Galeria “Art Saranda” për çdo vizitor ofron një fond të qëndrueshëm prej disa koleksionesh veprash të periudhave të ndryshme. Ndërkohë gjatë këtyre ditëve kjo galeri po përgatitet për çeljen e ekspozitës së parë nga talentet e reja të shkollave të Sarandës.
“Jemi duke punuar për të çelur ekspozitën me talentet e reja që janë djem dhe vajza më të talentuar nga shkollat e rajonit të bashkisë tonë. Ekspozita do të çelet me datë 1 qershor dhe çdo vit ka qenë e suksesshme se bashkë me nxënësit vijnë edhe mësuesit, prindërit dhe bëhet një festë e vërtet e talenteve të reja”, u shpreh drejtori i galerisë, Lefter Çeko.
Drejtori i Galerisë, Lefter Çeko, evidenton si vlerë të veçantë faktin që përgjatë sezonit të verës do të presin artistë nga Kosova, por dhe të huaj ,të cilët do të ekspozojnë artin e tyre.
“Kemi dhe artistë, ekspozita që janë në përgatitje e sipër me skulptor nga Kanadaja, më pas do të bashkëpunojmë me ambasadën e Çekisë dhe kemi artistë që do na vijnë nga Kosova, pra në këtë formë programohet e gjithë vera dhe ka kërkesa plotë”, tha Çeko.
Të gjitha objektet që janë të ekspozuara në ambientet e galerisë përfshijnë skulptura abstrakte, piktura moderne dhe piktura që shfaqin historinë e vendit.
/RTSH/
Lini një Përgjigje