Gjysmagjeli- një poemë e dashur për fëmijët

27 Janar 2025, 16:36Kulturë TEMA
Gjysmagjeli- një poemë e dashur për fëmijët

Nga Xhahid Bushati

Në kujtesën time që e ka zanafillën në fëmijëri, edhe sot, ka shumë libra që i mbaj mend, që më kanë emocionuar, që shumë personazhe i kam bërë miq, që shumë... Edhe sot nuk i kam harruar. I përmend me dashuri! I kujtoj dhe nuk i harroj! Njëri nga këto libra është dhe "Gjysmagjeli" i shkrimtarit të nderuar Moisi Zaloshnja. Moisiun nuk e kam takuar qoftë dhe një herë. Më vjen keq, po kështu ka ndodhur!.. Për krijimtarinë që na ka dhuruar, mbetet një shkrimtar i shumë respektuar. Ka lënë gurë të çmuar vlerash në letërsinë për fëmijë, veçanërisht te poema (filloj, së pari, me "Misioni", Tiranë 1952 dhe e mbaroi me "Dyzet vëllezërit dhe syqeni", Tiranë 1985; për të vazhduar tek "Lotët e natës" (tregime, Tiranë 1963), e tjera vepra të vlefshme e edukuese.
Disa vepra nga krijimtaria e tij e pasur letrare, "e shqetësuan realitetin socialist", e, për rrjedhojë dhe kritikën letrare. Në raport me realitetin, Moisiu ishte realist dhe i vërtetë. Mbase, kështu nuk e pranonin. Pikërisht, në ato vepra shndritnin vlerat e tij si shkrimtar. E, në këtë pikë, ka pasur studiues që, për disa vepra në kohë të ndryshme kanë trajtuar një raport mes fabulës dhe aktualitetit, në rastin tonë edhe pvr veprat e Moisiut. Mjerisht arsyetimet e tyre kanë në kornizën e realizmit socialist. Për rrjedhojë, me cektësinë e njëtrajtshmërinë e tyre i kanë humbur vlerat veprës (veprave) dhe janë munduar t'i humbin apo zbehin personalitetin artistik shkrimtarit në fjalë. Kështu ka ndodhur edhe më shkrimtarin Moisi Zaloshnja për veprën e tij "Gjysmagjeli", në shkrimin: "Fabula dhe aktualiteti", autor: A. M., gazeta "Zëri i rinisë", 18.05.1968.
Nga ai shkrim kanë kaluar rreth 57-vjet. Do të shfaq disa mendime... mbase në largësi vitesh..., por që kam alternativa të tjera gjykimesh, duke e lexuar "Gjysmagjeli-n" më se një herë, edhe në ditët e sotme.
Fabula e kësaj poeme është e ndërtuar mbi bazën e humorit. Edhe pse në një ndërtim e strukturë të tillë, autori e bashkëshoqëruar me një humor të pranueshëm e të këndshëm. Kjo mendësi nuk është e huaj, por e gjejmë te përrallat tona popullore, ku ka mbështetje edhe kjo poemë. Për rrjedhojë nuk e shtrembëron realitetin. Nuk e shtrembëron realitetin edhe atëherë kur dhelpra kuvendon me gjelin. Një konvencion i tillë nuk është imitacion folkloristik, përkundrazi talenti dhe parafytyrat e tablove që krijon Moisiu në poemë, sjellin dukuri të reja në realitetin rutinë të letërsisë së realizmit socialist për fëmijë. Ai realitet nuk e pranonte atë bashkëbisedim, kur përralla popullore, edhe pse e lashtë, e pranonte në krijimet anonime.
Një dukuri interesante e pasqyruar me një përspektiv kohore vitesh e dekadash nga ana e autorit është ajo e kurbetit. Këtë plagë, këtë dhimbje të pashërueshme e shohim dhe sot në realitetin tonë me pvrmasat e saj. Autori duke na paraqitur ndarjen e plakut me plakën; nuk ka bërë asgjë tjetër vetëm se ka kapërcyer kohën e vet, dhe ajo e vërtetë dramatike sot ekziston dhe po të flasim për vitet kur u shkrua poema, sot ajo mbart aktualitet dhe ishte shenjë qw atëhere paralajmëruese e talentit të shkrimtarit Zaloshnja. Raportet e tij me kohën ekzistuese kanë qenë të shpeshta e pararendëse.
Studiuesit dhe ato kritikë që kanë marrë në analizë këtë vepër të bukur, nuk kanë kuptuar se autori i ka mbetur besnik motivit të përrallës popullore në gjetjen e lumturisë, dhe jo t'i propozojnë autorit "zhvendosje realitetesh" të diktuara: me hapje taracash, ... etj. e etj. Kështu që e kanë humbur arsyetimin e tyre dhe kanë dështuar në analizën e raportit mes fabulës dhe aktualitetit. Moisiu i mbeti besnik përrallës me motive popullore edhe këtë raport që e përmendëm më sipër, dhe e ka realizuar me dinjitet e cilësi artistike. Kjo vshtë arsyeja që, edhe sot e kësaj dite poema "Gjysmagjeli" mbetet e dashur për fëmijët.

Lini një Përgjigje