Një festë e madhe me nota satirike dhe një zgjim mbi realitetin ku po jetojmë cilësohet shfaqja “Zullulandia”, e cila ka ardhur në natën e gjashtë të “KoKo Fest” në teatrin Andon Zako Çajupi. E punuar mbi motivet e veprës së Faik Konicës dhe e plotësuar me ngjarje të realitetit të sotëm shqiptar, ajo është përshtatur dhe vjen nën regjinë e Endri Çelës dhe me lojën e aktorëve të Teatrit Kombëtar Eksperimental të Tiranës.
“Unë kam dashur që të qeshim dhe të reflektojmë përmes të qeshurës. Një teatër ku ka mendim dhe ka reflektim është gjithmonë një teatër i mirë dhe një teatër që depërton te publiku. Mendoj se ia kam arritur pasi pashë një publik që u larguar në fund duke reflektuar”, u shpreh regjisori Endri Çela.
Vepra flet për Zullulandian, një vend në Afrikën juglindore, me popullin e saj të prapambetur e të nënshtruar që kërkon më shumë të drejta nga Evropa. Prandaj dërgon në Paris dhe në Londër ambasadorin e saj, i cili vihet në lojë prej kancelarëve të huaj, ndërsa, kur kthehet në Zulluland, mirëpritet prej zulluve me festa e nderime për “lëvdatat” e marra.
I vetmi që e ka kuptuar talljen është Plugu. Tani atij i duhet që t’i hapë sytë një populli të tërë zullush për talljet e Evropës mbi Zullulandian.
“Ju keni një publik që artistët i pret mirë, me ngrohtësi, me duartrokitje dhe ne kemi jemi munduar të bëjmë maksimumin tonë me këtë shfaqje. Është pjesë që afrohet me realitetin e Shqipërisë së sotme, pasi rinia po gjen vështirësi të mëdha për ndërtimin e jetës në Shqipëri dhe po largohet gjithmonë e më shumë. Ne i bëjmë thirrje me gjithë zemër dhe forcë “mos e braktisni Shqipërinë””, u shpreh aktori Sokol Angjeli.
“Kënaqësia është e madhe kur vjen në “Koko Fest”. Unë kam ardhur pothuajse çdo vit dhe publiku korçar është i mrekullueshëm. Kjo shfaqje është problematika jonë, është një alegori. Tunduni dhe thoni fjalën tuaj të lirë, kjo është demokracia”, u shpreh aktori Neritan Liçaj.
Kjo vepër sa dramatike, aq bashkëkohore, sillet me nota humori dhe ngjit në skenë edhe aktorët Brendi Bega, Katerina Fili e Anxhelo Dauti.
- RTSH-
Lini një Përgjigje