Nga Bujar Xh. RAMA

Ndrek Luca me Gjergj Lucen në filmin "Flaka e Maleve" “Flaka e maleve” është film i prodhuar në vitin 1982
Filmi shqiptar, teatri, ekrani, skena, regjia, detajet kompozicionale, mizanskenat... Magjia e artit të kinemasë, e gdhendur në apogjeun e kulturologjisë sonë - pasuri kombëtare (e theksojmë: përjashtuar ideologjinë në përmbajtje, të diktuar dhunshëm nga sistemi). Siglat! Kinostudio "Shqipëria e Re" paraqet; Teatri Popullor shfaq... dhe sytë e gjithë shqiptarëve të ngërthyer në atë ekran të vogël bardhezi në televizorët e prodhimit "URT Durrës" në kohën e monizmit, televizorë të markave: "Iliria" (pritnim 15 - 20 minuta me sinjalin e zi dhe "bzhzhzh" sa të dilte figura), "Dajti", "Lura", "Butrinti"... Ekrani dhe skena, aktorët tanë, fituan statusin e familjaritetit në çdo shtëpi, ndonëse i vetmi televizion i asokohe vetëm një herë në javë shfaqte një film shqiptar dhe një pjesë teatrore shqiptare. Loja aktoriale, pavarësisht gjykimeve a paragjykimeve, mbetet memorie e përjetshme e publikut. Historiku i kinoteatrit ka në brendinë e vet gjithë emocionet tona, të qeshurat, të qarat, duartrokitjet dhe galerinë e pafundme të personazheve, të gdhendura mjeshtërisht nga aktorët tanë.
PRINDËR DHE FËMIJË NË AKTRIM
Ndrek Luca, Mimika Luca, Gjergj Luca; Dhimitër Anagnosti, Roza Anagnosti, Era Dhimitri; Kadri Roshi, Kliti Roshi; Sulejman Pitarka, Rubin Pitarka; Bexhet Nelku, Einar Nelku; Luftar Paja, Gazmend Paja; Guljelm Radoja, Redi Radoja; Margarita Xhepa, Ndriçim Xhepa; Fadil Kujofsa, Lisa Kujofsa, Erin Kujofsa; Zef Deda, Julian Deda; Mario Deda; Yllka Mujo, Elia Zaharia, Amos Zaharia; Ndrek Prela, Kol Prela; Todi Llupi, Blerta Llupi; Marko Bitraku, Besmir Bitraku; Lec Shllaku, Bruno Shllaku; Dhimitër Trajçe, Ylli Trajçe, Nestor e Aleksandër Pogaçe, Gëzim e Genti Kame; “dinastia” e “Al Prodanëve” në tre breza: Aleko Prodani, Albano Prodani, Aleks Prodani etj.
BASHKËSHORTËT AKTORË
Piro e Pavlina Mani; Mihallaq e Edi Luarasi; Ndrek e Mimika Luca; Dhimitër e Roza Anagnosti; Pëllumb e Zhuljeta Kulla; Nikolin e Meropi Xhoja; Dhimitër e Dhorka Orgocka; Rikard e Marjeta Ljarja; Fatos e Natasha Sela; Agim Shuke e Mirketa Çobani; Petrika e Klaudeta Riza; Gjergj e Luiza Xhuvani; Xhevdet e Rozeta Ferri; Perika e Yllka Gjezi, Genc Fuga e Eni Jani, Fatbardh e Merita Smaja, Besnik e Anila Bisha etj.
NË ROLE TË NJËJTA SI NË MARRËDHËNIET NË JETË
Janë të shumta rastet kur aktorët tanë kanë pasur edhe në film të njëjtat marrëdhënie si në jetën e përditshme. Më poshtë po sjellim disa nga personazhet dhe titujt e filmave. Ndrek e Mimika Luca luajnë në rolin e bashkëshortëve në filmin "Detyrë e posaçme"; Rikard e Marjeta Ljarja te filmi "Në pyjet me dëborë ka jetë"; Margarita dhe Ndriçim Xhepa në filmat “Shokët” dhe “I dashur armik”; Dhimitër e Dhorka Orgocka në filmat "Horizonte të hapura", "Pas gjurmëve", "Përsëri pranverë"; Sulejman dhe Rubin Pitarka luajnë në rolin babë e bir në filmin "Tinguj lufte"; Guljelm dhe Redi Radoja në filmin "Asgjë nuk harrohet"; Kadri dhe Kliti Roshi në filmin "Pesha e kohës"; Xhevdet dhe Rozeta Ferri në filmat "Vitet e pritjes", "Dhe vjen një ditë” etj.
