Peizazhe të fjalës, pata nxjerrë një ese me përsiatje për efektin politik të koncerteve të Marinelës në Shqipëri, në kontekstin e zhvillimeve politike të atyre viteve. Për fat të keq, edhe atë herë kur ajo dha shfaqje në Tiranë, unë nuk vajta dot që ta dëgjoja; por më preku vala e muhabeteve dhe e thashethemeve, që shoqëruan ngjarjen.

Vetëm dy ditë më parë. Artikullin – Dallëndyshja e gushtit – mund ta lexoni gjithnjë në revistë.

Ndryshe do të kish qenë, për mua dhe brezin tim, sikur të vinte në Tiranë për të kënduar Iva Zanicchi nga Italia, të cilën e njihnim mirë: do të ishin thyer dyert e teatrit.

Nga këngëtarët grekë që pasuan Marinelën, në vitet e ardhshme, kam pasur fatin të ndjek në sallë vetëm Haris Alexiou-n, në pallatin e sportit në Korçë; një event që veç më bindi nga çfarë po na linte jashtë izolacionizmi kulturor i Hoxhës.

Me sa kam mundur të kuptoj, vizitat e ndërsjella të këngëtarëve dhe të ansambleve ishin pjesë e një marrëveshjeje kulturore me Greqinë; por Marinellën e pat zgjedhur pala greke, që ta thyente akullin. Një zgjedhje e lumtur, për shumë arsye artistike – vetëm pak vjet më parë, ajo kish përfaqësuar vendin e vet në Eurovision.

E thoja edhe në shkrim, se askush nuk e priste, në Tiranë dhe në Shqipëri, një koncert të Marinelës nga Greqia. Ishin vite të zymta, të dhunës dhe të terrorit, të varfërisë dhe të mizerjes kulturore – vite kur RTSH-ja u ofronte shikuesve një meny unike me cule, dele, daulle, karadyzenë dhe qeleshe, aq sa folklori ish kthyer për ne, brezin e ri, në një kolonë zanore torturuese të regjimit.

Ishin vite të zhurmuesve televizivë dhe të kanoçes, që i lejonte njerëzit të ndiqnin programet e “dyshit të sllavit”.

Kisha filluar atëherë të shkoja në një kurs dyvjeçar të kitarës, që organizonte Pallati i Kulturës; me profesor vitin e parë Nesti Uçin dhe vitin e dytë një Aristotel (ia kam harruar mbiemrin), kompozitor korçar, shumë i talentuar, por që vdiq në moshë të re. Por e lashë kursin, kur na futën – pa na pyetur – lëndën e çiftelisë, për të na integruar në atmosferën e kohës.

Po nga ajo kohë mbaj mend një polic, që iu pat afruar grupit të shokëve të mi që këndonin në darkë nga Liqeni, dhe e pat pyetur kitaristin: “Italian je ti, që i bie kitarës?”

Kjo ishte atmosfera kur na sollën Marinelën në Shqipëri. Për të gjithë ne, që muzikën e saj nuk e njihnim, dhe as statusin e saj në kulturën greke, mjaftonte që një këngëtare e huaj, nga një vend kapitalist si Greqia (një vend i NATO-s!) do të vinte të këndonte te ne dhe për ne, që të fillonim të shpresonim mbytazi se diçka po ndryshonte.

Ishim tepër të rinj, për të kuptuar mirë kontekstin politik të vizitës – ftohjen e madhe me Kinën dhe demarshet diplomatike për t’u afruar me Greqinë, si një kundërmasë sado e ndrojtur, për t’i shpëtuar izolimit total. Koncerti i Marinelës ishte shenja e parë e dukshme e një kthese të përgatitur me kujdes nga Enver Hoxha, me mbështetjen edhe të qarqeve të caktuara të qeverisë greke. Aq më i rëndësishëm do të dukej ky koncert më pas, kur u ndoq nga shfaqje dhe vizita artistësh të tjerë të shquar nga Greqia.

Ma merr mendja që për minoritetin grek në Jug këto shkëmbime artistike do të kenë qenë edhe më shpresëdhënëse, edhe më të gëzueshme.

Me këtë lëvizje, Hoxha i kish kapur të gjithë në befasi; në sallën e koncertit të parë të Marinelës në Tiranë ish mbledhur i gjithë ai establishment kulturor i mbijetuar terrorit të viteve të luftës kundër liberalizmit dhe “shfaqjeve të huaja”, përfshi këtu edhe kuadro që kishin bërë karrierë nëpërmjet përndjekjes së kolegëve të tyre.

Aty do t’i gjeje të gjithë folklorikët, teoricienët e “fshatit kulturor” që do të pushtonte qytetin, ksenofobët, anti-intelektualët, virtuozët e “Enver Hoxha tungjatjeta”, puristët, tradicionalistët, dezinfektuesit e leksikut, Zylo Kamberët, rapsodistët, poetët e teksteve të festivaleve të Gjirokastrës, vigjilentët e heshtur, koordinuesit e vatrave të kulturës, identifikuesit e ndikimeve të xhazit, elegjistët, drejtuesit e koreve kooperativiste, formuluesit e muzikës për qendrat e zërit, kompozitorët e valleve, fyelltarët magjikë; dhe i madh do të ketë qenë zhgënjimi i tyre, kur kanë dëgjuar muzikën dhe zërin “tjetërlloj”, nga e njëjta skenë ku pak vjet më parë ish mbajtur Festivali i 11-të i Këngës në RTSH.

Pati disa, gjatë koncertit, që u ngritën dhe u larguan demonstrativisht nga salla – një incident të cilit nuk iu dha rëndësi. Disa të tjerë i shkruan Ramiz Alisë, për t’iu ankuar se nuk paskësh pasur mjaftueshëm “folklor” në këngët që këndoi Marinela; të thuash se skaletën e këngëve kësaj duhej t’ia kish diktuar ndonjë komisar apo aparatçik i posaçëm.

Me këtë gjest disi të trashë, që kushedi e patën ndërmarrë edhe për t’i dalë përpara ndonjë katastrofe të imagjinuar, i dhanë Enverit shansin për t’u treguar edhe një herë lideri i urtë, paqësor dhe i rafinuar, para vartësve të vet.

Për të gjitha këto pata shkruar – me referenca – tek eseja e botuar pardje. Marinela dhe arti i saj nuk kishin gisht në këto intriga dhe teatro; por në Shqipëri ajo duhet të kujtohet edhe për momente të tilla, kur sistemi totalitar kapej në contropiede nga lideri i vet suprem.

I qoftë dheu i lehtë.

(c) 2026 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Botohet me leje te TemA.

4 Komente

  1. p
    pergjithmone marinela

    Marinela,nje nga kengetaret e rralla, qe ndezi shpirtin njerzor, me nje gjuhe, qe nuk mund te shkruhet.

    Përgjigjjuni
    1. v
      vdiqem tuj qesh

      Kur polici yne trim, syshqiponje dhe shpatullgjere ka pyetur: “Italian je ti, që i bie kitarës?”, kitaristi duhej ti pergjigjej: "Po, italian jam. Po ti?".

      Përgjigjjuni
      1. C
        Chatzi Cameli

        O Ardian, mos shkruaj më për të gjallët se mund të ndjellësh vdekjen e tyre.

        Përgjigjjuni
        1. Kete shkrim me polic e cifteli, Ramiz e Kadri perkrah Marineles nuk e ka krijuar Ardian Vehbiu packa se i ka vene emrin e tij. Ta qash artin duke qeshur - Vehbi Ardiani.

          Përgjigjjuni

          Lini një Përgjigje