Mes dhjetëra pikturave, portreteve, skicave, ilustrimeve dedikuar Ismail Kadaresë dhe krijimtarisë së tij, në ekspozitë-instalacionin e hapur nga Akademia e Studimeve Shqiptare në ambientet e Piramidës së Tiranës, ishte një vepër që e mbajti gjatë publikun të mbërthyer pas vetes.
Ishte pikërisht portreti i realizuar nga Bashkim Ahmeti, i cili i përket koleksionit privat të familjes së Ismail Kadaresë.
Ahmeti është piktori që e ka pikturuar më shumë se çdo piktor tjetër. Kishin bashkë një miqësi të gjatë, jo vetëm për shkak të Gjirokastrës, vendit të origjinës, por edhe për shkak të dashurisë për letrat, shkruan mapo.
Bashkim Ahmeti, i cili ka hapur në Tiranë disa ekspozita me vepra për shkrimtarin, ka rrëfyer nëpër intervista, se ka qenë sfidë realizimi i portreteve për Kadarenë. Kjo pasi deri në atë kohë kishte realizuar portrete familjare.
“Portretet e Kadaresë i kam punuar për një kohë shumë të gjatë. Iu luta të më pozojë për të bërë portretin e tij. Ismaili e priti me mirësjellje lutjen time dhe u mundua ta fshehë bezdinë që të shkakton ideja e pozimit. Një vit më vonë, i tregova portretin e parë me ngjyra që nxora nga këto vizatime. Një portret i vogël 30x40 cm. E quajta ‘profil në gri’, gjë që atij nuk i pëlqeu. ‘Se si më bëni ju piktorët mua’, tha duke qeshur, ‘më bëni të zymtë’”, ka treguar piktori.
Lini një Përgjigje