ROLE TË TJERA KU INTERPRETOJNË BASHKË
Ndrek dhe Mimika Luca luajnë sa bashku edhe në filmin “Çeta e vogël”; Ndrek Luca dhe Gjergj Luca luajnë së bashku në filmat “Flaka e maleve” dhe “Lundrimi i parë”; Kadri dhe Kliti Roshi interpretojnë edhe në filmin “I teti në bronz”; Yllka Mujo, Elia Zaharia më filmin "Lule të kuqe, lule të zeza"; Yllka Mujo dhe Amos Zaharia te "Shqiptari"; të tre së bashku, Yllka Mujo, Elia dhe Amos Zaharia në komedinë "8 femrat"; Roza Anagnosti dhe e bija Era Dhimitri në filmat "Në shtëpinë tonë" dhe "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", ku regjisori është nga e njëjta familje, Dhimitër Anagnosti; Nikolin dhe Meropi Xhoja te filmi "Kapedani", Bruno Shllaku dhe Paskualina Gruda në filmat "Fundi i një gjakmarrjeje", "Shtëpia e vjetër", "Flaka e maleve", "Një natë pa dritë"; Perika dhe Yllka Gjezi në filmin "Shtëpia jonë e përbashkët" etj.
DISA NGA BASHKËPUNIMET MË TË SPIKATURA NË FILMOGRAFI

DHIMITËR ANAGNOSTI (1936 - 2025), & ROZA ANAGNOSTI (1943)
Dy emblema të artit shqiptar, të kinemasë sonë. Artisti i Popullit, Dhimitër Anagnosti, e ka nisur punën në Kinostudion "Shqipëria e Re" si operator, pastaj regjisor e skenarist. Një nga kineastët themeltarë të kinematografisë sonë, ndër majat e filmografisë dhe teatrit shqiptar. I lindur në Vuno, Artisti i Popullit qe ndër njohësit më të mirë të traditave popullore të Jugut e më gjerë, të ritualit të gëzimeve familjare (lindje, dasmë, vdekje) e sidomos të këngëve polifonike. Thuajse në çdo film me skenar apo regji të Dhimitër Anagnostit, ka një këngë polifonike të kënduar, si: "Në lëm-o tek arrë e madhe" apo "Atë ditën e xhuma" në filmin "Malet me blerim mbuluar"; kënga "Dale, moj bandille, dale" te "Lulëkuqet mbi mure"; kënga "Pjergull-o me lule shumë" në filmin "Gurët e shtëpisë sime"; shumë këngë dasme zagorite në filmin "Përrallë nga e kaluara"; kënga e Xhemiles te filmi "Gjoleka, djali i Abazit" etj.
Roza Anagnosti, Artiste e Merituar, një nga aktoret me bukurinë fizike rrallë të krahasueshme dhe po ashtu një artiste e panteonit të aktrimit shqiptar. Role të paharrueshme në skenë dhe në ekran, që kanë krijuar profilin e njohur të Rozës, falë edhe bashkëpunimit me Artistin e Popullit, bashkëshortin e saj regjisor, Dhimitër Anagnosti. Një karrierë e shkëlqyer përmes shumë roleve në teatër dhe mbi 20 personazhe në filmografi. Ndër interpretimet më mbresëlënëse (përveç regjisë së Dhimitër Anagnostit), spikaten: Filja në filmin "Toka jonë" (1964, regjisor Hysen Hakani); Besa te "Fije që priten" (1976, regjisor Muarrem Fejzo); mësonjësja Dafinë te "Mësonjëtorja" (1979, regjisor Muharrem Fejzo); Mrika te "Besa e kuqe" (1982, regjisor Piro Milkani); Luli te "Taulanti kërkon një motër" (1984, Xhanfise Keko); doktoreshë Besmira te "Botë e padukshme" (1987, regjisor Kristaq Dhamo); Adelina te "Rikonstruksioni" (1988, regjisor Vladimir Kasa); bashkëshortja e Androkliut te filmi "Vetmi" (1990, regjisor Esat Musliu) etj.
