Komunizmi ka bërë krime kudo, por në Shqipëri kalon në kufijtë e gjenocidit. I kapërcen kufijtë e imagjinatës trajtimi mizor që i është bërë popullit shqiptar në përgjithësi dhe pjesës së “armiqve të popullit” në mënyrë të veçantë. Asnjë vrasje nuk është kryer pas rrëzimit të sistemit komunist për motive të këtij persekutimi të pashembullt. Shqiptaret, ky popull i vogël i Nënë Terezës, ka besuar se urrejtja nuk mund të zhduke urrejtjen, por dashuria e mund atë.
Kampi duhet të ngrihet! Memoria historike e shqiptareve nuk duhet të vritet me harresë. Historia e këtij kampi nuk ka të bëjë me tepelenasit e as tropojanët, se askush nuk i pyeti ata, por me komunizmin dhe krimet e tij, me të shkuarën dhe të nesërmen ndryshe të Shqipërisë.
Kjo dëshmi vjen fill pas nismës së parë dhe aktivitetit të zhvilluar nga AIDSSH në kampin e Tepelenës, më 30 gusht 2017, me rastin e përkujtimit të Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve, ku u prezantua projekt-ideja për Muzeun e Kampeve të Punës së Detyruar në Shqipëri, si dhe memoriali i varreve të humbura.
Midis polemikave të shumta dhe kundërshtimeve që vinin nga disa grupe të keqiformuara, të cilët shpreheshin kundër ngritjes së muzeumit në kujtim të viktimave të pafajshme që vdiqën dhe u trajtuan në mënyrën më mizore gjatë viteve 1949 -1954, Gëzim Nika evokon historinë e familjes së tij, e gjyshes Drane Jakja Bushgjokaj. “Familja ime ka qenë dhe mbetet një familje patriotësh antikomuniste. Gjyshi im Vuksan Preka u ekzekutua nga komunistët Jugosllave në Kosovë në bashkëpunim me sigurimin e fshehtë shqiptar për shkak të aktivitetit të Tij në të mire të demokracisë dhe idealit kombëtar, në Shqipëri dhe Kosovë. Ky burrë vigan i maleve të Shqipërisë, që nuk pranoi ti nënshtrohej komunizmit, e deshi të lire Shqipërinë dhe Kosovën e sot më bën të ndihem krenar”.
Pas arratisjes së gjyshit të tij për në Jugosllavi, më 5 tetor 1948, gjyshen Drane e internuan me 4 fëmijët e saj në kampin e Tepelenës. E internuan se bashku me dy vajzat dhe dy djemtë, babain e Gëzimit asokohe 7 vjeç dhe Zefin 2 vjecar. Ajo iu nënshtrua punës së detyruar në kushtet e skllavërisë.
Po kërkohet thjesht hapja e këtij kampi dhe kthimi i tij në muze, për të kujtuar fëmijët dhe të tjerët që vdiqën nga kolera komuniste. Shumë vdiqën në tortura të tmerrshme dhe shumicës së tyre nuk u dihen akoma varret. Po kërkohet hapja për të mos u fshire kujtesa historike dhe përkujtuar heronjtë dhe viktimat e asaj kohe të zezë. Mbrojtja edhe nga padija e një krimi nuk të bën të pafajshëm së paku moralisht.
Lini një Përgjigje