Artisti i njohur nga Kosova, Petrit Halilaj, është bërë artisti i parë shqiptar që ka arritur të prezantojë veprat e tij në New York, përkatësisht në The Met, dhe për këtë ka shkruar edhe “New York Times”.
Në një artikull dedikuar tërësisht artistit nga Kosova që gjatë luftës së fundit në Kosovë ishte vetëm një fëmijë, NY Times ka shkruar se Halilaj që tashmë është 38-vjeç, ka udhëtuar nëpër shkollat fillore në të gjithë Evropën, duke dokumentar shkarravina që brezat e nxënësve kanë lënë në tavolinat e tyre. Titulli i projektit “Abetare” i referohet librit ABC në gjuhën shqipe, nga i cili Halilaj ka mësuar alfabetin.
“Ato vizatime të fëmijëve nga Ballkani formuan shabllonet për skulpturat e shkëlqyera, ndonjëherë të çuditshme, tashmë zbukurojnë horizontin e Nju Jorkut”, shkruan NY Times.
Halilaj ka lindur në vitin 1986 në Kosterrc, në një fshat të vogël të Runikut. Ditët e tij të shkollës i ka kaluar në mes të luftimeve më të tmerrshme në Evropë. Forcat serbe djegën shtëpinë e familjes Halilaj në vitin 1999, në kulmin e luftës në Kosovë, një nga kapitujt më brutal të një makthi dhjetëvjeçar të konflikteve etnike në Ballkan. Familja e tij ka ikur në Shqipëri, ku psikologët në një kamp refugjatësh, e inkurajuan Halilaj që të vizatonte.
Halilaj tani jeton në Berlin, por si në art ashtu edhe në jetë, ai është mjaft i angazhuar me Kosovën, që u pavarësua në vitin 2008.
Ai figuron mes një brezi emocionues artistësh nga vendi më i ri i Evropës, duke përfshirë Flaka Halitin, Alban Mujën dhe Doruntina Kastratin, e fundit prej të cilëve sapo fitoi një çmim në Bienalen e Venecias.
Në artikullin e New York Times është shkruar edhe një bisedë mes Halilajt dhe gazetarit, duke filluar me pyetje se si ishte eksperienca e Halilajt kur u kthye në një shkollë fillore në Kosovë, një dekadë më parë.
“Në vitin 2010 u ktheva në Runik për pushime. Shkolla ime e vjetër që në fakt i kishte mbijetuar luftës po shkatërrohej për të ndërtuar një të re. Serbët kishin djegur 99 për qind të qytetit dhe kjo ishte një nga ndërtesat e pakta që kishin mbetur, dhe prapëseprapë do të zëvendësohej me ndërtime të reja. Aty u shfaqën shumë fëmijë dhe disa prej tyre më njihnin, me të cilët hymë brenda dhe fillova xhirimet”, është përgjigjur Halilaj.
Ai vazhdon tregimin duke thënë se njëri nga nxënësit e dërgoi në një klasë ku ishte një grumbull i tavolinave që ishin me të vjetra se vetë ai, ku mi treguan edhe vizatimet.
“Isha shumë i prekur nga gjuha e vizatimit dhe në një moment pashë një humbje tjetër – këtë herë jo nga lufta, por nga çmenduria e pasluftës, duke kërkuar gjithçka të re. E pyeta drejtorin nëse mund të shpëtoja të paktën një klasë me tavolina. Ai tha: “Po, nëse financoni tavolina të reja.” Ne bëmë një marrëveshje. Shpresoj që ai i përdori paratë për t’i blerë ato vërtet…” ka shtuar Halilaj. A.K./TemA
Lini një Përgjigje