Durrës/ Përfundon rikonstruksioni i Muzeut Etnografik dhe atij Arkeologjik

23 Shkurt 2026, 13:12Kulturë TEMA
Durrës/ Përfundon rikonstruksioni i Muzeut Etnografik dhe atij

Qytetit të Durrësit i rikthehen dy atraksione të rëndësishme turistike, Muzeu Arkeologjik dhe Shtëpia Muze Etnografike “Aleksandër Mosiu”, të cilat u dëmtuan rëndë nga tërmeti i vitit 2019, iu nënshtruan një procesi të gjatë rikonstruksioni dhe tashmë janë gati për vizitorët.

Këto dy muze do të ofrojnë një eksperiencë autentike për të njohur historinë e lashtë, traditën dhe jetën hershme, duke e bërë Durrësin edhe më tërheqës për turistët vendas dhe të huaj.

“Këtë sezon turistik veror kemi një risi sumë të rëndësishme sepse kemi dhe hapjen e Muzeut Arkeologjik, pas rikonstruksionit, këtë vit do të kemi muzeun për të gjithë turistët vendas dhe të huaj, sepse është një nga atraksionet që kanë interes nga të gjitha grupmoshat nëse do i referohemi tipologjive të ndryshme të turistëve. Gjithashtu presim së shpejti të hapet dhe Muzeu Etnografik”, shprehet Floreta Kërtusha, specialiste turizmi në Bashkinë Durrës.

Paralelisht, po punohet për zgjerimin e ofertës turistike përmes shtimit të guidave të specializuara, duke përfshirë aktivitete si hiking, çiklizëm dhe eksplorime në natyrë, që i japin një dimension të ri turizmit aktiv.

“Në bashkëpunim me agjensi turistike, ne po punojmë për diversifikimin e guidave turistike. Kemi organizuar dhe një hiking për promovimin e shtigjeve natyrore, qofshin këto për ecje, çiklizëm apo makina që ndjekin itinerarin ‘off roads’”, pohoi Kërtusha.

Një tjetër hap i rëndësishëm është prezantimi i Durrësit në arenën ndërkombëtare, në panairin prestigjioz që do të mbahet në muajin mars në Berlin. Aty do të ekspozohet i gjithë potenciali turistik i qytetit, me synimin për të tërhequr më shumë turistë dhe investime.

“Ky panair do të organizohet në datat 2-5 Mars të këtij viti dhe kështu e rinisim këtë sezon turistik veror me një promovim në arenën ndërkombëtare, ku në stendën dedikuar Bashkisë së Durrësit, aty do të ekzpozojmë të gjithë potencialin turistik duke nisur nga strukturat akomoduese, nga agroturizmi apo kulinaria”, tha specialistja Kërtusha.

Këtë sezon veror Durrësi synon të forcojë pozicionin e tij si një nga destinacionet kryesore turistike në Shqipëri, duke thithur një numër më të lartë turistësh krahasuar me sezonin e kaluar. A.K./TemA

Lini një Përgjigje