Kisha e Madhe, siç njihet përgjithësisht Katedralja e Shkodrës, është një kishë katedrale katolike romane kushtuar Shën Shtjefnit, shenjtit pajtor i qytetit sipas Kishës Katolike, e ndërtuar më 7 prill 1858 në periudhën e Perandorisë Osmane.
Me revolucionin kulturor të vitit 1967, Katedralja u shndërrua në Pallat Sporti, ku, në vitin 1973, u zhvillua Kongresi i grave komuniste. Rënia e murit të Berlinit dhe shembja e komunizmit sovjetik solli një frymë lirie edhe në Shqipëri në 1990-1991 u kthye liria dhe besimi zuri përsëri vendin e vet.
Më 7 mars 1991 u rihap Katedralja nga Atë Aleks Baqli ofm, mesha e parë u kryesua nga Dom Zef Simoni me meshtarë të tjerë me praninë edhe të Nënë Terezës së Kalkutës dhe të mijëra besimtarëve. Në Katedralen ende Pallat i Sportit më 21 prill 1991 qe shuguruar meshtar Dom Gjergj Simoni prej Imzot Nikoll Troshanit. Selia e Shenjtë me Imzot Ivan Dias, Nuncin e parë Apostolik në Shqipëri, vendosi dhe financoi restaurimin dhe rindërtimin e saj. Me rihapjen e Katedrales në vitin 1993, pasi përfundoi restaurimi i saj, u vunë përsëri në vendin e tyre qoftë shtatorja e Shën Mhillit që shporon djallin, vepër e çmuar në dru e Kolë Idromenos, qoftë njëra prej dy kupave të mermerta të ujit të bekuar, dhuratë e familjes Pema, vepra këto të konfiskuara prej komunistëve).
Më 25 prill 1993, Ati i Shenjtë, Papa Gjon Pali II, në vizitën e tij historike, vizita e parë e një Pape në Shqipëri, në praninë edhe të së Lumes Nënë Tereza e Kalkutës, kremtoi Meshën e Shenjtë dhe shuguroi katër ipeshkvijtë e parë të Kishës Katolike në Shqipërinë e ringjallur: Imzot Frano Illia, Kryeipeshkëv Metropolit i Shkodrës dhe Administrator Apostolik i Lezhës, i Sapës dhe i Abacisë së Oroshit, Imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkëv i Durrës-Tiranës, Imzot Robert Ashta, Ipeshkëv i Pultit dhe Imzot Zef Simoni, Ipeshkëv Ndihmës i Shkodrës.
Lini një Përgjigje