Roza Anagnosti ka qenë aktore gjer në protagonizëm në 6 filma me regji të bashkëshortit të saj, Artistit të Popullit, Dhimitër Anagnosti. Konkretisht: "Komisari i dritës" (1966); "Plagë të vjetra" (1968); "Në shtëpinë tonë" (1979); "Gurët e shtëpisë sime" (1985); "Kthimi i ushtrisë së vdekur" (1989) dhe "Gjoleka, djali i Abazit" (2006).
DHIMITËR ORGOCKA (1936 - 2021) & DHORKË ORGOCKA (1937 - 2002)
Nga çiftet më të dashura e më simpatike të skenës dhe ekranit tonë, shfaqur si bashkëshortë edhe në shumë role. U rritën bashkë në skenë dhe skalitën personazhe të pavdekshme. Artistë të kompletuar. E kanë nisur me këngët, vallet e baletin dhe lartësuan skenën më pas me galerinë e roleve të tyre. Artisti i Popullit, Dhimitër Orgocka, njëherësh edhe regjisor, dhe Artistja e Merituar, Dhorka Orgocka, ishin mjeshtër të karaktereve. Që nga Urani te filmi "Horizonte të hapura" (1968, regjisor Viktor Gjika) e pastaj Bato Kolaneci tek “Yjet e netëve të gjata” (1972, regjisor Viktor Gjika); zoti Misir te "Gjeneral gramafoni" (1978, regjisor Viktor Gjika); xha Fania tek "Asgjë nuk harrohet" (1985, regjisor Esat Ibro); Riza Ostrovica te "Dasmë e çuditshme" (1986, regjisor Esat Ibro) e gjer te Damo Bregu dhe Bani Bashari në filmat "Përsëri pranverë" (1987, regjisor Petrit Llanaj) dhe "Njerëz në rrymë" (1989, regjisorë Besnik Bisha, Grigor Stavri) mjeshtri “Taqka” plazmoi tipologjinë e personazheve (pavarësisht ideologjisë), duke u shndërruar shpejt në një ndër aktorët më të pëlqyeshëm për shikuesin. Nga ana tjetër, "Maro Mokra" e teatrit, Dhorka, spikati me teto Ollgën në filmin "Beni ecën vetë" (1975, regjisore Xhanfise Keko); nënë Mara te "Përballimi" (1976, regjisor Viktor Gjika), Drita në filmin "Pas gjurmëve" (1978, regjisore Xhanfise Keko), nëna e Lindës te "Përsëri pranverë" (1987, regjisor Petrit Llanaj) etj. Kanë interpretuar së bashku në disa filma, si: "Horizonte të hapura" (1968), "Flamur në dallgë" (1977), "Pas gjurmëve" (1978), "Asgjë nuk harrohet" (1985), "Dasmë e çuditshme" (1986), "Përsëri pranverë" (1987), ku në tre prej këtyre filmave kanë qenë në rolin e bashkëshortëve ("Horizonte të hapura", "Pas gjurmëve", "Përsëri pranverë").
