
Etika e Spinozës është njëri prej librave më sfidues shkruar në historinë mijëvjeçare të njerëzimit. Të sqarojmë diçka. Etikë do të thotë “mënyrë sjelljeje” apo “kod rregullash”, apo, “si duhet ta jetojë njeriu jetën”.
Por te “Etika” e Spinozës, Etikë do të thotë “si duhet ta jetojë njeriu botën”, si e përjeton njeriu universin dhe cilat janë vendimet që duhet të marrë ai. A janë të mundshme këto vendime, a ekziston vullneti i lirë, dhe, nëse po, deri në çfarë mase?
Sa shqetësuese është për njeriun të jetojë në një botë pa zot, dhe akoma më shqetësuese, jetesa në një botë ku zot është gjithçka, sepse, si lexuesi do ta vërë re, ai i Spinozës është një zot panteist, sikundër ai i Naim Frashërit.
Mendimi i hollandezit çifut Baruch Spinoza ka pasur jehonë të madhe në Evropë sidomos në veprat e Friedrich Nietzsche dhe Gilles Deleuze, por po ta qëmtojmë me më thellësi do të vëmë re se dhe fenomenologu gjerman Martin Heidegger u influencua nga “i përzëni” i Hollandës.
Dhe vërtet Spinoza u përzu dhe përndoq nga komuniteti çifut sepse nuk besonte zotin e tyre, njëjtë si Dante më herët, por kjo nuk e pengoi aspak të hidhte bazat e filozofisë më joshëse të shekujve të fundit, një filozofi që, surprizë surprizë, pavarësisht se është voluminoze, është e kapshme nga të gjithë.
Libri “Etika” është përkthyer nga Dritan Karadaku, profesor filozofie që ka studiuar në Francë dhe është botuar nga e mirënjohura “Pika Pa Sipërfaqe”.
Edhe Anshtajni thoshte se ai besonte te Zoti - Natyrë i Spinozës dhe jo te një plak me mjekër të bardhë që rri mbi re dhe na vëzhgon gjithë ditën se çfarë bëjmë!