“Ferri” i elegancës dhe finesës në artin e mahnitshëm të baletit

17 Qershor 2025, 20:21Kulturë TEMA
“Ferri” i elegancës dhe finesës në artin e

Pas çdo kërcimi fluturues në skenë, pas teatralitetit të atij spektakli magjepsës, fshihet një dhimbje që nuk do dëgjoni kurrë të nxjerrë zë.

Të gjitha rrugët që të shpien te përmbushja e ëndrrës, kalojnë nëpër një terren të ashpër, shpesh duke çuar kufinjt e rezistencës njerëzore në limite. Bukuria, finesa, eleganca, sharmi, feminiliteti, performanca, etj., etj., na lidhin me baletin, por vetëm ato që dogjen për të shndritur në skenë, vetëm ato e dinë se cili është ferri, ai i vërteti.

Termi “këmbët e balerinës” nuk është një koncept mjekësor, por një metaforë e dhimbjes së bukurisë, një mënyrë për të përshkruar çmimin e lartë fizik që vallëzimi klasik i imponon trupit të një balerine. Pas finesës, hijeshisë dhe dritës së skenës fshihet një ferr i heshtur. Vite të tëra stërvitje rraskapitëse, këpucë të ngushta e torturuese, teknika që sfidojnë kufijtë e natyrshëm të trupit.

Këmbët e tyre, që për syrin e publikut duken të lehta si petale, mbajnë plagë të përditshme: harqe të tendosura përtej normales, gishta të shkurtuar, thonj të nxirë ose të thyer, kallo, lytha, dëmtime në kyçe dhe këputje të ligamenteve. E gjitha kjo, e mbyllur nën shallin e një buzëqeshjeje të përmbajtur dhe lëvizjesh që duken sikur nuk u përkasin trupave njerëzorë.

Balerina është mishërimi i një paradoksi. E përkryer në dukje, e përvëluar në brendi. Ajo që publiku sheh është vetëm maja e akullnajës, poshtë saj fshihet një botë përkushtimi që shpesh kufizohet me sakrifikimin e vetvetes. Dhe pikërisht ky është ferri i së bukurës, që ajo të lulëzojë, dikush duhet të digjet ngadalë.

Albert Vataj

Lini një Përgjigje