MARGARITA XHEPA (1932 - 2025) & NDRIÇIM XHEPA (1957)
Artistja e Popullit dhe i biri Artist i Merituar. Margarita është një nga ikonat e pakrahasueshme e skenës dhe ekranit tonë, "Diva shqiptare", siç e ka cilësuar studiuesi Miho Gjini aktoren e madhe. Ndërsa Ndriçim Xhepa është një nga rastet më dëshmuese të karakterit profesional. Atij i duhej shumë punë për të mos mbetur nën hijen e famës së nënës së tij, por të krijonte një profil të vetin identifikues. Dhe ia doli mbanë, duke u bërë një nga aktorët më të preferuar të regjisorëve në vitet '80 - '90. E madhërishmja e skenës dhe filmit shqiptar, Margarita Xhepa, ka interpretuar rreth 150 role në teatër dhe 32 role në kinematografi, ku mund të përmendim: Zyraka Minga në filmin “Vitet e para” (1966, regjisor Kristaq Dhamo); Violeta te “Gjurma” (1970, regjisor Kristaq Dhamo); nënë Katja te “Pylli i lirisë” (1976, regjisor Gëzim Erebara); nënë Shanoja te “Dimri i fundit” (1976, regjisorë Ibrahim Muço dhe Kristaq Dhamo); Eleni Jankollari te “Koncert në vitin 1936” (1978, regjisor Saimir Kumbaro); nëna e Besimit te “Dora e ngrohtë” (1983, regjisor Kujtim Çashku); Kristulla te “Misioni përtej detit” (1988, regjisor Lisenko Malaj); nëna e Nerënxës dhe Helenës te “Vitet e pritjes” (1990, regjisor Esat Musliu); mësuese Kristina te “Një djalë dhe një vajzë” (1990, regjisor Spartak Pecani); Beti te “Ne dhe Lenini” (2008, regjisor Saimir Kumbaro); etj.
Ndriçim Xhepa ka interpretuar mbi 40 role në teatër dhe rreth 30 filma. Ndër personazhet e tij në kinematografi, mund të përmendim: Andrea në filmin “Kohë e largët” (1983, regjisor Spartak Pecani); Ardi tek “Të mos heshtësh” (1985, regjisor Spartak Pecani); Arben Kodra te “Hije që mbeten pas” (1985, regjisor Esat Musliu); Neritani tek “Telefoni i një mëngjesi” (1987, regjisorë Ibrahim Muço, Kristaq Dhamo); Astriti tek “Treni niset në shtatë pa pesë” (1988, regjisor Spartak Pecani); Toma te “Flutura në kabinën time” (1988, regjisor Vladimir Prifti); Genci tek “Unë e dua Erën” (1991, regjisor Albert Minga); Gjergji te “Pas fasadës” (1992, regjisore Drita Koçi) etj.
Kanë interpretuar së bashku në filmat: "Shokët" (regjisor Kujtim Çashku), "Në kërkim të kujt" (regjisor Gjergj Xhuvani), "Kronikë provinciale" (regjisor Artan Minarolli), "I dashur armik" (regjisor Gjergj Xhuvani).
Te filmi "Shokët", “Në kërkim të kujt” dhe "I dashur armik" janë në rolin nënë e bir.
RIKARD LJARJA (1943 - 2020) & MARJETA LJARJA (1955)
Dy artistë të mëdhenj që përcollën thjeshtësinë përmes madhështisë së artit të tyre. Rikardi, Artist i Merituar, një figurë dimensionale: aktor, skenarist, regjisor, por edhe muzikant, piktor e shkrimtar, i cilësuar si Zhan Gabeni shqiptar. Për ata që nuk e dinë, Rikard Ljarja ka shkruar edhe librat: "Në një humbëtirë këtej rrotull", "Kohë qensh", "Josifopedia". Ishte njohës i thellë i psikologjisë së personazheve, duke projektuar një tipizëm të veçantë të sistemit "rikardian" në kompletarinë e aktrimit të regji - skenar - aktor, ku veçojmë rolet: Dritan Shkaba te "Komisari i Dritës" (1966, regjisor Dhimitër Anagnosti); Skënderi te "Duel i heshtur" (1967, regjisor Dhimitër Anagnosti); Kujtimi te "Ndërgjegjja" (1972, me regji të Hysen Hakanit); Rremën te "Shtigje lufte" (1974, regjisor Piro Milkani); Deda te "Rrugë të bardha" (1974, regjia Viktor Gjika); z. Tosti tek "Ilegalët" (1976, regjisor Rikard Ljarja); Luka te filmi "Në pyjet me dëborë ka jetë" (1978, me regji të Rikard Ljarjes); Vasili ("Pesha e kohës", 1988, me regji të Rikard Lajrjes); e tek Emiri ("Fletë të bardha", 1990, regji e Mevlan Shanajt) etj.
