Në një mbrëmje të mbushur me art dhe emocion, nxënësit e shkollës "Naim Frashëri" hapën dyert e ekspozitës së tyre të pikturës, të titulluar "Artistët e mëdhenj në sytë e fëmijëve". Kjo ekspozitë, e organizuar nën kujdesin e mësueses së artit, Merina Dervishi, mblodhi artdashës të shumtë në ambientet e Bibliotekës "Musine Kokalari" .
“Nga vet tematika inspirimi ka qenë nga artistë vërtet të mëdhenj, fëmijët cdo ditë përballen në orën e artit pamor me këta artistë duke u frymëzuar me tematika të ndryshme dhe rezultati i atyre frymëzimeve ishte kjo ekspozitë”, u shpreh mësuese Merina Dervishi.
Rreth 40 Nxënësit pjesëmarrës, me pasionin dhe kreativitetin e tyre, sollën në jetë vizionin e tyre mbi disa nga artistët më të mëdhenj të historisë së artit. Përmes ngjyrave dhe formave unike, ata prezantuan interpretimet e tyre të veprave ikonike, duke ofruar një këndvështrim të freskët dhe origjinal.
Kjo iniciativë jo vetëm që inkurajon fëmijët të shprehin veten përmes artit, por gjithashtu kultivon tek ata një ndjenjë të thellë vlerësimi për trashëgiminë artistike botërore si edhe mënyrën sesi ata e perceptojnë dhe riprodhojnë artin e mjeshtërve të mëdhenj të pikturës.
Lini një Përgjigje