FELT/ Gonzato: një nismë që kontribuon për Evropën ku i takon të jetë Shqipëria

8 Dhjetor 2025, 14:32Kulturë TEMA
FELT/ Gonzato: një nismë që kontribuon për Evropën ku i

Festivali Evropian i Letërsisë, FELT 2025, u mbajt në Tiranë gjatë pesë ditëve të fundit.

Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, vlerësoi punën, bashkëpunimin dhe vizionin e përbashkët që ky aktivitet ka sjellë në jetën kulturore të Tiranës.

Në fjalën e tij, ambasadori theksoi se, këto ditë janë shndërruar në një hapësirë të jashtëzakonshme dialogu, ku u ndërtuan ura mes kulturave dhe përvojave që pasqyrojnë pasurinë e Evropës së bashkuar dhe të larmishme.

Ai u shpreh i nderuar që ishte pjesë e “Arkitekturës së Mendimit”, një nismë që synon të kontribuojë për “Evropën që duam dhe Evropën ku i takon të jetë Shqipëria”.

Gonzato falënderoi shkrimtarët, botuesit, moderatorët dhe përkthyesit, duke i cilësuar si ura të vërteta mes kulturave.

Po ashtu, ai shprehu mirënjohje për ambasadat e Francës, Irlandës, Çekisë, Polonisë, Sllovenisë, Gjermanisë, Austrisë, Spanjës, Holandës, Bullgarisë, Greqisë dhe Kroacisë, të cilat këtë vit dyfishuan pjesëmarrjen në festival.

Një falënderim të veçantë ambasadori e adresoi për Institutin Italian të Kulturës, Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, si dhe Ministrinë e Arsimit, për mbështetjen e tyre të vazhdueshme.

Me shpresën që FELT të shndërrohet në një pikë të qëndrueshme referimi për jetën kulturore të Tiranës, ambasadori Gonzato nënvizoi rëndësinë e këtij dialogu evropian që e afron edhe më shumë Shqipërinë me familjen evropiane. A.K./TemA

Lini një Përgjigje