Marjeta ka mbajtur një profil më të ulët në aspektin tej-aktorial, por ka qenë një aktore e jashtëzakonshme, konkurrente e denjë e të madhit Rikard. Marjeta Ljarja ka spikatur kryesisht për rolet e buta dhe familjare - pjesë e karakterit të saj njerëzor, por edhe role jashtë natyrës, mjeshtërisht realizuar. Ndër interpretimet e saj, përmendim: Jeta në filmin "Vajzat me kordele të kuqe" (1978, regjisor Gëzim Erebara); Donika në filmin "Në pyjet me dëborë ka jetë" (1978, regjia Rikard Ljarja); Drita te "Kur po xhirohej një film" (1981, Xhanfise Keko); Drita te "Rrethimi i vogël" (1986, me regji të Artan Kumbaros); Zana te "Fillim i vështirë" (1987, regji e Albert Xholit); Marjana tek "Telefoni i një mëngjesi" (1987, me regji të Ibrahim Muços dhe Kristaq Mitros); Margarita Begolli te "Rrethi i kujtesës" (1987, regji e Esat Mysliut); Nerënxa te filmi "Vitet e pritjes" (1990, regjisor Esat Musliu) etj.
Rikardi dhe Marjeta kanë luajtur së bashku në filmat: "Viktimat e Tivarit", "Rrethi i kujtesës", "Në pyjet me dëborë ka jetë" - në këtë të fundit në rolin e bashkëshortëve.
GjERGJ XHUVANI (1963 - 2019) & LUIZA XHUVANI (1964).
Një nga çiftet më produktive në filmografinë shqiptare. Gjergj Xhuvani, regjisor, skenarist, aktor, i pari kineast shqiptar kandidat për çmimin "Oskar" për filmin "Parrullat". Theu tabu dhe dëshmoi se arti është mision dhe mbi çdo paragjykim në një vend si Shqipëria ("izmat" e mendjeve të rrudhura e gjykonin për disa role që i jepte Luizës - idiotizmat qenë këto mendje, që artin nuk kanë për ta kuptuar kurrë!). Luiza ka dëshmuar përherë aftësinë dhe mjeshtërinë e jashtëzakonshme në lartësinë e rolit që i është besuar. Disa nga rolet e saj në filmin shqiptar janë: Madalena në filmin “Fjalë pa fund” (1987, regjisorë Spartak Pecani, Bardhyl Martiniani); Flutura te “Dhe vjen një ditë” (1987, regjisor Vladimiur Prifti); Genta te “Rrethi i kujtesës” (1987, regjisor Esat Musliu); mësuese Flutura te “Flutura në kabinën time” (1988, regjisor Vladimir Prifti); Fata te “Muri i gjallë” (1989, regjisor Muharrem Fejzo); Era në filmin “Unë e dua Erën” (1991, regjisor Albert Minga) etj. Gjergj dhe Luiza Xhuvani janë ndër ballinat e filmit shqiptar, me plot 8 filma së bashku:
"Bardhë e zi", "Një ditë nga një jetë", "Dashuria e fundit", "Funeral Business", "Parrullat", "I dashur armik", "Në kërkim të kujt" dhe "Liqeni im".
Përveç skenarit dhe regjisurës, Gjergj Xhuvani ka interpretuar dhe në filmat: "Edhe ne luftuam" (1981, regjisor Jani Tane) dhe "Hije që mbeten pas" (1985, regjisor Esat Musliu).
Naim Frasheri me djalin Anili Lazer Filipi me djalin Pjeter Gjoka me djalin Me perjashtim te Ndricim Xhepa qe ishte nje aktor brilant, por qe ju nderpre kariera se erdhi mender demokracia dhe teni nuk ka as salle teatri e as kinostudio, femijet e tjere nuk benin as per punetore skene Ne kete linje do te ishte nje shkrim shume interesan se ata (femijet e tyre ) moren te drejten e studimit dhe vendin e punes pa pike merite se ishin femijet e tyre